Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi thotë se ish ministri Lefter Koka tashmë i arrestuar, i ka përdorur të ardhurat nga afera e inceneratorëve për të shlyer kreditë e tij. 

Ajo u shpreh se forca politike që drejton nuk ka asnjë përgjegjësi ligjore as për Alqi Bllakon që e kishte pjesë të saj deri në vitin 2019. 

“Unë nuk do ta kisha marrë kurrë Alqi Bllakon. Për të vetmen arsye se është skuth. Ilir Meta në presidencë ka akoma këshilltarët e Bujar Nishanit, ka ende stafin e tij. Prandaj them që pyesni Ilir Metën”, tha Kryemadhi. 

Edhe pse Koka u zgjodh në vitin 2017 deputet nën siglën e LSI, Kryemadhi thotë në emisionin “Opinion” se ai nuk ka blerë vota për llogari të partisë që ajo drejton.

“Paratë që Lefter Koka ka marrë nga inceneratori i Elbasanit ka shlyer kreditë e tija bankare, nuk mendoj se me paratë e inceneratorëve i ka blerë vota në vitin 2017. Megjithatë dua të theksojë, a janë paratë e incenratorit të Tiranës që janë përdorur për blerje votash Tiranë,  Durrës, Elbasan Berat dhe Fier? Kjo është çështje që duhet ta zgjidh SPAK”,-tha Kryemadhi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: