NGA ALBANA VOKSHI*

Shenim mbi gjetjet e Raportit dhe deklaratat e Klosit

Ministri i Mirëqënies z.Blendi Klosi u përpoq të mbulojë krizën e prodhuar nga qeveria, kryeministri i tij dhe mazhoranca, duke paraqitur suksese imagjinare dhe shifra trilluese, për të manipuluar Raportin e Progresit të KE, ku ka vetëm një të vërtetë, një përfundim: Bashkimi Europian nuk pranoi të hapë negociatat me qeverinë shqiptare.

Klosi duhej së pari të ndalej në faktorët që çuan eksodin më të madh pas viteve ’90 në Shqipëri. Ai nuk shpjegoi pse shqiptarët ikin pa kthyer kokën pas. Pse rreth 70 mijë kanë ikur vetëm këtë vit në Gjermani apo shtete të tjera në BE? Ai nuk shpjegoi pse 200 mijë të tjerë kërkojnë në dëshpërim ëndrrën Amerikane??

Qytetarët e vendit ikin nga varfëria. Ata ikin nga papunësia. Ikin se ligjet nuk zbatohen njëlloj për të gjithë në Shqipëri. Ikin se të varfrin e pret burgu ndërsa Ministra e deputetë janë të veshur me imunitet edhe kur vjedhin paratë e taksapaguesve, edhe kur bëjnë trafik droge apo bëjnë ndërtime pa leje. Sepse të varfrit i pret burgu edhe kur nuk kanë asnjë mundësi për të paguar faturat e dritave, ujit, taksat e ngritura pasi Qeveria i ka hequr nga pagesa e ndihmës ekonomike (mbi 20 mijë familje janë hequr me një të rënë të lapsit nga ndihma ekonomike. Mbi 20 mijë familje, tejet të varfëra jetojnë në kushtet e një mjerimi ekstrem). Ata nuk i paguajnë dot faturat sepse janë hequr nga skema e invaliditetit. Nuk i paguajne dot faturat se janë pushuar me pa të drejtë nga puna e s’kanë asnjë të ardhur. Janë rreth 9 mijë shqiptarë të larguar nga puna vetëm nga administrata publike¸mes tyre mijëra gra edhe kryefamiljare, ish të përndjekura, apo me aftësi të kufizuara. Nuk ka punësim, por vetëm shpunësim në cenim të plotë të Statusit të Nëpunësit, procedurave ligjore dhe të drejtave kushtetuese. Tashmë çdo lloj pozicioni në administratë përfshirë edhe sanitaret edhe bojaxhinjtë është pronë e Ministrave apo deputetëve.

Vetëm në fundjavën që shkoi kryebashkiaku i Tiranës, showmeni Veliaj, hodhi në rrugë pa asnjë justifikim rreth 200 nëpunës të niveleve të ndryshme mes tyre vajza e nëna. Si do ushqejnë ato fëmijët e tyre? Si do ti çojnë në shkollë?

Gra të papuna, nëna kryefamiljare dhe burra kryefamijarë kanë vrarë veten nga varfëria e padrejtësia.
Klosi u tha qytetarëve se papunësia ka pësuar rënie. Por Raporti i Progresit evidenton, “The levels of unemployment (17.5%) and informal employment remain high”. Pra, “Papunësisë (17.5%) dhe informaliteti kanë vazhduar të jenë në nivele të larta”. Me Rilindjen, papunësia është rritur të paktën 4% ku për të rinjtë është rreth 34% dhe për gratë po arrin kuota akoma më të larta dhe po rritet me shqetësim çdo tremujor (në bazë të statistikave zyrtare të INSTAT). Në rajone të ndryshme shkon edhe mbi 50 %.
Klosi mburret me hapjen e 14 zyrave të punësimit të cilat janë kthyer në 14 hane militantësh të PS, që bëjnë qokat për mbështetësit e fushatës, që nuk punësojnë sipas ligjit, por punësojnë sipas interesave.
Nën terrorin e kërbacit të taksave dhe gjobave si dhe aksioneve tatimore, 73 mijë shqiptarë humbën punën në biznesin privat vetëm për dy muajt e fundit.

Ministri i Mirëqënies së qeverisë flet për reformë të pensioneve kur qeveria dhe mazhoranca ka arritur në gjysmën e mandatit dhe nuk ka bërë asnjë rritje pagash dhe pensionesh dhe me shumë gjasa kështu do të vazhdojë në 2016, e më pas. Në buxhet jo vetëm që s’është ulur “gropa” e skemës së pensioneve, por ajo është rritur ndjeshëm.

Pse z.Klosi nuk sqaroi, se përse ende sot nuk kemi të llogaritur sa është minimumi jetik në Shqipëri??? Cfarë e pengon ta bëjë këtë??
Ministri foli dhe për ratifikimin dhe trajtimin e një sërë marrëveshjeve të mbrojtjes shoqërore me shtetet e huaja ku punojnë shqiptarët, marrëveshje të gjitha të iniciuara dhe negociuara nga Qeverinë Berisha, por nuk shpjegoi pse ende nuk njihen pensionet e shqiptarëve në Greqi dhe Itali, ashtu siç Rama premtoi në fushatë.

Klosi foli gjatë, por nuk u ndal në një çështje tepër kritike që trajton edhe raporti i progresit i cili flet qartë që “në Shqipëri nuk funksionojnë ashtu siç duhet mekanizmat e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve”. Ai nuk u ndal asnjë sekondë te shifrat që ulërasin:
– mbi 100 mijë fëmijë jetojnë në varfëri ekstreme
– 50 mijë fëmijë punojnë në rrugë për të nxjerrë bukën e gojës edhe për familjet e tyre
– Fëmijët romë dhe egjiptianë shfrytëzohen për lypje.
Raport progresi thotë: Romët dhe egjiptianët përballen me kushte jetese shumë të vështira dhe përjashtim social, dhe diskriminim për shkak të implementimit jo efektiv të politikave dhe mosndërveprimit institucional. Shqipëria duhet të përmirësojë kushtet e jetesës së Romëve dhe Egjiptianëve, sidhe të dëshmojë progres drejt zhvillimit të rekordeve anti-diskriminuese.
Por Ministri as sot nuk u prononcua për shkeljen flagrante të të Drejtave Themelore të Njeriut, kur dhjetra familje rome u dëbuan me forcë një muaj më parë nga Liqeni Artificial, pas një urdhri të Kryetarit të Bashkisë Veliaj. 44 familje të komunitetit rom dhe egjiptian (200 banorë) u shpërngulën me dhunë në mënyrë barbare pa paralajmërim, nën presion psikologjik dhe policor, ku u përfshinë edhe inspektorët e IKMT-s.

Ja pse shqiptarët ikin në dëshpërim, ikin se nuk kanë asnjë shpresë këtu. Dhe Ministri nuk shpjegoi pse Qeveria dhe Ministria e tij ende nuk kane një Strategji të riintegrimit të azilkerkuesve, një plan pune me buxhetin përkatës të planifikua për implementimin e saj e për ti ardhur në ndihmë familjeve, burrave, grave e fëmijëve të cilët nuk kanë më asgjë sepse kanë shitur edhe shtëpi edhe orendi para së të merrin rrugët.
E vërteta e vetme është kriza gjithëpërfshirëse dhe shkaktari është vetë qeveria e kryeministri.
Opozita me planin e saj të shpëtimit ekonomik është e vetmja rrugë për të dalë nga kjo krizë dhe për të ringritur shpresën në këtë vend.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: