Ambasadorja e Kinës, Jiang Yu dhe Kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, zhvilluan një vizitë zyrtare në ambientet e kompanisë më të madhe të naftës, Bankers Petroleum. Kompania, e cila operon për më shumë se 15 vitesh në fushën e naftës së Patos-Marinzës, që nga viti 2016 është blerë nga kompania kineze Geo-Jade.

Gjatë bisedës, drejtori ekzekutiv i Bankers, Xingyun Sun konfirmoi se aksionerët e rinj të kompanisë kanë plane ambicioze për kompaninë dhe prandaj për vitin e ardhshëm investimet do të rriten ndjeshëm.
“Për vitin e ardhshëm ne kemi planifikuar mbi 150 milionë dollarë amerikanë investimesh, që do të thotë më shumë prodhim, më shumë të ardhura për ne, por edhe për qeverinë lokale dhe qendrore”, tha zoti Sun.
Ambasadorja e Kinës vlerësoi bashkëpunimin institucional midis kompanisë dhe Bashkisë dhe theksoi se kjo marrëdhënie do të intensifikohet në të ardhmen. Zonja Ju theksoi se investimet kineze në Shqipëri do të rriten dhe Bankers është një shembull i qartë që tregon seriozitetin dhe ndikimin e rëndësishëm që kanë këto kapitale në vend.

“Natyrisht, rritja e këtyre investimeve nuk mund të bëhet pa bashkëpunimin dhe mbështetjen e të gjithë aktorëve, qeverisë lokale dhe qendrore, komunitetit dhe opinionit publik”, tha ambasadori i Kinës.
Ndërkohë, kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi konfirmoi mbështetjen e tij për bashkëpunim të mëtejshëm, qoftë në investime në komunitet dhe rajonin e Fierit, por edhe në zgjerimin e mëtejshëm të kompanisë.

“Ne e vlerësojmë shumë Bankersin si një partner të suksesshëm për rajonin tonë, duke qenë tatimpaguesi më i madh që kemi. Jam shumë mirënjohës sepse edhe në kohët më të vështira që kjo kompani ka hasur nuk ka pasur vonesa në pagesat e taksave vendore, duke qenë kështu një nga partnerët më seriozë që kemi”- tha z. Subashi.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb