Për Monika Kryemadhin, Ilir Meta qoftë si president, kryetar i LSI apo dhe në poste të tjera të cilat ka mbajtur përpara se të krijontë LSI-në ka treguar se është njeriu që di të zgjidhë kriza në Shqipëri. Në një intervistë për AbcNews, Kryemadhi tha se Ilir Meta është stof politikani që zgjidh kriza. Është një njeri që kërkon stabilitet.

Z. Meta i shërben më shumë këtij vendi në krizë politike si president apo do të kishte qenë një zë shumë i fortë opozitar në drejtimin e LSI?
Ilir Meta i ka kaluar të gjithë hallkat e institucioneve. Ka qenë kryeministër, kryetar Parlamenti, ka qenë në opozitë, ka krijuar një parti dhe jo vetëm, por me një grup intelektualësh që sollën një risi në politikën shqiptare. Disa analistë thonë që përçau partinë komuniste, PPSH që nuk është përçarë asnjëherë dhe faktikisht ndodhi. Nga ana tjetër të mos harrojmë që Ilir Meta është stof politikani që zgjidh kriza. Është një njeri që kërkon stabilitet. E ka vendosur gjithmonë LSI në këto 15 vitet e saj si një parti politike që ka ndihmuar në bërjen e reformave.

Në 2016 u nis një reformë në drejtësi, e cila duhej të kalohej me një konsensus politik për shkak të asaj që një reformë në drejtësi e papranuar nga të gjitha palët, nuk mund të ishte reformë sepse në çdo vend të botës bëhen me konsensus dhe kanë një pakt kombëtar, por kishte një ndërhyrje ose një kapje, ose një dëshirë në atë kohë nga mazhoranca, nga z.Rama për të mos u bërë reforma në drejtësi dhe për të kaluar një reformë në drejtësi duke blerë deputetë dhe më pas të mos pranohej nga pala tjetër në mënyrë të tillë që kjo reformë të mos zbatohej dhe faktikisht ja ku jemi.

Jemi në një proces që kemi një Reformë në Drejtësi të miratuar me 140 vota, por kemi 7 ligje të miratuara pa konsensusin e palës tjetër. Dhe kemi tashmë një reformë në drejtësi e cila ka ngelur dhe janë më miliona euro dhe dollarë të paguara nga institucionet ndërkombëtare. Janë mbi 147 milionë dollarë të paguar nga BE dhe SHBA për implementimin e kësaj reforme. Do të vazhdojnë të implementohen dhe 94 milionë të tjera euro nga BE, të cilat janë të domosdoshme për vazhdimësinë e kësaj reforme. Të jeni të bindur që asnjë institucion ndërkombëtar nuk do të pranonte që mbi 200 e ca milionë euro të hidheshin në plehra për një reformë e cila mezi po fillon të funksionojë.

Prandaj është shumë e rëndësishme të kemi edhe zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pse e themi këtë? Sepse në një proces zgjedhor i cili do të sjellë një balancë të pushteteve, do të krijonte ngritjen e institucioneve të drejtësisë në mënyrë të pavarur, të ndara nga politika, të shkëputura nga politika. Sepse në një vend të vogël si Shqipëria është shumë e vështirë ta ndash politikën nga drejtësia. Por është e domosdoshme se vetëm në këtë mënyrë ne do krijojmë garanci për investimet e huaja, do të krijojmë garanci për biznesin, në mënyrë që të ecin, të zhvillohen, që njerëzit të kenë të drejtën e pronës sepse për çfarë luftuan shqiptarët në ’90, në demokraci, për të drejtën e pronës, për meritokraci. Sepse të tjerë punonin dhe të tjerë hanin. Ndërkohë sot ne jemi në afatet e fundit të funksionimit të kësaj reforme.

Mund të them që z.Meta ka kontributin e tij në të gjithë këtë situatë, në politikën e jashtme për fqinjësinë e mirë, atë që Shqipëria në 30 vite e ka pasur si pikën e saj të fortë. Ka kontributin e tij në reformën në drejtësi sepse pa ndërhyrjen e z.Meta nuk do të kishim miratimin e Reformës në Drejtësi me 140 vota. Ka kontributin e tij në kohën kur qeveria e Sali Berishës ishte me 4 mandatet e LSI për liberalizimin e vizave sepse pa mandatet e LSI nuk do të kishin liberalizimin e vizave shqiptarët sot. Ka kontributin e tij sepse pasi mbaroi marrëveshja me PD në 2013 krijoi koalicionin natyral me PS, ku kusht i këtij koalicioni se ndoshta duhet dhe ta kujtosh për shqiptarët por dhe për politikanët e ndërkombëtarët sepse shumë ndërkombëtar të rinj nuk e dinë dhe nuk e kanë historikun. Sepse pa votat e LSI nuk mund të bëhej miratimi i tre ligjeve të cilat mbanin peng statusin kandidat të Shqipërisë për hapjen e negociatave.

Pra mos harrojmë që jemi në këtë fazë, ku kemi procesin e liberalizimit të vizave, ku LSI pati rolin e saj vendimtar për krijimin e qeverisë në 2009, ku z.Meta ishte ministër i jashtëm në atë kohë dhe zv.Kryeministër. Pra më 8 nëntor është dhënë vendimi që më 15 dhjetor shqiptarët të lëvizin të lirë, ndërkohë kemi përsëri LSI e cila vërtetë mbylli marrëveshjen me PD në prill të 2013 dhe e kushtëzoi marrëveshjen e saj më 21 prill të 2013 me PS me të vetmin kusht për të bërë një seancë të jashtëzakonshme të Parlamentit shqiptar për të votuar 3 ligje të cilat ishin të domosdoshme për marrjen e statusit kandidat. Dhe më pas kemi reformën në drejtësi që përsëri pa votat e LSI dhe pa ndikimin e z.Meta do të ishte e pamundur që Shqipëria të fillonte procesin e hapjes së negociatave. Ditën që z.Meta dhe LSI i thanë stop kanabizimit, trafikimit, kriminalizimit të procesit të votave sot jemi për të katërtën herë që z.Rama dështon në këtë proces. 1 herë dy herë ta falim se mund të bësh gabime por nuk mund të të falim gjithë jetën, kështu që të hapë krahun dhe shqiptarët dhe socialistët le të zgjedhin një njeri tjetër për të krijuar një proces dhe për t’ju dhënë shansin shqiptarëve për të qenë të denjë në BE.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb