Sot luhen dy nga 4 përballjet deçizive për të përcaktuar 16 skuadrat finaliste të Europës në Kupën e Botës “Rusi 2018” e cila mbahet në qershor-korrik të 2018.

Në Zagreb, ekzaktësisht në stadiumin “Maksimir” ku luan edhe Dinamo e Zagrebit, Kroacia do të presë në orën 20:45 Greqinë e cila është cilësuar si ‘macja e zezë’ e saj. Greqia ka humbur vetëm një ndeshje zyrtare në përballjet me kroatët, atë të 30 prillit të vitit 1997, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit të vitit 1998. Gjithsesi sonte përpara 35 mijë tifozëve kroatët me shumë yje në ekip si Modriç, Perisiç, Manxhukiç e të tjerë do të përpiqen të ndryshojnë historinë.

Greqia u rendit e dyta në grupin H, pas Belgjikës, një vend që e siguroi vetëm në ndeshjen e fundit pas fitores 4-0 ndaj Gjibraltarit.

Në ndeshjen tjetër që do të luhet në Belfast, Irlanda e Veriut – e renditur e dyta në grupin C pas Gjermanisë, – do të kërkojë t’ia vështirësojë gjërat Zvicrës së shqiptarëve të drejtuar nga Petkoviç, të cilët u parakaluan vetëm në ndeshjen e fundit nga Portugalia, në ndeshjen vendimtare ku triumfuan kampionët e Europës në fuqi.

Irlanda e Veriut dhe Zvicra nuk janë vënë përballë njëra-tjetrës që nga 18 gushti i vitit 2004, kur luhej një sfidë miqësore. Në atë kohë, përballja përfundoi me barazimin 0-0.

Përsa i përket bilancit për ndeshjet zyrtare, këto dy skuadra nuk kanë luajtur kundër njëra-tjetrës që nga viti i largët 1964, në kualifikueset për Botërorin e 1966-s. Në atë kohë Irlanda e Veriut fitoi 1-0, ndërsa ndeshja e kthimit u fitua nga zviceranët 2-1, me këtë të fundit që siguroi vendin e parë në grup.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb