Ministri i Punëve të Jashtme i Armenisë, Ara Ayvazyan, ka vlerësuar si “një moment historik” marrëveshjen e 10 nëntorit të ndërmjetësuar nga Rusia, e cila i dha fund pushtimit armen në shtatë rajone azerbajxhanase afër Malësisë së Karabakut.

Duke folur në një konferencë për media në Moskë, pas takimit me homologun e tij rus, Sergey Lavrov, kryediplomati armen theksoi se marrëveshja “ndaloi gjakderdhjen dhe siguroi një armëpushim” në rajon.

Megjithatë, Ayvazyan argumentoi se disa nga çështjet kryesore në lidhje me zgjidhjen e konfliktit të Malësisë së Karabakut ende nuk janë zgjidhur dhe se do të diskutohen midis palëve pasi situata në rajonin e konfliktit të jetë e qëndrueshme.

Nga ana tjetër, Lavrov tha se marrëveshja po zbatohet dhe se Rusia është e kënaqur me aderimin e palëve në armëpushim.

Lavrov mohoi pretendimet e shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, se Rusia dhe Turqia përpiqen të largojnë BE-në nga procesi i zgjidhjes në Siri, Libi dhe Malësinë e Karabakut, një proces që Borrell e quajti “astanizëm”. Ai këto pretendime i quajti një analogji me formatin Astana për vendosjen në Siri.

Kryediplomati rus tha se BE-ja duhet të veprojë në një mënyrë moderne dhe nuk duhet të përpiqet ta paraqesë botën si një që supozohet të ndahet në sfera të ndikimit.

“Ka hapësirë të mjaftueshme për ata që marrin pjesë në proceset e zgjidhjes me ndershmëri dhe jo për hir të marrjes së disa përfitimeve gjeopolitike dhe përparësive të njëanshme”, tha Lavrov, duke shtuar se Rusia, Turqia dhe Irani nuk janë indiferentë ndaj situatës në Kaukazin Jugor, pasi janë fqinjë të drejpërdrejtë të vendeve të këtij rajoni.

“Sa i përket gjendjes së përgjithshme shpirtërore që Josep Borrell përshkroi në ‘blog’-un e tij, siç e kuptoj, ai është pak i shqetësuar që dikush tjetër përveç BE-së mund të ndërmarrë disa hapa iniciatore në botën moderne”, shtoi ai.

Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike, Armenisë dhe Azerbajxhanit, kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991 kur ushtria armene pushtoi në mënyrë të paligjshme Malësinë e Karabakut, një territor ndërkombëtarisht i njohur i Azerbajxhanit.

Kur përplasjet e reja shpërthyen më 27 shtator, ushtria armene filloi sulmet ndaj civilëve dhe forcave azerbajxhanse, si dhe shkeli disa marrëvshje humanitare të armëpushimit.

Gjatë konfliktit, Azerbajxhani nga pushtimi armen çliroi disa qytete dhe gati 300 vendbanime dhe fshatra.

Më 10 nëntor, të dy vendet nënshkruan një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Rusia për t’i dhënë fund luftimeve dhe për të punuar drejt një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse.

Armëpushimi shihet si një fitore për Azerbajxhanin dhe një humbje për Armeninë, forcat e armatosura të së cilës janë tërhequr në përputhje me marrëveshjen.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb