Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka deklaruar se nuk i trembet asnjë marrëveshje mes palëve për krizën, por sipas saj nuk bëhet fjalë për marrëveshje por institucionalizim të dialogut.


“Unë mendoj që ky koncept ekziston vetëm në pyetjet e gazetarëve. Nuk është çështje marrëveshjeje PD-PS, PS-LSI, PD-LSI nuk është më çështje marrëveshjeje këtu. Është çështja e hapave që do të ndiqen nga politikbërësit, kur them politikbërësit të gjitha forcat politike, si ato parlamentare dhe jo parlamentare. Kur vjen reforma zgjedhore dhe zbatimi i saj. Vërtet miratohet një reformë zgjedhore por ajo duhet zbatuar, por si zbatohet një reformë zgjedhore? Me zgjedhje. Që të shkosh në një proces zgjedhor. Nuk është çështje marrëveshje këtu është çështje dialogu. Institucionalizimi i dialogut. Ne akoma e mendojmë dialogun politik gjë që e ke kusht nga Bashkimi Europian që në propozimin e parë për hapjen e negociatave është dialogu politik. Dialogu politik është institucion. Ne duhet ta institucionalizojmë. Ne nuk kemi dialog politik. Vazhdojmë 30 vjet tranzicion. Pse kemi 30 vjet tranzicion? Sepse nuk kemi dialog politik”, deklaroi Kryemadhi për Report TV.


Ajo theksoi se ditën që politika shqiptare do ta institucionalizojë dialogun, ju do ta shikoni që nuk do të ketë më krizë politike dhe Shqipëria do të vazhdojë e sigurt drejt gjithë proceseve të saj për integrimin europian. “LSI-ja nuk i trembet asnjë lloj marrëveshjeje, jo vetëm LSI dhe PD-ja dhe të gjitha partitë e tjera. Jemi shumë të qarta në axhendën tonë dhe në objektivin tonë. Objektivi ynë është shumë i thjeshtë, t’ju japim njerëzve zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe mbi të gjitha të krijojmë hapësirën e hapjes se negociatave për Shqipërinë”, është shprehur Kryemadhi.


Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb