Kroacia mund të jetë kundërshtari i Shqipërisë në mars, ndaj së cilës do të inaugurohet edhe stadiumi i ri në Shkodër. Ishte menduar Turqia si ekipi i parë kundërshtar që do të shkelte në tapetin e impiantit të ri.

Në ditën e hedhjes së shortit për Europianin trajneri De Biasi bisedoi personalisht me trajnerin turk Fatih Terim, si dhe drejtuesit e federatave rreth mundësisë për të zhvilluar një miqësore.

Duke qenë se nuk është marrë ende konfirmimi zyrtar nga federata turke, burime pranë FSHF-së për gazetën “Panorama Sport” bëjnë me dije se po zhvillohen bisedime që të jetë Kroacia kundërshtari i parë i kuqezinjve në mars.

Momentalisht është shtruar tapeti i fushës, si dhe ka nisur puna për vendosjen e mbulesës së tribunës qendrore dhe po ashtu edhe për fasadat e xhamit. Natyrisht që ka ende shumë punë, por brenda dy muajsh gjithçka mund të zgjidhet dhe stadiumi “Loro Boriçi” të inaugurohet në mars me një ndeshje të Kombëtares sonë.

Ky impiant pritet që të ketë një kapacitet rreth 17 000 vende, me një kosto të përafërt me 12 milionë euro. Drejtues të FSHF-së kanë bërë me dije që ai do të përfundojë në fund të muajit shkurt nëse punimet do të ecin me ritmin e duhur.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: