Nesër në Koraci mbahet raundi i parë i zgjedhjeve për mandatin pesëvjeçar për president, ku të drejtë vote kanë 3,85 milionë votues brenda dhe jashtë vendit.

Fushata, në të cilën morën pjesë 11 kandidatë për president, zgjati deri të premten, 20 dhjetor, deri në mesnatë, kur edhe zyrtarisht filloi heshtja parazgjedhore.

Më shumë votues sesa në zgjedhjet e fundit presidenciale

Nëse njëri nga kandidatët merr më shumë se 50 përqind të votave në zgjedhje, atëherë nuk ka nevojë të shkohet në raundin e dytë, në të kundërtën, është paraparë raund i dytë i zgjedhjeve për 5 janar të vitit 2020, me vetëm dy kandidatë që do të fitojnë më së shumti vota.

Numri i përgjithshëm i votuesve për këto zgjedhje presidenciale është 3.854.747, që është 75.466 më shumë sesa në zgjedhjet presidenciale të vitit 2014. Arsyeja e kësaj rritjeje është regjistrimi automatik i të gjithë votuesve në diasporë që mbajnë kartë identiteti të vlefshme dhe nuk kanë vendbanim në Kroaci.

Ministria kroate e Administratës ka raportuar se numri i votuesve me vendbanim në Kroaci për këto zgjedhje presidenciale është 3.677.904, që është për 93.049 më pak se në zgjedhjet e mëparshme presidenciale, ndërsa 176.843 votues janë në diasporë pa vendbanim në Kroaci.

Kandidatët presidencialë

Presidentja aktuale e Kroacisë Kolinda Grabar-Kitaroviç shkon në garën për mandatin e dytë nën moton “Presidente. Sepse Kroacia e di!” me mbështetjen e Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ), sikurse në zgjedhjet e kaluara presidenciale, kur ajo mposhti ish-presidentin Ivo Josipoviç në raundin e dytë, si dhe kandidatin e Partisë së Punës dhe Solidaritetit, kryebashkiakun e Zagrebit, Milan Bandiç.

Ajo porosit se gjatë mandatit të kaluar pesëvjeçar ka qenë presidente që ka qëndruar mbi dallimet partiake dhe ideologjike dhe ka nxitur dialogun shoqëror. Programi presidencial i prezantuar nga presidentja në detyrë përbëhet nga shtatë pika: zhvillimi, identiteti, vendosmëria, drejtësia, demokracia, siguria dhe optimizmi.

Ish-kryeministri kroat dhe ish-kryetari i Partisë Social Demokratike (SDP) Zoran Millanoviç ka kandiduar me mbështetjen e ish-partisë së tij, aktualisht partia kryesore e opozitës, dhe një numri partish në spektrin e majtë politik. Slogani i Millanoviçit është “President me karakter”, ku thotë se si kryeministër, ka treguar pikëpamjet e tij për disa çështje, dhe se votuesit e njohin atë, por pranon se ka bërë disa gabime.

Hırvatistan'da Cumhurbaşkanlığı Seçimi

Në një video në faqen e tij zyrtare, Millanoviç i referohet përvojës së tij dhe thotë se Kroacisë i duhet një president me karakter për Kroacinë me një qëndrim. Ai premton se si president do të qëndrojë kundër padrejtësisë, vjedhjes, dhunës dhe urrejtjes dhe do të luftojë për një shtet të rregullt.

Kantautori i njohur kroat, ish-deputet i HDZ-së dhe biznesmen me doktoratë në ekonomi, Mirosllav Shkoro, ka hyrë në fushatën presidenciale si kandidat i pavarur i mbështetur nga disa parti më të vogla. Slogani i tij është “Tani ose kurrë! T’ia kthejmë Kroacinë popullit”.

Ai mbështet forcimin e pushtetit të presidentit me kushtetutë, pasi mendon se ato janë të kufizuara. Shkoro u prezantua me pesë pika themelore, ku thotë se presidenti i Kroacisë ka të drejtë, në mënyrë të pavarur, pa miratimin e kryeministrit, të thërrasë referendum dhe të propozojë dhe zbatojë ligjin nëse populli e mbështet atë. Ai beson se presidenti duhet të jetë barazpeshë e oligarkive partiake dhe se duhet të ketë të drejtën të mbledhë dhe kryesojë në seancë të qeverisë, të vendosë veton ndaj ligjeve nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe të drejtën për të emëruar gjyqtarë kushtetues.

Deputeti kroat në Parlamentin Evropian (EP) dhe ish-gjykatësi i Gjykatës Tregtare, Misllav Kollakushiç, në programin e tij si pikë kryesore potencon luftën kundër korrupsionit. “Për Misllav. Ose Misllav, ose sidoqoftë!”, është slogani i tij.

Kollakushiç nuk ka faqe zyrtare, por në faqen e mbështetësve në Facebook ai përshkruhet si “kritiku më i flaktë, eksperti dhe argumentuesi më i madh i kastës politike në pushtet; si gjyqtar, ai ka kundërshtuar me forcë grabitjen para falimentimit dhe ekzekutimit, dhe sot, me mbështetjen e qytetarëve, pa bazë partie dhe pa asnjë para publike, është forca e tretë politike në Kroaci”.

Themeluesi i partisë “Muri i Gjallë” (Živi zid), me të cilën ka luftuar për vite me radhë kundër dëbimit të qytetarëve të përjashtuar, dhe deputeti, i cili është larguar disa herë nga kuvendi, Ivan Pernar, fushatën e ka bërë përmes rrjeteve sociale, ku ka një numër të madh ndjekësish. Ai u largua nga partia “Živi zid” gjatë zgjedhjeve për Parlamentin Evropian dhe formoi një parti të re me deputetin Branimir Bunjac.

Ai mbështet daljen e Kroacisë nga BE-ja dhe NATO, bën thirrje për mbështetjen e njerëzve që rrezikohen nga bankat dhe mbron legalizimin e marijuanës, ndalimin e produkteve të organizmave të modifikuara gjenetikisht dhe vaksinimin, si çështje e zgjedhjes së lirë. Ai pretendon se Banka Kombëtare Kroate (CNB) është një këmbimore dhe se shteti kroat pa sovranitet monetar është i ngarkuar me kredi. Ai kritikon publikisht mediat kryesore të Kroacisë me pretendimin se favorizojnë disa kandidatë presidencialë dhe se janë të njëanshëm në raportim, duke thënë se ai është kandidati i vetëm alternativë në këto zgjedhje.

Ish-kryetarja e komisionit për parandalimin e konfliktit të interesit, avokatja që punon në të drejtën penale dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, dhe drejtuesja e Partisë “Start”, Darija Oreshkoviç, ka dalur me sloganin “Presidentja pa maskë”. Në biografinë e saj theksohet se ka nisur procese ligjore kundër kryebashkiakëve, kryetarëve, ministrave, deputetëve, madje dhe vetë presidentes Kolinda Grabar-Kitaroviç. Me partinë, ajo doli në zgjedhjet e fundit për Parlamentin Evropian, në të cilat nuk arriti të fitojë mandat, dhe pas zgjedhjeve presidenciale, ajo paralajmëroi pjesëmarrjen edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

Kandidatja presidenciale e Frontit të Punëtorëve (RF) dhe Partinë Socialiste të Punëtorëve (SRP), Katarina Peoviç, është një ish-deputete në Këshillint e qytetit të Zagrebit. Në Fakultetin e Shkencave Humane dhe Shoqërore në Zagreb, ajo mbaroi letërsinë krahasuese dhe studimet në gjuhën kroate, ku mori gradën master dhe doktor. Ajo ka shkruar librat “Media dhe Kultura” dhe “Marksi në epokën dixhitale”, dhe si një kitariste ka qënë pjesë e grupit të muzikës “hevy metal”, “Maxmett”, kurse slogani i saj parazgjedhor ishte “Me Katerinën për shumicën e popullit”.

“Socializmi Demokratik i shekullit 21 është një vizion i një shoqërie ku ekonomia dhe prona do të mbizotërojnë gjithë shoqërinë, aktiviteti ekonomik do të zhvillohet në interes të plotësimit të nevojave të gjithë shoqërisë dhe ndjekja e fitimit privat do të zëvendësohet nga shqetësimi për standardet e jetesës, sigurinë e punëtorëve, shëndetin, arsimin dhe mirëqenien e shumicës”, thotë Peoviç.

Kandidati i Partisë Social Liberale Kroate (HSLS), Dejan Kovaç, u diplomua dhe mori doktoratën në Fakultetin e Ekonomisë në Zagreb, thirret në karrierën e tij të pasur shkencore dhe bashkëpunimin në ekonomi me shumë fitues të çmimit Nobel, është anëtar i Shoqatës Ekonomike Amerikane dhe Shoqërisë Ekonomike-Royal. Slogani i tij është “Ke një zgjedhje”, kurse ai thotë se si president, do të luftojë korrupsionin, do të ndërtojë një sistem zgjedhor më demokratik, do të inkurajojë reformën e ekonomisë dhe administratës publike dhe do të përmirësojë sistemin shëndetësor, arsimor dhe politik.

Regjisori Dario Juriçan ndryshoi emrin në Millan Bandiç në Ministrinë e Administratës, por për shkak të një apeli të avokatit të kryetarit të bashkisë, Millan Bandiç, vendimi për riemërimin e tij ende nuk është i plotfuqishëm.

Juriçan e filloi garën me një ton humoristik dhe ironik, duke pretenduar se kundërshtari i tij i vetëm është Millan Bandiç, megjithëse kryebashkiaku i Zagrebit nuk kandiodoi në këto zgjedhje. Juriçan pretendon se “Millan Bandiç mban në dorë parlamentin, kryeqytetin dhe pjesën më të madhe të Kroacisë”.

Kandidati presidencial i Aleancës Demokratike për Rinovimin Kombëtar (DESNO), Anto Gjapiç, ish-Shef i Shtabit të Forcave të Armatosura të Kroacisë, kreu disavjeçarë i Partisë Kroate të të Drejtave dhe ish-kryebashkiak i Osijekut, kandidon me sloganin “Për krenarinë e Kroacisë”. Gjapiç dëshiron të zgjerojë kompetencat e presidentit dhe të hartojë një kushtetutë të re, në bazë të së cilës nuk ka vende të paracaktuar për pakicat kombëtare në parlament. Ai propozon shtrirjen e kompetencave të Presidentit të Republikës së Kroacisë, mbi bazën e së cilës presidenti, përveç të tjerave, do të emëronte udhëheqjen e agjencisë të inteligjencës, ambasadorët dhe do të aprovonte planet e zhvillimit të ushtrisë kroate.

Ish-kryetari i Komunës së Klanjecit, Nedjeljko Babiç, lider i një partie kroate me rreth 23.000 anëtarë, gjithashtu garon për president me sloganin “Njeriu nga populli për njerëzit sot, për të nesërme më të mirë”.

Babiç thotë se ai është një njeri i popullit, kurse programi i tij elektoral përbëhet nga dhjetë pika. Disa prej tyre janë rivendosja e besimit në atdhetarinë e vërtetë, bashkimi i kroatëve të ndarë, ndryshimet në kushtetutë dhe ligjet, anti-globalizimi dhe rivendosja e sistemit gjysmëpresidencial.

Sipas shumicës së anketave të bëra, votuesit kroatë favorizojnë katër kandidatë presidencialë: Kolinda Grabar-Kitaroviç, Zoran Millanoviç, Mirosllav Shkoro dhe Misllav Kolakushiç, me parashikimet se asnjë nga kandidatët nuk do të fitojë në raundin e parë.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb