KRUJE- Sektori për Krimet Kompjuterike në Krujë ka arrestuar sot një shtetas me akuzën e Ndërhyrjes së padrejtë në jetën private dhe atë të Përndjekjes. Strukturat e Sektorit për Krimet Kompjuterike, pas kryerjes se veprimeve hetimore të shpejta dhe të menjëhershme, kanë realizuar me sukses operacionin policor për arrestimin në flagrancë të shtetasit: Bujar Haka, 28 vjeç, lindur dhe banues në Rinas-Krujë, i padënuar më parë.
Arrestimi i këtij personi, u bë për arsye se, me anën e veprimeve të përsëritura gjatë një periudhe disa mujore, i arrestuari, ka kërcënuar dhe ngacmuar shtetasen me inicialet D.Gj., nëpërmjet dërgimit të mesazheve elektronike me përmbajtje të paligjshme nga aplikacioni kompjuterik “Viber”, duke i shkaktuar të dëmtuarës një gjendje të vazhdueshme dhe të rëndë ankthi dhe frike për sigurinë vetjake, me qëllim për t’a detyruar atë të vazhdonte një lidhje të ndërprerë.
Gjithashtu, i arrestuari ka krijuar në mënyrë të paligjshme profile në rrjetet sociale në Internet në emër të të dëmtuarës, duke shkelur të drejtat personale dhe të privatësisë së saj. Në cilësinë e provës material, u sekuestruan dy aparate telefonike mobile si dhe një pajisje kompjuterike laptop me të cilën i dyshuari ka kryer aktivitetin e paligjshëm.
Në ngarkim të të arrestuarit, u kryen veprimet proceduriale për veprat penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private” dhe “Përndjekja”, parashikuar nga nenet 121 dhe 121/a paragrafi i dytë i Kodit Penale, të cilat ju dërguan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: