Pas analizës që iu nënshtruar kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla, ku rezultoi se nuk ishte përdorues droge, vjen një reagim nga Partia Demokratike. Përmes një postimi në ‘Facebook’ ish-deputeti i PD-së Flamur Noka me ironi thekson se nuk është ashtu siç duket.

Në këtë linjë Noka shkruan se “policia shkencore e Sandër Lleshajt, i emëruar nga Edi Rama, iu përgjigj: “Nuk është ashtu siç duket. Kryebashkiaku që lëviz kokën nga e majta në të djathtë duke thithur me hundë një lëndë të ndarë në viza të bardha, nuk po konsumon kokainë.”

Mes të tjerash Noka pyet Ramën se çfarë merret tjetër me hundë, përveç kokainës. Lefter Alla iu nënshtrua hetimeve nga ana e SPAK-ut, pas akuzave të Partisë Demokratike ku sipas saj shfaqej në një video duke pirë kokainë.
REAGIMI I NOKES
“Nuk është ashtu siç duket”

Skena që kemi parë është kjo: kryebashkiaku i Bulqizës, me anë të një karte, bën gati 2-3 viza të holla te bardha në një pjatë. Ul kokën, thith me hundë nga e majta në të djathtë masën e bardhë të përgatitur.

Pyetjes se çfarë po thithte kryebashkiaku i Bulqizës, qytetarët iu përgjigjën: kokainë.

Pyetjes a po merrte kokainë kryebashkiaku i Bulqizës, i emëruar nga Edi Rama, policia shkencore e Sandër Lleshajt, i emëruar nga Edi Rama, iu përgjigj: Nuk është ashtu siç duket. Kryebashkiaku që lëviz kokën nga e majta në të djathtë duke thithur me hundë një lëndë të ndarë në viza të bardha, nuk po konsumon kokainë.

Për të shpjeguar këtë arritje të re të policisë shkencore të Edi Ramës, duhet të na vijë në ndihmë Edi Rama. Ai duhet të na ndihmojë me përgjigjen e pyetjes: Përveç kokainës, çfarë merret tjetër me hundë dhe ngjan me një vizë të bardhë?!

Po SPAK si e priti këtë rezultat? Ashtu siç e kishte llogaritur: nuk është ashtu siç duket. SPAK urdhëroi analizat e urinës, që tregojnë gjurmët e kokainës maksimumi deri në 2 javë pas konsumimit të fundit, në vend që të urdhëronte testin me fije floku, që tregon gjurmët e kokainës, edhe kur ajo është konsumuar prej vitesh.

“Nuk është ashtu siç duket”- është moto me të cilën qeveris Edi Rama, edhe kur e kapin në flagrancë me kokainë, edhe kur e kapin duke vjedhur vota, edhe kur e kapin duke vjedhur me tendera e koncesione.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb