Nga PETRIT HALITI*

 

Kryeministri i Kroacisë, Zoran Milanoviç, rihapi një kapitull tronditës të kujtesës së Ballkanit, kur njoftoi në 28 nëntor se ai ka anuluar vizitën e tij në Beograd në muajin dhjetor. Arsyeja e një akti të tillë serioz diplomatik, si anulimi i një vizite kryeministrore, është se qeveria e Serbisë nuk është distancuar nga deklaratat e rrezikshme dhe agresive të ultranacionalistit Vojislav Sheshel, kryetar i Partisë Radikale Serbe, i akuzuar si kriminel ndërkombëtar lufte nga Gjykata e Hagës. Qysh kur erdhi në Serbi në 12 nëntor nga Haga, ku ndodhet i pandehur dhe përfitoi një lirim të përkohshëm për shkak të gjendjes shëndetësore, Sheshel ka zhvilluar një aktivitet të dendur politik me fjalime e mitingje, të mbushura me histerinë agresive nacionaliste të kohës së Millosheviçit. Në 18 nëntor, në ditën e përvjetorit të pushtimit të Vukovarit të Kroacisë nga ushtria serbe në 1991, Sheshel deklaroi se partia e tij “nuk heq dorë nga Vukovari serb dhe nga Republika Serbe e Krajinës dhe do të bëjë gjithçka që t’i bëjë ato pjesë të Serbisë së Madhe”.
Që një kriminel ndërkombëtar lufte të ngulet në fanatizmin e tij racist, politik dhe etnik, nuk është ndonjë habi. Habi është se përse qeveria e Serbisë nuk distancohet nga deklaratat e një kryetari partie politike serbe, e cila kërkon të rishpërthejë luftërat e përgjakshme etnike, që nisi në vitin 1991 regjimi i Sllobodan Millosheviçit, ku bënte pjesë edhe Vojislav Shesheli me bandat e tij çetnike vrasëse. Habia është se përse qeveria e sotme e Serbisë e lejon kriminelin ndërkombëtar të luftës, Sheshel, të zhvillojë lirisht veprimtari politike shoviniste, që nxisin urrejtjen kundër popujve të tjerë të rajonit. Habia është se përse qeveria e sotme e Serbisë lejoi organizimin e një pritjeje prej heroi për kriminelin ndërkombëtar të luftës, i cili është në pritje të dënimit, që do t’i japë Gjykata e Hagës vitin e ardhshëm.

Kroacia rihap kapitullin e rëndësishëm të mungesës së pendesës nga Serbia, e cila si shtet ndërmori katër luftëra të përgjakshme kundër popujve joserbë në vitet ‘90 dhe ende nuk ka reflektuar dhe nuk është distancuar nga krimet e përbindshme, që kanë kryer forcat ushtarake e policore serbe të Millosheviçit dhe të Sheshelit. Kërkesa e Kroacisë është e drejtë, jo vetëm si detyrim ndaj drejtësisë, jo vetëm si detyrim ndaj procesit të ripajtimit, por edhe si detyrim për të rivendosur një mirëkuptim dhe paqe reale në gadishullin e Ballkanit. Është e drejtë, sepse kujton që integrimi europian i Serbisë duhet të bëhet në plotësim të të gjitha detyrimeve, që rrjedhin nga kriteret e pranimit në BE, dhe në radhë të parë nga shkëputja totale e Beogradit prej politikës kriminale të urrejtjes dhe të shovinizmit etnik. Sipas qeverisë kroate, ndarja me të kaluarën kriminale është kriter ndër kryesoret e pranimit të Serbisë në BE, dhe ministri kroat i Drejtësisë, Orsat Miljeniç, paralajmëroi se Kroacia do të bllokojë hyrjen e Serbisë në BE, nëse Beogradi nuk plotëson këtë kriter themelor.

Kërkesa e Kroacisë rizgjoi politikën europiane për disa detyra historike të parealizuara të Serbisë dhe të qeverisë së saj të sotme, e cila nuk e ka bërë ende katarsisin e vet. Pikërisht se ato janë kërkesa të drejta, Parlamenti Europian miratoi në datën 27 nëntor rezolutën e posaçme, ku dënon ashpër gjuhën e urrejtjes dhe të shpifjeve për viktimat e luftës në ish-Jugosllavi dhe i kërkon Serbisë që të distancohet nga qëndrimet e shprehura prej Sheshelit. Rezoluta e Parlamentit Europian është një kambanë detyre për qeverinë e Serbisë dhe nuk ka asgjë kundër popullit serb, e mira e të cilit dikton shkëputjen sa më parë të çdo lloj lidhjeje me politikat dhe ëndrrat e përgjakshme millosheviçiane. Qëndrimi ndaj trashëgimisë kriminale të së kaluarës është guri i provës për një orientim real, dhe jo taktik e demagogjik, të Serbisë drejt Europës. Ky është një problem serioz për gjithë rajonin dhe ministrja e Jashtme e Kroacisë, Vesna Pusiç, njoftoi se vendi i saj do të kërkojë që të diskutohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Kroacia dhe Parlamenti Europian e vunë qeverinë e Serbisë në një pozicion pa “grimin europian”. Qeveria e Serbisë duhej të zgjidhte mes dënimit të gjuhës së urrejtjes dhe të politikës agresive të së kaluarës, të mishëruar në veprimtarinë e Sheshelit, dhe heshtjes apologjetike ndaj shovinizmit etnik të Sheshelit. Qeveria e kryeministrit Aleksandër Vuçiç zgjodhi të bëjë apologjinë e “heroit” të urrejtjes etnike. Kryeministri Vuçiç është vënë në pozitë të vështirë, sepse duhet të dalë kundër kryetarit të partisë së tij të mëparshme dhe të politikës ultranacionaliste të asaj partie, në një kohë kur Vuçiç ka qëndruar në udhëheqjen e asaj partie edhe pesë vjet pasi Shesheli u dërgua në Hagë si kriminel lufte. Detyra e kryeministrit Vuçiç nuk është e lehtë, sepse ai duhet të distancohet dhe të dënojë një politikë të qeverisë së Millosheviçit, ku ai vetë, presidenti aktual i Republikës, ministri i Jashtëm aktual dhe kryetarja aktuale e parlamentit, kanë qenë që të katër pjesë e garniturës qeveritare, që ndërmori luftërat etnike në ish-Jugosllavi. “Të gjithë këta njerëz kanë qenë në të njëjtën kompani politike në vitet ‘90″, – theksoi kryeministri i Kroacisë, duke tërhequr vëmendjen për të kaluarën, që qeveris sot Serbinë.

Ndaj nuk ishte e papritur që qeveria e kryeministrit Vuçiç reagoi me një histerizëm politik të paparë ndaj kërkesave dhe qëndrimit të drejtë të qeverisë së Kroacisë dhe të parlamentit europian. E gjithë udhëheqja e Serbisë u mobilizua me akuza e sulme kundër Kroacisë dhe kundër Parlamentit Europian. Kryeministri i Serbisë në 27 nëntor sulmoi Parlamentin Europian dhe e quajti rezolutën e tij “të motivuar nga hipokrizia ose dëshira për të dëmtuar Serbinë. Parlamenti europian është akomoduar drejt urrejtjes, ksenofobisë dhe fantazmave të së kaluarës”. Është vërtet skandaloze se si kryeministri i një shteti kandidat të BE, i cili madje po zhvillon bisedimet e pranimit për anëtar i BE, guxon t’i kundërvihet Parlamentit Europian me këtë gjuhë të papranueshme urrejtjeje. Kryeministri i Serbisë e di se pikërisht ky parlament i Bashkimit Europian ka në tagrin e tij të votojë pranimin e Serbisë në BE. Dhe ai, pa u menduar dy herë, në vend që të distancohet nga Shesheli, sulmon Parlamentin Europian me fjalorin e Sheshelit. Veprimi dinjitoz i kryeministrit të Kroacisë për të anuluar vizitën e tij në Serbi, është në mbrojtje të dinjitetit, të interesave të shtetit dhe të popullit të tij. Ai është dhe në respekt të nderit dhe kujtimit të viktimave të luftërave kriminale të Serbisë së Millosheviçit dhe të Sheshelit. Me këtë qëndrim kryeministri i Kroacisë jep një shembull klasik se si duhen mbrojtur interesat e sovranitetit dhe integritetit kombëtar, kur një qeveri apo parti politike e një shteti fqinj i nëpërkëmb ato apo rivendikon pjesë të territorit tënd.
Mesazhet që dalin nga akti diplomatik i kryeministrit kroat, janë shumëvalente. Ai është një mesazh i rëndësishëm në drejtim të BE. Kjo ka të bëjë me disa llogari të hapura, që Serbia ka lënë në raport me drejtësinë, me të kaluarën kriminale dhe me kriminelët, dhe me procesin e ripajtimit real me fqinjët e saj. BE ka ndjekur një politikë selektive të tolerancës dhe të indulgjencave specifike ndaj Serbisë, të cilën nuk e ka ndjekur me shtetet e tjera të rajonit, që aplikuan për anëtarësim në BE. Në këtë kuadër, BE ka bërë sikur nuk e ka parë që Serbia ende nuk ka kërkuar falje për gjenocidin në Kosovë. BE ka bërë sikur nuk e ka parë që garnitura e sotme qeveritare në Serbi është pjesë e ekipit qeveritar të Millosheviçit. BE ka bërë sikur nuk e ka parë, që udhëheqja serbe e sotme nuk e ka dënuar zyrtarisht politikën kriminale të Millosheviçit, dhe që qeveria e sotme ka glorifikuar dhe promovuar kriminelët e luftës. BE ka bërë sikur nuk e ka parë, që Serbia po integrohej me Rusinë më shumë sesa me BE-në, qysh para krizës në Ukrainë. BE madje bëri sikur nuk e pa, që qeveria e Vuçiçit dhe e Nikoliçit ftoi në datën 16 tetor 2014, në paradën e madhe ushtarake të organizuar për nder të presidentit rus, tre kriminelë ndërkombëtarë serbë të luftës. Veprimi i Kroacisë i tregon Europës se llogaritë e pambyllura të kriminelëve serbë të luftës janë një hipotekë e rëndë për procesin e paqes, të ripajtimit dhe të integrimit europian të shteteve, që dolën nga ish-Jugosllavia. Presidenti i Kroacisë, Ivo Josipoviç, iu drejtua Europës me thirrjen: “Unë pres Europën t’i thotë këtij xhindi të dalë nga shishja, xhind i nacionalizmit agresiv dhe i shovinizmit, i cili është rishfaqur, se nuk ka vend në hartën politike europiane”.

Vendimi i kryeministrit kroat është një mesazh i rëndësishëm në drejtim të vendeve të Ballkanit. Ai dëshmon se dosjet e marrëdhënieve dypalëshe duhet të kenë adresime dhe përcaktime të qarta. Nëse qeveria e një shteti fqinj nuk distancohet nga krimet, që kanë kryer qeveritë paraardhëse para pesë apo pesëdhjetë vjetësh, kjo do të thotë se ajo qeveri i ruan me dashuri skeletet e krimit në dollapët e saj. Sensibiliteti, që Zagrebi i dha çështjes së retorikës së luftës dhe të rivendikimeve territoriale, që vijnë nga Serbia, dhe acarimi i ri i marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, janë një tregues i nevojës dhe i seriozitetit për të diskutuar thellë problemet e hapura ndërballkanike, përtej boshësisë dhe xhirimit në vend të tezave idiote ballkanike mbi “konstruktivitetin apo moderacionin”, të cilat vijnë vërdallë nëpër 42 nismat e organizimet rajonale pa zgjidhur asgjë.
Qëndrimi i kryeministrit kroat është edhe një mesazh kuptimplotë për qeverinë e Kinës. Kryeministri kroat e anuloi vizitën në Beograd, ndonëse samitin e 16 dhjetorit atje me 16 kryeministra të vendeve të Europës Qendrore dhe Jugore e organizon qeveria kineze. Kroacia i dërgon një sinjal të qartë Pekinit, se nuk ka bërë zgjedhjen e duhur për caktimin e Beogradit si vend i mbledhjes së 16 kryeministrave për të diskutuar projektet kineze në Europë. Kina mund ta klasifikojë Serbinë si aleaten e saj të vetme strategjike në Ballkan dhe si i vetmi shtet, me të cilin ka nënshkruar një marrëveshje partneriteti strategjik. Por kjo nuk e bën Serbinë një qendër të pranueshme dhe efikase të realizimit të projekteve kineze në këtë rajon. Ambasadat kineze në rajon duhej ta kishin informuar qeverinë e tyre se Serbia ka mosmarrëveshje të mëdha dhe përplasje të mprehta me disa shtete në rajon dhe kjo është një rrethanë jo inkurajuese për strategjinë kineze në rajon.

Vendimi i kryeministrit kroat për të thënë dhe mbrojtur të vërtetën kombëtare dhe rajonale, vjen si një mësim në kohën e duhur edhe për disa grupe levantinësh në Tiranë dhe në Prishtinë, të cilët, me filozofinë e tyre të kozmopolitizmit rural i sugjerojnë vazhdimisht Shqipërisë kursin e servilizmit dhe të përuljes ndaj Serbisë. Në dritën e sjelljes së Kroacisë duket më qartë mjerimi i qëndrimeve si ato, që u shfaqen nëpër disa ekrane dhe media në Tiranë apo në Prishtinë, se Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, veproi gabim pse kërkoi njohjen e Kosovës në Beograd. Madje disa atdhehumbur në Prishtinë arritën deri atje sa ta kritikonin se, duke folur për Kosovën, Kryeministri i Shqipërisë ndërhyri në punët e brendshme të Serbisë(!). Levantinët e Tiranës dhe të Prishtinës, që vuajnë nga kompleksi i inferioritetit jugonostalgjik, kërkojnë ta mbajnë shtetin shqiptar në statusin e rajasë, që ka gëzuar deri tani në marrëdhëniet me Serbinë.
Kroacia, shteti dinjitoz anëtar i BE-së dhe i NATO-s, po ia tregon Europës Serbinë ashtu siç është në mëngjes, pa grim europian. Kroacia e kupton se BE-së i duhet bërë e qartë vazhdimisht që po bisedon për të bërë anëtar një shtet si Serbia, e cila nuk është shkëputur ende nga e kaluara e saj tragjike dhe e hidhur. E kaluara dhe fantazmat e saj banojnë në pallatet qeveritare në Beograd dhe qeverisin Serbinë.

(o.d/ Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb