ZAGREB- Koalicioni i krijuar në Kroaci nga radhët e konservatorëve, që fitoi zgjedhjet parlamentare në nëntor, zgjodhi sot një biznesmen, pa asnjë përkatësi politike, Tihomir Oreskoviç për të udhëhequr qeverinë e re, një vendim që pritet të miratohet nga presidenca e vendit.

“Ne kemi arritur një marrëveshje për kandidatin e mundshëm në postin e kryeministrit. Ai është një ekspert në fushën e tij, pa përkatësi politike, Tihomir Oreskoviç”, deklaroi për median Bozo Petrov, lideri i grupimit të vogël ”Most”, i cili u bashkua një ditë më parë me konservatorët, duke përbërë së bashku shumicën në Parlament.

49-vjeçari Oreskoviç, ka bërë karrierë në industrinë farmaceutike dhe deri para pak kohësh ishte drejtues financiar për Evropën i gjigantit farmaceutik izraelit “Teva”.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: