Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, iu përgjigj akuzave të kryetares së LSI, Monika Kryemadhi, për aferën e inceneratorëve, e cila prej dy ditësh ka nxjerrë fakte të reja, që sipas saj, dëshmojnë vjedhjen në buxhetin e shtetit.

Në një lidhje me “Skype” në “News24”, Veliaj tha se nuk e dëgjon Kryemadhin prej kohësh, duke shtuar se akuzat e saj për inceneratorët janë muhabete të brenda familjes së tyre, ndaj dhe duhet t’i zgjidhë me burrin e vet.

“Ka kohë që nuk e dëgjoj Kryemahdin, që kur e çoi shkollën “Sami Frashëri” në Paskuqan. Sa herë vajton raste të tilla, më ngjan si njeriu që vajton, që nuk ishte pjesë e plaçkës. Ajo duhet ta dijë më mirë. Kanë qenë ministra të LSI-së, I ka caktuar ajo zonjë me burrin e vet. Kështu që për sa kohë janë muhabete të brenda familjes së tyre, për mënyrën si kanë konceptuar plackën dhe nuk kanë mbajtur hesapet me njeri tjetrin për mua përbën zero interes publik”, tha Veliaj.

Pse politizohen disa projekte?

Sepse njerëz si zonja që përmendët dhe partia e saj private, e kanë pasur në dorë Tiranën. Edhe Basha ishte bashkë me LSI. Ata kanë pasur në dorë të drejtojnë Tiranën, por nuk bënë asgjë. Projekti i Astir është pjesë e Unazës së Madhe, projekt që një segment ka qenë që në kohë të Olldashit, një pjesë më vonë, dhe tani duhet të vazhdojë puna. Ne nuk mund të presim që ata të kthehen në pushtet, ata mund të mos kthehen kurrë. Në kohën e tyre kafshët në Kopshtin Zoologjik nuk ekzistonin fare. Fakti që sot diskutojnë sa dhëmbë ka tigri gjysh e tigri nip, do të thotë se Tirana i ka punët mirë, kur dështakët merren me dhëmbët e qimet e tigrit. Kultura kur bllokohen cdo gjë duhet të marrë fund. Të bërit bllokim non-stop është një traditë shumë e shëmtuar që e kemi prej viteve 90. Nëse ata kanë një alternativë më të mirë, do duhet të vinë të na e thonë, por jo duke bllokuar punën. Unë besoj se votën në finale e japin qytetarët. Besoj që në zgjedhjet e ardhshme lokale të bëhet një pakt, që të mos diskutohet si të bllokojmë njëri-tjetrin, por si të ecim përpara.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb