TIRANË

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi deklaroi në Konventën Kombëtare të LSI-së se krimi i organizuar dhe oligarkia po rrezikojnë demokracinë dhe të ardhmen e shqiptarëve. Kryemadhi tha se për kryeministrin Rama është prioritet bashkëpunimi me krimin e organizuar dhe oligarkët, teksa theksoi se Rama ka braktisur Partinë Socialiste.

Kryemadhi tha se LSI tashmë ka hapur dyert për të gjithë ata socialistë, të cilët sot ndihen të braktisur dhe të tradhtuar nga Edi Rama dhe sekti i Rilindjes.

“Po, krimi i organizuar dhe oligarkia po rrezikojnë demokracinë dhe të ardhmen e shqiptarëve tanë. Madje dhe shumë më shumë se kaq. E keni vënë re tashmë që Ramës i mjafton vetëm krimi i organizuar dhe oligarkia me median e blerë.
Nuk i hyn më në punë as Partia Socialiste, as kapaciteti i saj, as njerëzit e saj të ditur dhe të mençur. Ishte trishtim i madh për mua si një ish-anëtare e PS që në nëntor të vitit 1991 dhe jo vetëm për mua por dhe shumë socialistë të tjerë që të shikoja Kryeministrin e vendit tim në një samit të rëndësishme për të gjithë shqiptarët, siç ishte Samiti i Berlinit. Dhe të shihja që në krah të Kryeministrit të v endit tim nuk kishte njerëz me reputacion, serioz dhe me eksperiencë qoftë edhe të PS.

Shqipëria jonë vërtet është e varfër por njerëzit nuk i kanë munguar asnjëherë asaj. Aq më shumë PS. Partia Socialistë meriton shumë më shumë se butaforitë primitive, egocentrizmin e një Kryeministri dhe Kryetari partie në ikje. I cili nuk prodhon gjë tjetër veçse trishtim dhe dëshpërim për shqiptarët. Më lejoni të ftoj të gjithë ata socialistë të tradhtuar, nga idealet e tyre dhe programi i social demokracisë, të cilin Rilindja e ktheu në grabitje të biznese dhe shkatërrimin e shtresës së mesme, ku solidaritetin dhe barazinë njerëzore e ktheu në një gjenocid të heshtur për rininë shqiptare, t’i ftojmë dhe të hapim dyert për të gjithë ata socialistë të cilët janë të drobitur nga shfrytëzimi i pamëshirshëm i sektit të Rilindjes. Dhe ne do të luftojmë së bashku, të gjithë për ta bërë Shqipërinë shtëpinë e shqiptarëve”, tha Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb