E ftuar në emisionin “Real Story” në News 24, me Sokol Ballën, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi iu përgjigj pyetjes se pse kishte ndryshuar kursi opozitar nga protestat e forta të një viti më parë kundër Ramës, tek ulja në tryezë bisedimesh.

Ndonëse nuk pranoi që një gjë e tillë të ishte rezultat i presionit të ushtruar nga ndërkombëtarët, teksa fliste për këta të fundit, Kryemadhi tha se, opozita ka arritur t’i iluminojë ata. Sipas saj deri më tani ata kishin krijuar një mur kinez e i linin fushë veprimi kryeministrit Rama.

“Të gjitha vendimet tona që mund të kenë qenë radikale, arbitrare sot i japin opozitës të drejtë të madhe për sjelljen e saj sepse kanë qenë shumë gjëra underground dhe nën rrogoz, të cilat kanë qenë të padukshme dhe për mediat dhe për ndërkombëtarët dhe sigurisht që ne si opozitë nuk mund ti nxjerrim siç është puna e asaj shtëpisë që nuk i nxjerr dot të gjitha gjërat në tavolinë. Se kur thua një gjë këtej thonin kanë frikë nga reforma në drejtësi, tani nuk mund të thonin kanë frikë nga reforma zgjedhore se ç’mund të bënte reforma zgjedhore me opozitën. Sot mjafton të pyesni njerëzit që janë përdorur më shumë nga Edi Rama kundër opozitës, do të shikoni se janë ata të cilët janë flamurtarët dhe flasin më shumë nga të gjithë për gjithë sjelljen diktatoriale të Edi Ramës në administratë dhe kapjen e administratës dhe sistemit të drejtësisë. Kështu që ne kemi tarifën e një fitoreje shumë të madhe në përccarje ose në iluminizmin e faktorit ndërkombëtar të cilët për hir të së vërtetë ne jemi një pikë në oqeanin e tyre. Nuk krijojmë asnjë lloj problematike për ta”,- tha Kryemadhi.

Ajo foli po ashtu edhe për marrëdhënien mes Ramës e Bashës dhe mohoi që mes tyre mund të ketë ndonjë takim.

“Unë besoj se ju e keni lexuar marrëveshjen që është firmosur. I ka të gjitha pikat e tjera të Këshillit Politik që do të vazhdojnë të ecin njëra pas tjetrës duke filluar që nga problematikat për shitblerjen e votive, me radhë që për mua janë teknikalitete të cilat në një farë mënyre ulen dhe zbardhen në një letër por që vazhdojnë pastaj me një vullnet politik nga ana e qeverisë se nga ana e opozitës nuk ka çfarë të ofrojë më opozita. Dhe pjesa tjetër, sot nuk ke më kohë për t’u ulur se nuk ke për çfarë të ulesh me z.Rama në tavolinë, z.Basha se dhe z.Basha ia ka bërë shumë të qartë.

Tashmë ata të dy takohen në kutinë e votimit, nuk takohen më në tavolinë. Pse ndodh kjo? Kjo ndodh se vetë sjellja arrogante dhe fyese e z.Rama ndaj opozitës ka mbyllur dhe ka prerë çdo lloj ure të komunikimit që mund të ndodhte normalisht në një vend normal dhe demokratik. Dhe tjetra radikalizmi dhe sjellja e opozitës, vërtetë e thashë pak më përpara ka pasur kosto personale ndaj individëve, drejtuesve të opozitës, por nga ana tjetër ka thyer një mit, i vuri vulën shembja e Teatrit, të një njeriu artist avangard që nuk ka gjë “po ia falim këto veprimet diktatoriale po ky është njeri i artit, njeri i botës së kulturës”, ky nuk qenka as njeri i artit as i kulturës, ky qenka vandalist ky prish dhe artin dhe kulturën.”,- tha ajo.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb