“Përdor lapsin për të numëruar se sa njerëz me kanë vdekur!”

Kjo ishte fraza që më la pa fjalë teksa takova dhe intervistova Sadri Cakonin, i cili humbi 9 anëtarë nga familjarët e tij!

Ai akoma nuk e besonte se ata nuk ishin më! Vërtet është e pabesueshme!

Rrëfimi i Sadriut kalonte çdo dramë dhe dhimbje të treguar ndonjëherë, çdo fjalë e tij ishte sikur ta kishte shkruar Migjeni.

Ai nuk po tregonte mjerimin por tragjedinë, katastrofën që tronditi shqiptarët.

Plaga që la Thumana e Durrësi në këtë nëntor nuk do të harrohet kurrë.

Bujar Çuka më tregonte se nuk mund të jetojë më mbi varret e gruas dhe të djalit të tij. Për të Thumana ishte kthyer në një varr masiv prej të cilit ai donte të largohej sa më parë dhe të ruante vetëm kujtimet e bukura për dy të dashurit e tij dhe nuk donte ta kujtonte me atë çast tmerri, teksa lotët nuk i përmbante.

Femi Vata në të ’70-at, me rrudhat në ballë dhe me një sinqeritet prej fëmije me ka prekur jasht mase. Lotonte për Roledin, nipin që kishte humbur! Qante për gruan e tij e cila sakrifikoi jetën e vet për të shpëtuar nipin tjetër Santiljanon.
Ai ndihej i vetmuar, nuk kërkonte asgjë, kishte nevojë vetëm për ngushëllim, për një fjalë të ngrohtë!

Dorian Greku më tregonte se nuk do t’i harronte kurrë fytyrat e prindërve dhe të vëllait të cilët shtegtuan për në botën tjetër të gjithë bashkë.

“Edhe pse nuk janë midis nesh unë i kam gjatë gjithë kohës parasysh, s’kanë për të qenë të humbur asnjëherë për mua!”, thoshte Doriani teksa buzët i dridheshin nga dhimbja.

Ndërsa Klotilda me humbjen e bashkëshortit, humbi edhe buzëqeshjen.

Për momentin gjërat janë shumë të vështira, ata humbën familjarët, kanë mbetur në qiell të hapur, nuk kanë ku të jetojnë.

U duhet të vazhdojnë një jetë prej fillimit sepse në fund të fundit pavarësisht gjithçkaje jeta vazhdon. Jetë të tjera do lindin, do të rriten dhe do ta kujtojnë përherë tragjedinë e Thumanës.

Thumana nuk kishte parë kurrë më parë një tragjedi të tillë.

Sadri Cakoni, Bujar Cuka, Femi Vata, Dorjan Greku ishin katër personat qe më kanë prekur më shumë, teksa raportoja mbi tragjedinë e nëntorit ku tërmeti shkaktoi vitkima të shumta dhe dëme të mëdha materiale në Thumanë dhe Durrës.

A do të rimëkëmbet më Thumana? Sigurisht që po! Gjithë kjo mbështetje, gjithë ky solidarizim, do të bëjë të mundur që të ringrihemi sërish, ta vazhdojmë jetën aty ku e lamë me 26 nëntor 2019. Ato që ikën nuk kthehen, por ne kemi në dorë të ndërtojmë të ardhmen tonë.

Një aksion të tillë humanitar nuk ishte parë ndonjëherë në vendin tonë. Një aksion humanitar ç’ka bëri që të gjithë të kthejnë sytë drejt një emsioni televiziv dhe të varin shpresën e tyre tek një person si Elvis Naçi, një aksion humaniar ç’ka bëri që shteti të kërkojë mbështejen e tij.

Pa dyshim që po jetojmë në kohëra të çuditshme, si kjo e COVID-19, por historia ka treguar se qeniet njerëzore kanë ditur t’ia dalin gjithmonë mbanë, e do t’ia dalim edhe kësaj here.
Situata e shaktuar nga koronavirusi po vonon edhe rindërtimin e Thumanës, por ai do të vijë shumë shpejt.

Ndërsa “Shqiptarët për shqiptarët”, vijon misionin e tij humanitar, në ndihmë të atyre që nuk ka një mundësi, nuk u është dhënë asnjëherë më parë, e zëri i tyre nuk është dëgjuar nga askush.

Është fakt që ky emision televiziv, i shndërruar tashmë në një mision njerëzor me mbështetjen e miliona shqiptareve në mbarë botën po sjell ndryshimin. Po sjell atë që s’është parë në këto 30 vjet, ndihmën dhe mbështetjen ndaj një populli të përvuajtur që gjatë gjithë këtij tranzicioni të stërzgjatur të demokracisë vetëm e kanë zhvatur.

Kjo është një bamirësi që duhet të duartrokitet. Për të gjithë skeptikët dhe moralistët që mbrojnë çmendurisht “bamirësinë e fshehtë” dhe kurrë nuk e fusin doren në xhepin e tyre. Kjo është një bamirësi që përkthehet në besim, shpresë dhe ndihmë konkrete për bashkombasit tanë.

Kjo është një bamirësi që duartrikitet çdo të premte mbrëma në emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët”, duartrokitet nga çdo shqiptar që e do vendin e tij, që qëndron pas ekranit dhe përlotet me vuajtjet e tjetrit dhe i dhemb shpirti për to.

Kjo është një bamirësi e tillë që ka bekimim dhe lutjen e nënave, ka shpresën e jetimit, ka shërimin e të sëmurit, strehimin e të varfrit, edukimin e brezit të ri.
Padyshim që kjo është një bamirësi për t’u duartrokitur!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb