TIRANE– Gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka komentuar çështjen për zgjidhjen e kryeprokurorit të ri. Kryemadhi tha se çështjet e drejtësisë duhet të zgjidhen në Kuvend dhe jo në tryeza politike siç thotë mazhoranca. Sipas Kryemadhit kryeprokurori nuk mund të zgjidhet me shumicë të thjeshtë, pasi kjo nuk përcaktohet në Kushtetutë.

“Ekziston vullneti poltik për të zgjidhur këtë cështje, por cështjet e drejtësisë nuk zgjidhen në tryeza, por në parlament. Situata sot në sistemin e drejtësisë është alarmante. Ne na kanë kaluar të gjitha afatet, duhet të ishte zgjedhur KLP, KLGJ. Duhet të vendosim një standard dhe jo dy standarde. Ne nuk e kemi të shkruar në Kushtetutë që kryeprokurori të zgjidhet me shumicë të thjeshtë. Ne duhet t’i mësojmë shqitparët vetëm një standard dhe jo dy standarde”- tha Kryemadhi.

Ndër të tjera kryetarja e LSI u shpreh se Rama ka kërcënuar SHBA dhe BE, pasi ka thënë se nëse SHBA dhe BE nuk mbështet integrimin e Shqipërisë ka edhe opsionet të tjera siç është orientimi nga Kina dhe Rusia.

“Rama kërcënoi hapur SHBA dhe BE kur tha se ne kemi edhe opsione të tjera siç janë Kina dhe Rusia” – tha Kryemadhi.

INTERVISTA:

Sot, të gjithë bien dakord të paktën për faktin që Prokurorit të Përgjithshëm. Adriatik Llalla, i ka mbaruar mandati sot. Debati lidhet me mënyrën se si interpretohet ligji apo mënyrën se si interpretohet Kushtetuta, nëse duhet të kemi një kryeprokuror të përkohshëm deri në momentin që do të krijohet Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Kemi edhe mendimin e ekspertëve që thonë që ky Prokuror i Përgjithshëm i përkohshëm mund të zgjidhet edhe me shumicë të thjeshtë në Parlament. I është bashkuar sot edhe ambasada amerikane në Tiranë. Çfarë mendimi keni ju? Pse jeni kundër?

Jo ne nuk jemi kundër. Jemi për respektimin e Kushtetutës. Ne kemi miratuar një Kushtetutë para një viti e gjysmë pas një debati të jashtëzakonshëm, mbas një pune të madhe të një komisioni Ad Hoc për reformën në drejtësi, e cila është miratuar me 140 vota. Për herë të parë në historinë e tranzicionit shqiptar ne kemi miratuar ndryshimet kushtetuese, ku 65 për qind e Kushtetutës së Shqipërisë ka ndryshuar, e kemi miratuar me 100% të votave në Kuvendin shqiptar. Kemi bërë ndryshime sa që kemi vendosur edhe data në Kushtetutë, kemi vendosur afate, kemi vendosur detaje, për të vetmen arsye që kur të vijmë në këtë proces ku jemi ne sot të mos kemi asnjë lloj mundësie interpretimi. Dhe tashmë ne kemi dy interpretime: I pari nga Këshilli i Monitorimit të Kuvendit dhe i dyti nga që vjen nga EURALIUS dhe OPDAT. Njëra thotë zgjidhet me 84 vota ndërsa tjetra thotë zgjidhet me 36. Është shumë e rëndësishme që ne të kemi një standard. Shqipëria vazhdon në këtë periudhë tranzicioni, vazhdon të krijojë mosbesim në institucionet e saj, qoftë shtetërore apo të demokracisë, dhe kjo ka ndodhur për shkak të zbatimit të ligjit me dy standarde. Në qoftë se ne kemi një Kushtetutë e cila thotë se Prokurori i përhershëm zgjidhet me 94 vota dhe Prokurori i Përgjithshëm i propozuar nga KLP zgjidhet me 84 vota, atëherë kjo është shumë e qartë. Dhe Kushtetuta ka vendosur një dispozitë të tillë që nuk lë vend për interpretim, qoftë nga institucionet konsultative të Parlamentit por nuk e lë që ta interpretojë as Gjykata Kushtetuese. Pra as Gjykata Kushtetuese nuk e ka mundësinë dhe fuqinë ligjore për të interpretuar vendimet kushtetuese që ne i kemi marrë 1 vit e gjysmë më parë. Problemi qëndron nëse ka apo jo vullnet politik për ta zgjidhur. Zgjidhja e çështjes së Prokurorit të Përgjithshëm është nga gjërat më të rëndësishme. Kemi tre muaj që flasim për këtë çështje. Pse vjen ditën e fundit propozimi nga Kryeministri që të ulemi dhe të bisedojmë?

Pikërisht në lidhje me këtë doja t’ju pyesja. Ka një propozim të Kryeministrit i cili fton që të zgjidhet çështja e Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm në një tryezë. Ndoshta mund të shkohet edhe tek varianti i shumicës së cilësuar.

Çështjet e drejtësisë nuk zgjidhen në tryeza por zgjidhen në parlament. Nëse do të vazhdojmë të zgjidhim çështjet me tryeza politike, në qoftë se ne do të vazhdojmë të zgjidhim çështjet të cilat janë shumë të rëndësishme për shqiptarët, siç është reforma në drejtësi pasi po shpresojnë që të ketë një reformë të tillë që ata të zgjidhin hallin e tyre, dhe nëse do të ulemi prapë në tryeza politike, në allishverishe politike, ne nuk kemi bërë asgjë, nuk kemi bërë as reformën në drejtësi

dhe as nuk e kemi nxjerrë Shqipërinë nga tranzicioni në të cilin është. Është shumë e rëndësishme të ulemi në institucionet parlamentare. Ne na kanë kaluar të gjitha afatet. Që në shkurt duhet të kishim ngritur Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Këshillin e Lartë Gjyqësor etj, duhet të ishte ngritur KED.

Janë përfaqësuesit e shoqërisë civile që në njëfarë mënyre po e mbajnë peng ngritjen e KLP-së.

Atëherë hajde të kërkojmë përgjegjësinë ndaj shoqërisë civile. Hajde ulemi dhe të rishikojmë Kushtetutën edhe njëherë. Por ama ne duhet të fillojmë të vendosim një standard. Nuk mund të përdorim dy standarde. Kur ne nuk e kemi të shkruar në Kushtetutë, që zgjidhet me shumicë të thjeshtë, ta gjejë dhe EURALIUS, dhe OPDAT, të na e gjejnë ku është e shkruar me shumicë të thjeshtë. Ku, në cilën pikë, në cilin nen, në cilën faqen, në cilin germë të Kushtetutës që kemi miratuar ne është e shkruar? EURALIUS dhe OPDAT e kanë hartuar Kushtetutën shqiptare. Kjo vjen dhe si rezultat i makutërisë së politikës shqiptare e cila kërkon të zaptojë të gjitha institucionet dhe të krijojë presion nëpërmjet kapjes së institucioneve. Çfarëdo që të ndodhë, situata në të cilën ne e kemi sot sistemin e drejtësisë është një situatë alarmante por nuk mund t’i fusim të gjithë në një thes, sepse nuk janë të gjithë të korruptuar, nuk janë të gjithë problematikët e sistemit të drejtësisë, ka dhe burra dhe gra shumë të mira të cilët përballojnë jetën e tyre me konflikte me kriminelë. Por ka dhe një gjë tjetër, ka një problem tjetër. Problemi është që ne duhet t’i ofrojmë shqiptarëve një standard. Dhe duhet t’i mësojmë shqiptarët që ka vetëm një standard, nuk ka dy standarde.

Kjo çështje mund të bëhet pengesë për hapjen e negociatave. Ju e dëgjuat deklaratën e z. Juncker që bëri para pak ditën në Bruksel, shanset janë të mëdha.

Dëgjova edhe deklaratën e z. Rama që kërcënoi hapur jo vetëm në BE-në por edhe në SHBA-të, ku tha që ne kemi opsione të tjera drejt në marrëdhënie me Kinën apo Rusinë. Unë nuk mendoj që kjo është zgjidhje e Shqipërisë. Shqipëria është një vend 99 % pro amerikan, një vend që e ka parë orientimin e tij drejt Evropës. Madje dhe lajtmotivi i vizitës së tij në SHBA është “More America in Albania”. Kjo është një nga arsyet të cilat ne e kemi shumë të nevojshme në Shqipëri, të kemi prezencën amerikane sa më të madhe.

Meqenëse thatë “More America in Albania” po i referohem edhe vizitës suaj në Uashington. Do doja një opinion tuajin lidhur me çështjen e drogës në Shqipëri. Sa e përhapur është çështja e drogës në Shqipëri. Ju keni pasur takime në Departamentin e Shtetit lidhur me këtë çështje dhe kryesisht me zyrtarë të byrosë kundër narkotikëve. Çfarë mund të bëhet më shumë?

Ne patëm një takim shumë të gjatë, gati më shumë se një orë me Zv/drejtorin e Byrosë së Luftës kundër Narkotikëve dhe të Zbatimit të Ligjit, z. Don Stolëorthy, i cili u njoh me situatën. Sigurisht që ata kanë dijeni për situatën se çfarë po ndodh me krimin e organizuar dhe lëndët narkotike, ku çdo ditë po kapen tonelata të tëra dhe sasi të konsiderueshme të drogës. Por nuk është vetëm ky problemi. Problemi qëndron te përfshirja e institucioneve shtetërore në trafikimin e kësaj. Ngjarja e radarëve të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët administrohen apo janë menaxhuar nga segmente të caktuar të grupit të Habilajve, të cilat kanë dalë të qarta dhe hapur në regjistrimet apo në përgjimet që ka bërë antimafia italiane me vendim gjykate tregon hapur që institucionet shtetërore kanë qenë totalisht të përfshira, sidomos segmentet e policisë. Kapja e 863 mijë eurove, rreth 1 milionë dollarë.

Ju po thoni që situata është në nivel të tillë që e gjithë politika e lartë është e kapur?

Situata është shumë problematike, është shumë e rrezikshme. Unë mund të them vetëm të dhënat e fundit që kanë dalë, që 2.4 % e shqiptarëve janë përdorues të kokainës, që është një nga drogat më të shtrenjta. Nuk përdor mamaja ime kokainë, përdorin fëmijët. Pra janë rreth 70 mijë të rinj përdorues të rregullt të drogave të forta në Shqipëri. Pra kjo është një situatë alarmante që ka të bëjë me të ardhmen dhe shpresën e këtij vendi. Ajo që ne diskutojmë dhe kërkuam dhe në takimet që kemi pasur është ndihma dhe prezenca e segmenteve të specializuara për të zhvilluar më tej luftën kundër krimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, sidomos të drogave të forta.

Pyetja normale që bëhet në këtë rast znj. Kryemadhi është që çfarë përgjegjësie ka partia që ju drejtoni duke qenë se keni qenë katër vite në qeverisje me PS-në?

Do të ishte hipokrite në qoftë se unë do të justifikohesha. E gjithë klasa politike është përgjegjëse duke përfshirë këtu edhe veten time edhe të gjithë pjesëtarët e LSI, por duke qenë pjesë e saj edhe të gjitha partitë politike, edhe media të cilat janë pjesë e saj. Për shkak të një stabiliteti fals ne kemi krijuar një destabilitet të brendshëm. LSI ka qenë katër vjet në pushtet me PD dhe me PS. LSI i kishte shanset për të qenë prapë, prej gjashtë muajsh PS i kërkonte bashkëpunim, për të qenë pjesë e kësaj qeverisje, por me një vendim unanim të LSI-së ne nuk pranuam të ishim pjesë e qeverisjes, për të vetmen arsye se kërkonim të bënim jo vetëm një reflektim dhe një ndarje përfundimtare. Duke pasur parasysh luftën që është bërë para një viti e gjysmë, pra nëse LSI do të sulmonte çështjen e drogës apo çështjen e korrupsioneve dhe shumë gjëra të tjera, akuzat do të ngriheshin menjëherë, jo vetëm nga mediat dhe ndërkombëtarët, që do thoshin që LSI është kundër reformës në drejtësi. Gjë që ky stabilitet solli një lloj destabiliteti që na erdhi sot. Nuk bëhet asgjë vetëm, gjërat duhet t’i bëjmë të gjithë bashkë, duhet të ndërgjegjësohen që nga klasa politike e para për të mos kërkuar për të mbuluar gabimet. Është më mirë t’i tregojmë gabimet tona dhe ti themi i kemi bërë që të mos i bëjmë më sesa të kërkojmë të nxjerrim elementë të tjerë për të mbuluar gabimet dhe për të bërë gabime akoma më të mëdha.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: