Kryeministri Edi Rama, një pjesë të mirë të bashkëbisedimit të sotëm me komentuesit në Facebook. ia kushtoi arrestimit të djeshëm të kryebashkiakut Erion Veliaj. Kreu i qeverisë u shpreh se kryebashkiaku Veliaj dhe bashkëshortja e tij po trajtohen si kriminelë, kur krimet e pretenduara nuk janë provuar ende, në mungesë të një gjyqi.

Rama tha se ka mungesë uniformiteti në trajtimin e rasteve, pasi për raste të tjera nuk janë marrë këto masa sigurie., duke kujtuar faktin që Veliaj ka edhe një fëmijë vetëm 6-vjeç, i cili momentalisht ka nënën në “Arrest shtëpie” dhe babanë në qeli.

“Në këtë proces pas 5 vitesh institucionet kanë krijuar një vetëbesim të plotë dhe u ka munguar kritika konstruktive.

I nisur nga një novelë, dorëzuar shkurtin e kaluar në SPAK që ka pjellë një roman 4000 faqe ku prokurorët dhe gjykatësit paraprakë kanë arritur që edhe nënën me fëmijën 6 vjeç ta lënë në “Arrest shtëpie” kur babanë e kanë çuar në qeli.

Kush e merr dhe e sjell këtë fëmijë nga shkolla, si i jepet për të ngrënë etj.

Kemi pasur edhe raste të tjera ku për 1001 arsye janë trajtuar ndryshe. Mungesa e uniformitetit që merren dhe trajtohen si kriminelët e kriminelëve Veliaj, Xoxe dhe fëmija 6-vjeç, ka një peshë të tillë që nuk duhet folur pa u zbardhur krimet që e paskan lënë Tiranën pa kryetar bashkie, pa gjyq. Flas për krimet e provuara, jo ata nga gojët e ndyra. Më thonë bëhu burrë e jep dorëheqjen. Për çfarë arsye ta jap?”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb