Ministri i Punëve të Jashtme i Italisë, Luigi Di Maio dhe shefi i politikës së jashtme i Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, në një bisedë telefonike kanë diskutuar përpjekjen e djeshme për grusht shteti në Tunizi.

Ministria e Punëve të Jashtme e Italisë njoftoi se Di Maio dhe Borrell diskutuan zhvillimet e fundit shqetësuese në vendin e Afrikës së Veriut.

Ata ripohuan angazhimin e tyre të përbashkët për të vepruar për stabilitetin politik dhe ekonomik.

Më herët, presidenti tunizian, Kais Saied, njoftoi se pezulloi të gjitha kompetencat e asamblesë dhe imunitetin e deputetëve dhe se shkarkoi kryeministrin Hisham al-Mashishi. Ai tha se do të marrë pushtetin ekzekutiv me një kryeministër të ri që do të emërojë.

Saied po ashtu e deklaroi veten Prokuror të Përgjithshëm.

Ushtarët po ashtu ndaluan hyrjen në parlament të kryeparlamentarit Rached Ghannouchi dhe zëvendësve të tij.

Që nga janari, vendi ka qenë në një bllokim politik mes një mosmarrëveshjeje midis presidentit Saied dhe kryeministrit Mashishi mbi një ri-organizim qeveritar që i pari refuzoi.

Vendi po ashtu po përballet me një krizë ekonomike dhe një rritje të infeksioneve të koronavirusit të ri (COVID-19) mes paralajmërimeve për një kolaps të mundshëm të sistemit të kujdesit shëndetësor.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb