Italia po përballet me një krizë në sektorin shëndetësor, pasi në të gjithë vendin nevojiten rreth 53 mijë infermierë. Alarmi është dhënë nga Urdhri i Infermierëve, sipas të cilit infermierët që aktualisht janë aktivë pranë strukturave shëndetësore, janë të detyruar të ndjekin deri në 11 pacientë njëkohësisht, madje në disa zona një infermier ka në ngarkim deri në 17 pacientë.

Sipas Urdhrit të Infermierit, në analizat e të gjitha rajoneve të Italisë, rezultatet më pozitive paraqiten vetëm në disa provinca veriore ku regjistrohet një infermier për tre pacientë. Shqetësuese paraqitet situata edhe në Lombardi, ku ndodhen edhe spitalet më të mira në nivel kombëtar, por në këto spitale mungojnë rreth 4800 infermierë.

Sipas autoriteteve, këto shifra kanë pasoja të rënda, pasi shtohen rreziqet për të sëmurët, por edhe për vetë infermierët. Shqetësues është fakti se rreth 40 përqind e infermierëve italianë detyrohen të bëjnë orë shtesë, për të mbuluar nevojat e pacientëve.

Urdhri i Infermierëve kërkon që çështja të zgjidhet dhe ka thirrur një mbledhje urgjente për shqyrtimin e kësaj situate me ministren e Shëndetësisë Giulia Grillo, dhe përfaqësuesit e të gjitha provincave italiane. Sigurisht një ndër alternativat për të zgjidhur krizën është rekrutimi i infermierëve në vendet fqinje, siç është edhe Shqipëria.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb