Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Kroacisë ka vendosur që ambasadori i këtij vendi në Suedi të mos marrë pjesë në ceremoninë e nesërme të ndarjes së çmimit Nobel në Stokholm.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Kroacisë ka vendosur që ambasadori i Kroacisë të mos marrë pjesë në ndarjen e çmimit Nobel në Stokholm, për shkak të ndarjes së çmimit për personat e angazhuar politikisht në mbështetjen e politikës së madhe serbe të Sllobodan Millosheviçit në vitet e 90’ta të shekullit të kaluar”, tha ministria kroate në twitter.

Përveç Kroacisë, po ashtu edhe Kosova, Shqipëria dhe Turqia njoftuan se nuk do të marrin pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimit Nobel në Stokholm, për shkak të fituesit të diskutueshëm të çmimit Nobel për letërsi, Peter Handke.

Peter Handke

Shkrimtari austriak Handke ka lindur në vitin 1942 në fshatin Griffen në rajonin Karnten në jug të Austrisë. Nga viti 1961 ai ka studiuar për drejtësi në Universitetin e Grazit. Por i ndërpreu studimet disa vjet më vonë kur e publikoi novelën, “Die hornissen”, në vitin 1966.

Përzgjedhja e Handke-s si laureat i Çmimit Nobel për Letërsi për vitin 2019 shkaktoi reagime në rajon dhe më gjërë.

Handke i cili ishte një admirues i madh i Millosheviqit, në një shkrim të publikuar gjatë luftës në Kosovë, kishte shkruar “Nëse mbështetni serbët, çohuni në këmbë”.

Autori austriak kishte theksuar se asnjëherë nuk beson se serbët kanë kryer gjenocid në Srebrenicë.

Ai gjithashtu kishte vizituar në burg Milloseviqin dhe kishte bërë përpjekje për të dëshmuar në favor të tij.

Handke poashtu kishte marrë pjesë në varrimin e Millosheviqit në vitin 2006, ku në fjalim ishte shprehur se “Këtu gjendem për Jugosllavinë, Serbinë, Sllobodan Millosheviqin”.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb