TIRANË

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim ka deklaruar se kjo forcë dhe përfaqësuesit e saj do të jenë në protestën e banorëve të Unazës së Re që protestojnë prej 20 ditësh. Në një status në “Facebook” Kryemadhi akuzon kryeministrin Edi Rama se me çdo lloj mjeti po përpiqet të ndalë protestën dhe kërkon të tërheqë vëmendjen prej saj.

Sipas saj, fryma e rebelimit po e tmerron Ramën, ndërsa qytetarët kërkojnë vetëm të drejtën e tyre. Ndaj, ajo shton se do jenë me protestën dhe banorët që nuk u blenë dhe as u shitën me gjithë përpjekjet e qeverisë.

STATUSI I KRYEMADHIT
Edi Rama dhe veglat e tij po mundohen t’u heqin shqiptarëve edhe një nga pak të drejtat që u kanë mbetur, të drejtën e protestës.
Me kërcënime, keqpërdorimin e policisë, me gjuhën vulgare me të cilën iu drejtohet banorëve të Unazës së Re, ai më sot përpiqet të ndalë qytetarët të kërkojnë të drejtën e tyre.
I zhytur në batakun e kriminalitetit, frymëzuesi i shkatërrimit të Shqipërisë, çdo ditë shpik beteja dhe heronj imagjinarë me synimin e vetëm që të tërheqë vëmendjen nga protesta, e cila çdo ditë e më shumë gërryen themelet e pushtetit të krimit dhe oligarkëve.
Fryma e rebelimit popullor është frika më e madhe e diktatorëve dhe si e tillë ajo e tmerron Edi Ramën, që prej muajsh vetëm menaxhon krizat e deputetëve të tij të inkriminuar dhe të klientëve të tij që pasurohen me paratë e shqiptarëve.
Kryeministri i krizës, i rraskapitur nga skandalet e njëpasnjëshme tashmë ndodhet në grahmat e fundit të despotizmit të tij politik. Çdo minute, çdo orë dhe çdo ditë protestë kundër qeverisjes së tij është një tulle më pak në themelet e rrënuara të qeverisë së rilindjes.
Asnjë dredhi politike, asnjë marrëveshje apo pazar i bërë jashtë syve të publikut, asnjë media e blerë apo e shitur madje as mungesa apo pavarësia e institucioneve të drejtësisë nuk mund të ndalë rebelimin e qytetarëve që nuk kërkojnë asgjë më shumë se të drejtën që u jep kushtetuta.
Ndaj sot jemi me protestën, jemi me kurajën dhe forcën e atyre banorëve që kanë 20 ditë që nuk ndalen në kërkesat e tyre, që nuk u blenë dhe as u shitën, madje as nuk u përçanë me gjithë përpjekjet e qeverisë.

Kryemadhi Fb
Kryemadhi Fb

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb