Luftimet e ashpra që kanë shpërthyer në Sudan kanë shqetësuar shumë fqinjët e tij si nga ana e politikës së sigurisë edhe ajo ekonomike e humanitare. Bundeswehr vazhdon evakuimet nga Sudani.

Bundeswehr ka vazhduar fluturimt e evakuimit të dielën me sukses, bëhet e ditur nga vetë ushtria gjermane. 311 vetë kanë mbërritur në Jordani, disa kanë vazhduar më tej në Berlin. Sipas të dhënave të qeverisë gjermane disa qindra gjermane ishin regjistruar për evakuim nga Sudani.

“Sudani është qendra e krizave të vazhdueshme, aty shpesh ka përplasje luftarake”, thotë Marina Peter, themeluese e Forumit të Sudanit dhe Sudanit Jugor në intervistë për DW. “Kur në njërin nga këto vende shpërthen një konflikt, gjithmonë është i prekur edhe vendi fqinj, qoftë Egjipti, Libia, Çadi, Republika Afrikanoqendrore, Etiopia, Sudani Jugor, Eritrea- duke parë nga Deti i Kuq, Arabia Saudite.” Në Sudan, i cili prej vitesh ndodhet në gjendje të pastabilizuar politike, prej një jave luftojnë dy gjeneralët më të fuqishëm dhe njësitë e tyre për të sunduar vendin. Forcat e gjeneralit, Abdel Fattah al-Burhan kundër milicëve RSF të Mohammed Hamdan Daglos. Por me shpërthimin e luftës në Sudan rritet rreziku i destabilizimit të një rajoni, thekson Peter.

Sudani Jugor: Nafta si burim të ardhurash
Të gjitha vendet kanë interes për marrëdhënie të mira me Sudanin, thotë Martina Peter. Por sidomos Sudani Jugor, që në vitin 2011 deklaroi pavarësinë nga Veriu. Grupe të ndryshme të popullsisë janë përplasur për pushtetin që në fillim. Në vitin 2013 shpërtheu lufta civile, me qindra mijëra viktima. Nga rreth 11 milionë sudanezë jugore disa milionë morrën arratinë në vendet fqinje apo në pjesë të tjera të Sudanit Jugor. Nga viti 2020 lufta zyrtarisht konsiderohet e përfunduar, por paqja është e brishtë. “Deri më sot ka luftime mes rebelëve në vende të ndryshme të Sudanit Jugor”, shpjegon ekspertja për Sudanin.

Historia e përbashkët i lidh të dy vendet, thotë Gerrit Kurtz, ekspert për Afrikën dhe Lindjen e Mesme në Fondacionin e Berlinit Shkenca dhe Politika. “Shumë njerëz nga të dy vendet banojnë ose qëndrojnë në vendin tjetër, ka refugjatë dhe sigurisht ka lidhje të ngushta ekonomike dhe politike”, shpjegon Kurtz. Eksperti thekson, se Sudani Jugor është i varur nga devizat e shitjes së naftës së papërpunuar. Rreth 95% e të ardhurave publike lidhen me shitjen e naftës, dhe Sudani luan rol vendimtar për eksportin. Tubacionet kalojnë nëpër Sudan drejt Detit të Kuq. Qeveria e Sudanit Jugor prandaj ka interes shumë të madh që kjo lidhje të mos dëmtohet. Por qeveria është e ndarë, deri më tani drejtuesi i RSF, Daglos kishte funksionuar si ndërmjetësues. Pas fillimit të luftës, partitë sudanezojugore po pozicionohen. Sipas Kurtz konflikti në veri mund të shkaktojë shpërthime dhune edhe Sudanin Jugor.

Kriza humanitare në Çad
Ushtria e Çadit ka bërë të ditur se ka çarmatosur 320 forca paramilitare nga Sudani, që kishin kaluar kufirin. Por më shumë janë civilët që kalojnë kufirin në drejtim të Çadit. Ministri i Komunikimit, Aziz Mahamat Saleh i tha DW-së se në Çad kanë ardhur refugjatë nga Sudani perëndimor, ku zhvillohen luftime. Megjithëse kufiri prej 1500 kilometrash është i mbyllur. “Ne apelojmë për mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë që të na ndihmojnë në sfondin e kësaj krize humanitare që po duket në horizont”, ka thënë Saleh. Çadi kujdeset ndërkohë për 500.000 refugjatë. Një luftë e vazjhueshme mund të dëmtojë zonën e Sahelit dhe tregtinë mes vendeve.

Egjipti si aleat
Edhe Egjipti ka një histori të përbashkët me Sudanin, jo vetëm si partner tregtar. Sudani në kohën e faraonëve ishte pjesë e Egjiptit dhe quhej Nubien. Për një kohë të shkurtër edhe nubiët sunduan në Egjipt, më vonë të dyja vendet iu nënshtruan sundimit kolonial britanik. Të dy vendet kanë kulturë të njëjtë, marrëdhënia e disa elitave në Sudan dhe Egjipt është e ngushtë, sipas ekspertit nga Berlini për Afrikën, Kurtz. “Shumë sudanezë kanë studiuar në Egjipt dhe forcat ushtarake janë trajnuar në Egjipt apo zhvillojnë trajnime ende.” Në kohën e shpërthimit të konfliktit të fundit në Sudan ndodheshin ushtarakë të aviacionit civil egjiptian. 177 vetë u evakuuan. Egjipti shikon më shumë një aleat në qeverinë ushtarake të Sudanit. “Marrëdhëniet janë të ngushta, por sidomos ato mes forcave të armatosura dhe ushtarakëve”, thekson Kurtz.

Një aspekt tjetër është grindja për ujin e Nilit, që është aktuale, që nga koha kur Etiopia ndërton një hidrocentral të madh “GERD”. Egjipti dëshiron “ta ketë Sudanin në kampin e vet në këtë konflikt”, shprehet Kurtz. Prej vitesh ka negociata, por ende nuk ka një marrëveshje. Egjipti së bashku me Sudanin Jugor janë ofruar menjëherë si ndërmjetës mes ushtrisë dhe RSF. Të dyja vendet kanë interes për një Sudan të stabilizuar./DW/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: