Deputeti Agron Gjekmarkaj, ka përshkruar me anë të një analize satirike atë që ndodhur në mocionin me debat në Kuvend ditën e enjte.

Analiza:

Kryengritje e madhe, sulme, kundërsulme, mbrojtje, tym, flakë priteshin të enjten po pasdite gjeje pak këmbe njeriu në Kuvend.
Me Xhelalin dhe Fluturën e paqtuam stomakun me një supë të ngrohtë, e cila na e gëzoi midenë e na zvogëloi hallet.
Sa here Kamza hynte në bisedë, qerratai bëhej melankolik si poet. Ja hoqën nga dora dreqërit, e kishte të fituar. Esmerllëku i pikas një mërzi qivuri.
Salianji tha po ik! Po ku kështu me kaq nxitim more i uruar e njeri i mirë, thashë? Eeeee tha po kërkoj doktor! Po ngase ankon? Jam turbulluar tha, mendoja që vetëm unë jam njeri perëndie, këtu me duken të gjithë njerëz të ndershëm, të paqtë, të urtë e të mençur, të drejte po e po, ndaj t’i jap një të shtrënguar fiqirit. Mos humb kohë e inkurajova , ik me vrap.
Çyrbja ishte bërë një me dhimbjen si monument tragjedish antike. Ajo ishte ngurosur në portret. Nuk e priste kurrë që Babo nuk do të ulej në krahun e tij, por shkoi dhe ku pa, në mes të atyre qafirve që zemrën i kanë thyer me vickla. Sidomos Braçe qaramani që donte të binte në sy se po i rri pranë në ditë të keqe, ndërsa ai në të ëmbla e të tharta ditë gati për theror. Nuk kishte në krah as Enin për mbështetje psikologjike. Elvis Xhoxhi i dërgoi një sms që e qetësoi disi! “Babo po sillet si Mao, ulet në mes të liberalëve për të kuptuar kush janë konservatoret dhe me pas tek ata për të gjetur liberalet. E holle kjo punë”. Me Babon afër Etilda u gëzua ndjeshëm, buzëqeshi ëmbël, pa dalldi, por mori kurajo për të mbajtur një fjalim historik kundër opozitës. Unë e ndjek zonjën Etildeë me respekt për limfën retorike, po të enjten ula kokën mos me përcëlonte zjarri i llafit që lëshonte.
Po ashtu edhe e dashura Anila Denaj na bëri zap. Nuk dini ç’është e mira, e bukura, marifeti e lezeti ndaj humbisni qe ideja. Shikoni majtas dhe i gjeni.
Ermonela gati u përgjum teksa ëndërronte që Lindita të shfaqej sa më vonë për ta zëvendësuar ose të mos kthehej më kurrë. Por teksa Ermua po puliste sytë gati në ëndërr, Lindita u shfaq dhe një “erdha” e thatë u ndie në ajër.
Qysh nga ora 16 Kosta i Gramozit dhe Linditës i qeshur si fluturak, shend e verë lodronte atyre ujdhesave. Na pa perëndia tha, ja hodhëm paq. Nuk ndjeu më nevojën të maskohej. Një kostum birinxhi e një kollare dukeshin një me fytyrën që i shkëlqente nga relaksi. Përjetonte triumfin me përvujtni.
Dy duduma ngarkoheshin haptaz me ushqime, ilaçe e dru zjarri, kandila, qirinj të cilat Kostaqi i kishte sjellë duke menduar darkën e fundit. I vinte pak keq për lodhjen, por kur mendonte sa gëzim e siguri i kishte sjelle Babos e Kryetares, i bëhej zemra Korab dhe mundimet i dukeshin detyrë e shenjtë. Genc Gjonçaj ndonqse mbajti mbi supe soba e dyshekë nuk pranoi ta ndihmonin, pa gëzimin e Kostës nuk pranoi t’i kthenin mbrapsht. Ti lëmë tha “jeta na ka mësuar që historia përsëritet”. Qofte lëvdue Babo gjithmonë e jetës dhe doli nga skena.
Nasip Naço pat më të vështiren detyrë. Ai mbajti një fjalim të thellë si gjithmonë por edhe të pazakontë. Nasipi i fliste opozitës dhe e dëgjonin karriget e saj.
Nuk kishte më aty opozitarë. Fol Nasipi qaj karriget. Bërtit ai dridhu ato. Qorto ai djersitu ato. Fol për vizione Nasua tund kokën ato. Po ky qe fundi. Më pas foli Margeriti me shikimin blu mbi kamer, ku gjerdani me metafora në dy anët e paradoksit i lidhej duke rrethuar me atë arsyen si robinjë.
Më parë kur iku Babo ikën dhe ministrushët e ministreshat.
Kishin hequr, ishin lodhur e dridhur. Hëë , si zë që del nga Xheneti Babo i bëri rezil kur erdhi. Vërtete Babo e ka zemrën e madhe e mirësinë oqean, po të vijë aty e karriget bosh na ra rëndë edhe neve të opozitës. Ndaj nuk na u dhimbsen shumë kur ua shëtiti dorën.
S’kishte faj Ulsiu që në korridor bërtiste “dua të vdes, dua të vdes” veç kur i thane që Babo të ka falur u shfaq i ringjallur.
Ndaj u ngritën me vrap, në ikje e sipër rrezuan karriget.
Aman gëzimi i Perëndisë ta shihje Tezen me Delinën si ja qiten djerset e dekës Bardhit kamerierit. Byreeek bërtit Tezja, vrapoooo, dhallë vikat Ibrahimi, jepiii. Rend Bardhi i shkretë. Ëmbëlsirë lypte Tezja teksa me thonj kruante dhëmbet nga copat e petave e llop llop mbllaçitej, ujë rënkonte Delina. Ha e ha, ha e ha u bënë kaba. Reçel lypte Tezja, revani Delina.
Nuk ishte parë kurrë një uri kësodore.
Niko nikoqiri kishte marre bukë me vete të mbështjellë me gazetë. Nja 40 minuta s’i foli askujt, Arben Pllumbi priste me durim, po veç hëngri me oreks, pastaj piu gjysëm shishe ujë lëshoi një eh, fërkoi barkun dhe një buzëqeshje si rreze dielli e përshkoi tej për tej.
Damo me Taon ishin ulur në skaje duke i kthyer bujarisht shpinat njëri-tjetrit si Lek Dukagjini me Lekë Zaharinë te filmi i Skënderbeut në dasëm.
Teta Gerta kishte dilema filozofike.
Ajo pyeste sikur e gjindur ndërmjet Polifemit dhe Odiseut! Kush është Dikushi dhe Askushi? Bora i tha: Babo është dikushi, ne jemi askushi! Teta Gerta i tha uaaaa e gjete. Bora pllaquriti duart gjithë gëzim, e gjeta, e gjeta thërriste e lumtur për të arritur në konkluzionin që jemi njerëz me koncepte të qarta. Olta tymosi gjithë ditën seriozitet e heshtje.
Elisa mungoi ca, por u kthye. Tani nuk ha me byrek në akçihanen tonë. Ja zumë në fyt ikën e merr dhenë. Qëkur e ka lavduar Babo ndihet me e sigurt, por edhe më modeste. E di ajo, nuk i merr koka erë, se Babo ta jep e Babo ta merr lavdinë. Bela nuk doli nga balada e saj pos një herë. Kur Kostandini të kthehet se si çfarë e pret gëzimi apo mërzia. Jorida ndenji gjatë, pastaj me vendosmëri iku drejt vetvetes me ndjesi sakrifice si gjithmonë.
Dash Sula gjithnjë e më tepër i ndërdyzur të bëhet ideolog apo të mbetet estet duke ndier zezonat në ajri mbështillet në golf të zi. Sajme Koreshi mërzitet me gjithë çfarë sheh dhe gëzohet me ato që mendon Gaz Bardhi. Alibeaj pi duhan në qoshen e tij, në boten e vet, i pashqetesuar nga zhaurima e botes tjetër për të. Tymin ia ndjek me shikim këshilltari im Dori dhe njeriu i mirë Patrik.
Se di në është kronika e fundit pas vendimit të gjykatës dje! Druaj e rrebeshet nuk do kenë të ndalur. Stina po afrohet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: