TIRANE- Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi bëri një denoncim, ndërsa akuzoi Policinë se ka mbajtur të fshehtë një ngjarje të rëndë në Vlorë. Ajo tha se në Llakatund të Vlorës u gjet një person me kokë të prerë.

“Krimi është krijuar si një rrjet për të vazhduar dhe uzurpuar të gjithë sistemin. Unë tani që po vija, më erdhi një informacion që nuk e dija, dje në Vlorë një trup me kokë të prerë dhe nuk ka asnjë sqarim për këtë gjë. Është fshehur. Pra ky është krimi, ku krimi ty të ka hyrë në çdo institucion. Ne dëgjojmë pafundësisht se si kriminelët që janë në kërkim,bëjnë sherr nëpër club-e, dhunë dhe nuk del gjëkundi, zhduken. Ndërkohë që del deklarata e policisë, u arrestua filan fisteku se kishte pa paguar 10 mijë lekë faturë të energjisë elektrike. Kishte pa paguar po themi taksa në zyrën e bashkisë apo.. U arrestua filan plak, në filan fshat se po shiste 10 tufa majdanoz dhe nuk thotë njeri për atë që është më e rëndësishme, që të gjithë po e shikojmë që sot është shumë problematike”, tha Kryemadhi në “Open” në Top Channel. Po ashtu ajo theksoi se është survejuar nga organet ligjzbatuese.

Po ashtu kryetarja e LSI-së tha se krimi e shikon politikën si mjet për të kontrolluar sistemin. “Kriminelët duhet të shkojnë në burg, jo të hiqen nga politika dhe të fitojnë tendera. Krimi e shikon politikën si mjet për të kontrolluar sistemin. Dëgjojmë që kriminelët që janë në kërkim bëjnë sherre nëpër klube dhe nuk del asnjë njoftim. Ndërsa politika tashmë është bërë argate e krimit. Ka prezencë kriminelësh në zyrat e shtetit. Jo krimineli vetë në zyrë, por e dashura, motra ose bashkëshortja e tij”, deklaroi Kryemadhi.

Kryemadhi u ndal edhe tek çështja e sekuestrimit të 3.4 milionë eurove në Durrës. Kryemadhi tha se ndaj Ballës ka prova që e implikojnë me paratë e sekuestruara, pasi ka përgjime.

“Përgjimet nxjerrin Taulant Ballën. Të të nxorri nga loja Edi Ramën me Ballën. (I drejtohet Alfred Pezës) Taulant Balla është pjesë e Toyota Yaris. Kemi përgjime për Taulant Ballën, i ka prokuroria. Kush është personi që ka folur në telefon me shoferin e Toyota Yaris? Unë do pres ça do bëjë Marku”, tha ajo.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: