TIRANE

Me tone të ashpra nga Konventa e Lëvizjes Socialiste për Integrim, kryetarja Monika Kryemadhi deklaroi se kjo parti nuk do të tradhtojë kurrë interesat e shqiptarëve.

Kryemadhi me zë të lartë tha se ‘ashtu siç do të luftojmë për shtëpinë tonë, do të luftojmë edhe për Shqipërinë’. Ajo çka ra në sy gjatë fjalimit të Kryemadhit ishte edhe përlotja e deputetes së LSI-së Nora Malaj.

“Përshëndetje, mirënjohje dhe respekt për anëtarët e Konventës së Lëvizjes Socialiste për Integrim. Partia jonë e cila e ka emrin Lëvizje Socialiste për Integrim është ajo parti politike e cila në asnjë moment nuk do tradhtojë gjakun e mijëra burrave dhe grave që dhanë për Shqipërinë tonë të pavarur, të lirë dhe krenare. Kjo parti nuk do të tradhtojë kurrë flamurin e saj kombëtar, i cili valëvitet krenar edhe pse qeveria e rilindjes dhe e krimit kërkon që t’i uli kokën. Ju që jeni këtu mbi mijëra burra dhe gra, vajza e djem, të rinj e të reja, të moshuar, punëtorë, intelektualë, mësues, biznesmenë, të papunë, japim fjalën sot në emër të të gjithë anëtarëve të LSI-së, votuesve tanë, që ne nuk tradhtojmë Shqipërinë, vendin tonë, atdheun tonë. Ai vend ku na ka bërë krenarë për këta që jemi, ai vend i cili ka mbijetuar me mijëra vite, me shekuj përballë pushtuesve, tradhtarëve dhe ata që kanë përdhosur flamurin tonë.

Shqipëria është shtëpia e shqiptarëve. Ashtu siç luftojmë për shtëpinë tonë, ashtu do të luftojmë edhe për Shqipërinë. Do të luftojmë për djemtë dhe vajzat shqiptare që të ndërtojnë të ardhmen e tyre, jetën dhe familjen e tyre këtu në Shqipëri.

Motra dhe Vëllezër, shtëpia e shqiptarëve është Shqipëria. Si grua dhe si nënë, por në fakt si çdo shqiptar që lufton për familjen e tij, për shtëpinë e tij, ne duhet të luftojmë për atdheun tonë. Ne nuk duhet të ndalemi  në këto ditë të vështira që po kalon Shqipëria. Sot Shqipëria më shumë se kurrë ka momentet e saj më të vështira dhe prandaj ne sot duhet të harrojmë idealin politik, ideologjinë politike. Sot e vetmja ideologji që duhet të qarkullojë, jo vetëm në LSI, po në të gjithë klasën politike është vetëm një.  Shqipëria është shtëpia jonë, është atdheu ynë. Shqipëria është familja jonë, për të cilën ne duhet të kujdesemi ashtu siç kujdesemi për shtëpinë tonë. Ne ju detyrohemi shumë të rinjve dhe të rejave. Ne ju detyrohemi grave dhe vajzave shqiptare.

Në vitin 1990 isha gjimnaziste maturante në gjimnazin “Petro Nini Luarasi”. Nuk e dija çfarë ishte demokracia. Nuk e dija se çfarë ishte pluralizmi politik. Isha si ato studentë që janë sot në rrugët e Tiranës, apo që janë ngujuar në auditoret e fakulteteve. Por vetëm një gjë e dija: e dija shumë mirë që kompromisi me të shkuarën nuk është gjë tjetër vetëm se të lë mbrapa dhe nuk të lë të zhvillohesh. Kompromisi me atë që dhunon dhe shtyp popullin e tij, nuk është gjë tjetër, veçse bëhesh dhe ti shfrytëzuese dhe dhunuese e popullit. Kuptova një gjë: që populli është ai që të ngre në piedestal dhe populli është ai që të tërheq zvarrë, edhe si monument, edhe si skulpturë, edhe si identitet, por edhe si njeri. Prandaj them sot një përkrahje të madhe për ata studentë dhe studente, për ata djem dhe ato vajza të cilët na dhanë dinjitet, na dhanë shpresë, por mbi të gjitha na dhanë besim që të bashkuar ne kemi për të fituar.

Nuk bëhet fjalë për të fituar politikisht, por bëhet fjalë për të fituar patriotikisht. Sepse sot më shumë se kurrë është në diskutim çështja e identitetit kombëtar. Sot ne jemi të bindur që kemi një rrugë, dhe është një rrugë, e cila do të na ndajë nga një e keqe shumë e madhe. Është rruga e përballjes, është rruga e përplasjes, është rruga e betejës me të keqen. Kjo është rruga për të cilën ne duhet të sakrifikojmë çdo gjë. Po të jetë e nevojshme edhe jetën, sepse çdo prind e jep jetën për të ardhmen e sigurt të fëmijëve të tij.

Ju e dini shumë mirë që Shqipërisë i janë premtuar 300 mijë vende të reja pune. Por në fakt nuk pamë 300 mijë vende të reja pune, por pamë mbi 400 mijë shqiptarë të larguar nga Shqipëria. Nuk pamë 300 mijë vende të reja pune, por pamë me qindra dhe mijëra biznese të mbyllura dhe të falimentuara. Nuk pamë 300 mijë vende të reja pune, por pamë lot nënash që qanin sepse nuk kishin mundësi për të ushqyer fëmijët e tyre. Ne e dimë shumë mirë premtimin që u bë nga Rilindja për uljen e TVSH-së për ushqimet e shportës në mënyrë të tillë që familjet e varfra të kishin mundësi për të pasur pak bukë thatë më shumë në tavolinat e tyre. Por dhe kjo nuk u bë.

Ne e dimë shumë mirë që u premtua ulja e TVSH-së për energjinë elektrike nga 20% në 6%. Jo vetëm që nuk u bë , por çmimi i energjisë elektrike u rrit më shumë. Në 2015 shqiptarët paguanin për 300 kë/orë, 2310 lekë të reja energji elektrike, sot po për 300 kë/orë shqiptarët paguajnë 2850 lekë të reja energji elektrike. Ky është premtimi i Rilindjes.

Të mos të kthehemi më te shëndetësia falas, apo tek utopia e cila është edhe mashtrimi i radhës. Sot për familjet shqiptare shëndetësia është një nga shpenzimet më të shtrenjta. Është një nga % e shpenzimet me të mëdha për xhepat e tyre. 57% e buxhetit të shëndetësisë paguhet nga shqiptarët me para në dorë. Dhe vetëm 43% paguhet nga taksat e shtetit. Po e thjeshtëzoj. Shqiptarët kur shkojnë në spital dhe paguajnë për ilaçet, për dorezat, për infermierët, për mjekët, për sanitarët, e për çdo gjë, kanë paguar për 2018 480 milionë euro që i kanë nxjerrë nga xhepat e tyre. Që do të thotë që këto para po të investoheshin në ekonomi, do ishin hapur me mijëra vende të reja pune. Shqiptarët kanë hequr nga xhepat e tyre 480 milion euro për t’i vendosur në buxhetin e shëndetësisë falas të premtuar nga rilindja e krimit. Sot buxheti i shëndetësisë është 2,9% e GDP-së. Pra është një vlerë që është më pak sesa shqiptarët paguajnë nëpërmjet sigurimeve shëndetësore, të cilët jeni ju ata që i paguani se në të kundërt vjen dhe të burgos policia e rilindjes së krimit.

Arsimi. Kemi dëgjuar për arsimin këto muaj më shumë se çdo gjë tjetër. Kemi një premtim 5% të buxhetit të shtetit. Por nuk është 5%, është 2,4%. Jo vetëm që kemi dhe një premtim qesharak dhe diletant, ku thotë që 40% të pagës së mësuesit do ta rrisim. Jo vetëm që nuk është rritur, por edhe ajo pak rritje që është, është thjesht rritja e inflacionit”, tha Kryemadhi.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: