TIRANE

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e konsideron 9 Majin, Ditën e Europës, si ditë simbol të bashkimit dhe bashkëpunimit. Përmes një postimi në facebook, Kryemadhi shkruan se kjo e sotmja është një ditë reflektimi dhe shprese se projekti europian do të duhet të quhet i realizuar vetëm kur Ballkani të jetë pjesë e tij, kur edhe shqiptarët të ndjehen pjesë e vlerave europiane.

“Paqja dhe solidariteti europian janë po aq të rëndësishme sot sa ishin edhe në hapat e parë të Bashkimit Europian, po aq të rëndësishme për Shqipërinë sa dhe vetë ekzistenca e saj! Sot më shumë se kurrë Shqipëria ka nevojë për mentalitetin europian në qeverisje dhe në cdo qelizë të saj.” –shkruan Kryemadhi ndërsa shton se 9 Maji na bën më të fortë për të vazhduar betejën tonë për një Shqipëri me pluralizëm politik.

“9 Maji na bën më të fortë për të vazhduar betejën tonë për një Shqipëri me pluralizëm politik, ku alternativa dhe idetë nuk fshihen nga autokracia, ku e drejta e qytetarëve për të zgjedhur të lirë është legjitime dhe jo tabu. 9 Maji është dita e forcës tonë për një Shqipëri Europiane” – përfundon Kryemadhi reagimin e saj për Ditën e Europës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb