TIRANË

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka qenë sot në zonën e Unazës së Re në kryeqytet ku është takuar me një grup vajzash dhe grash. Kryemadhi e përshkruan gjendjen e tyre si në zgrip të ekzistencës dhe shpreh mbështetjen e plotë ndaj tyre.

Ajo hedh akuza të forta në drejtim të kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj, ndërsa thekson se qëndresa e këtyre grave është bërë frymëzim për çdo qytetar të këtij vendi, që padrejtësia, grabitja dhe arroganca e qeverisë së Rilindjes ua ka bërë jetën të padurueshme.

MESAZHI I KRYEMADHIT
Sot pasdite pata një takim me një grup vajzash dhe grash, banorë të Unazës së Re. Shtëpitë e tyre, djersa, gjaku dhe sakrificat së bashku me bashkëshortët, fëmijët dhe prindërit e tyre është duke u rrezikuar të shkatërrohet nga pangopësia e oligarkëve dhe qeverisë së Rilindjes.
Këto gra të sakrificës familjare, të shkëlqyera janë në zgrip të ekzistencës. Ato dhe familjet e tyre nuk mund t’i lëmë në mëshirë të fatit, as në lëmoshë të qeverisë së korruptuar të Edi Ramës. As të bien pre e mashtrimeve bajate të bashkëpunëtorit të krimit tek Unaza e Re, Erion Velisë.
Ndërkohë qëndresa e tyre është bërë frymëzim për çdo qytetar të këtij vendi, që padrejtësia, grabitja dhe arroganca e qeverisë së Rilindjes ua ka bërë jetën të padurueshme.
Ende asnjë i ndaluar apo hetuar nga autorët e skandalit të Unazës së Re. Damiani drejton Komisionin e Reformës së Vjedhjes së Votave në Parlamentin monist, askush nga firma nuk është ndaluar. Ish drejtuesit e ARRSH tallen nga lokalet e shtrenjta të Tiranës me fatkeqësinë e këtyre grave fisnike.
Një skandal edhe më i madh, i bërë në kurriz të këtyre familjeve është devijimi i shtratit të lumit të Lanës nga projekti fillestar, për t’i hapur rrugë një oligarku tjetër, mikut të Taulant Ballës, i cili ka qëlluar edhe pak i dënuar për trafik droge. Së bashku me Edi Ramën dhe Erion Velinë janë autorët e shkatërrimit të jetës së dhjetëra familjeve shqiptare. Ata janë rrënuesit e së ardhmes të qindra shqiptarëve. Ata janë ekzekutorët e ëndrrave të dhjetëra fëmijëve shqiptarë, të cilët kanë ëndërruar të kenë një shtëpi të tyren dhe të jetojnë bashkë me prindërit e tyre.
I vetmi faj i këtyre familjeve është se ndërtimet e shtëpive i kanë bërë me punë të ndershme, jo si oligarku i Taulantit dhe Erionit.
LSI nuk mund t’i braktisë këta shqiptarë të ndershëm, as nuk mund t’i lejojë që për fitimet e oligarkëve dhe tutorëve të tyre, këta shqiptarë të ndershëm të marrin arratinë në rrugët e Evropës.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb