VLORE – Dritan Leli sulmon Gjikën për kaosin që la në qytetin e Vlorës. Kryebashkiaku i ri, pak javë pasi mori zyrtarisht detyrën, theksoi se ka trashëguar një qytet me probleme të shumta në infrastrukturë dhe kanalizime tejet të dëmtuara. Leli zhvilloi dje një takim për marrjen e masave në rast përmbytjesh, ngjarja më e fundit javën që shkoi, kur qyteti u mbulua nga uji, si në stinën e dimrit. Kryebashkiaku akuzoi paraardhësin, për dhënien pa kriter të lejeve të ndërtimit, konkretisht mbi rrjetin e kanalit ujëmbledhës. “Kreu i bashkisë dhe administrata e saj e kanë lënë Vlorën në mëshirën e fatit; janë zënë sipërfaqe të tëra lulishtesh, janë ngritur pallate shumëkatëshe sa hap e mbyll sytë, ku shumë prej tyre janë ndërtuar mbi kanalizime të ujërave të bardha dhe të zeza, jashtë çdo rregulli urbanistik. Pasojat e kësaj katrahure po i vuajnë sot qytetarët e Vlorës”, u shpreh në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak, Dritan Leli. Pa kaluar disa ditë, pasojat u shfaqën konkretisht, kur reshjet e shiut në mes të verës shkaktuan përmbytje të shtëpive dhe bizneseve, ndërsa e bënë qytetin në pikun e sezonit në gjendje të mjeruar. Pas bërjes publike të këtij fakti, kryebashkiaku deklaroi se do të kenë prioritet situatat problematike. Sipas tij, duhet të nisë puna sa më shpejt për ta nxjerrë Vlorën nga situata e vështirë ku është futur. Kryebashkiaku Leli ka kritikuar Bashkinë e Vlorës dhe paraardhësin e tij Gjika edhe gjatë fushatës elektorale, në mbledhjen e Këshillit të Bashkisë, si dhe në takimin e djeshëm, për borxhin e lënë, për lejet e dhëna jashtë rregullave urbanistike, për zaptim të lulishteve dhe gjelbërimit ku janë ndërtuar pallate shumëkatëshe. si dhe për mungesë investimesh në rrugët e shkatërruara të qytetit të Vlorës. Leli vazhdimisht ka qenë kritikues ndaj punës së dobët që ka bërë kryetari Gjika dhe administrata e bashkisë ndër vite, pavarësisht se ai është i zgjedhur nga Partia Socialiste, ashtu siç ishte për 12 vite dhe Shpëtim Gjika. “Bashkia e Vlorës trashëgon një borxh prej 1 milion eurosh. Janë punë të papaguara, ndërkohë që e bënë të vështirë situatën financiare të Bashkisë së Vlorës për investime të mëtejshme për këtë vit”, paralajmëroi kryebashkiaku aktual. Akuzat ndaj Gjikës, Leli i bëri ndërsa konfirmoi rinisjen e punimeve të Lungomares në muajin shtator. Ai takoi përfaqësuesit e studios projektuese, duke theksuar se punimet ndërpriten për shkak të sezonit turistik dhe lëvizjeve të shumta të pushuesve dhe ato do të nisin më 15 shtator. Këto punime do të alternohen nga pjesa e tri parkimeve dhe ajo afër detit. Duke folur për rëndësinë e projektit, Leli tha se: “Studio ‘XDGA’, e cila është përzgjedhur në mesin e pesë firmave konkurrente në Vlorë, ka një projekt madhështor për Vlorën, që do t’i ofrojë këtij qyteti turistik bregdetar zhvillimin e mëtejshëm të turizmit vlonjat”.
(er.nu/panorama/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: