Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka prezantuar kandidaten e LSI në Poliçan, Esmeralda Hoxhën.

Kryemadhi thotë se ndërsa në Tiranë votat mund të merren duke dalë nëpër media, në Skrapar e Poliçan ndodh ndryshe pasi këtu duhet të takosh njerëzit.

Sipas saj, gjithë zona e Skraparit nuk duhet parë vetëm si zonë turistike, por edhe si një pikë ekonomike.

Ajo thekson se një nga qëllimet primare të LSI në këto zgjedhje është që t’i jepet fund tranzicionit shqiptar të 30 viteve si dhe të rikthejë shpresën tek shqitparët.

 

FJALA E MONIKA KRYEMADHIT

T’i rikthejmë Poliçanit vëmendjen e duhur, duke krijuar më shumë vende të reja pune të mirëpaguara!

Sot kam kënaqësinë më të madhe që përfaqësoj Esmeralda Hoxhën, por që në fakt gjithë Poliçani e njeh si Eranda, por nuk ka lidhje me ato të dekriminalizimit. Ajo është mësuese. Sot një nga pikat tona kryesore është edhe arsimi. Këtu kemi sot edhe profesor Agimin dhe profesor Bajrami.

Për hir të së vërtetës, mësuesia dhe arsimi kanë rënë jashtëzakonisht për shkak të mungesës së infrastrukturës, për shkak të vlerësimit që ne i bëjmë mësuesit, për shkak të mundësive që janë shumë të vogla dhe çdo ditë dhe më shumë nxënësit po largohen nga bankat e shkollës për shkak të varfërisë. Sepse prindi më mirë e çon në emigracion, sesa ta lejojë dhe ta mbajë në shkollë, sepse thotë: Nuk kam bukë të ha!

Ndaj një nga pikat tona kryesore ku ne jemi fokusuar goxha, madje ne kemi vendosur edhe shumë mësues në listat tona të LSI-së, të pedagogëve, të profesorëve. Ka edhe mjekë dhe juristë, edhe inxhinierë, por kjo ka qenë një nga arsyet se përse edhe ne jemi fokusuar shumë tek arsimi.

Sikurse është ‘Taksa e së ardhmes’, që është 1 për qind për të krijuar një investim në infrastrukturë, në pagat e mësuesve, ashtu siç është edhe procesi ‘Mëso dhe fito’ për shkollat profesionale që është një mundësi për të krijuar hapësira të reja dhe për të pasur një arsim cilësor.

Unë Esmeralda të falënderoj shumë. E di që është një sfidë e madhe për ty, aq më shumë kur strukturat e shtetit, siç janë kthyer Drejtoritë Arsimore në kasaphane ndaj mësuesve, të cilët kanë revoltë ndaj metodologjisë dhe mënyrës se si funksionon sot sistemi arsimor. Megjithatë 43 ditë na ndajnë nga dita e zgjedhjeve të 25 prillit.

E di që e kanë pritur jashtëzakonisht mirë qytetarët në Poliçan, por edhe jashtë saj, ndihen komod me angazhimin tënd, ndihen mirë, ndihen të respektuar dhe në fakt mendoj që ne na duhet të kemi një zë nga Poliçani. Pasi Poliçanin gjithmonë e kanë parë si një xhep, si një tangjent, sepse ose e përdorin për të kaluar në Malin e Tomorit, ose për në Skrapar.

Ndaj mendoj që Poliçani është një pikë strategjike, vërtet është një qytet i ri nga ana e infrastrukturës, por nga ana tjetër ka pasur një fuqi ekonomike për gjithë zonën e Skraparit, por edhe gjithë Shqipërinë shumë vite më parë.

Mendoj që këtë institucion, bashkë me Arditin, edhe me Blenardin, në grupin e punës dhe në programin që ne kemi është që të fokusohemi në krijimin e hapësirave të vendeve të punës, po ashtu edhe për të rifutur asetet inxhinerike, siç kemi Altinin e shumë e shumë të tjerë, të cilët janë profesionistë dhe që duhet të jenë pjesë për tra rikthyer në punë uzinën dhe kombinatin e Poliçanit.

Ne nuk duhet ta shikojmë Skraparin vetëm si ajo zona turistike me kanionet apo nga Mali i Tomorit, por ta shikojmë edhe si një pikë ekonomike që krijon hapësira, vende të reja pune, punë të mirë paguar dhe profesionistë të rinj.

Beteja jonë është ti japim fund këtij tranzicioni dhe të rikthejmë besimin dhe shpresën tek shqiptarët!

Kombinati është shumë i rëndësishëm për zonën tuaj, por ne nuk duhet ta përdorim thjesht për politikë atë gjë. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm, sepse në fund të fundit ky është vendi ynë. Dhe të mos harrojmë që edhe për kanionet e Skraparit na filluan atëherë jo hidrocentrali, jo ti merrnin me pllaka, kur pasuria më e madhe që ka Skrapari janë kanionet.

Ndaj dhe ne duhet të kemi në strategji, një plan zhvillimi për zonën që njerëzit të mos shikojnë thjesht gjëra për të shkatërruar natyrën dhe për tu ushqyer, por për të prodhuar gjëra të mira, për të krijuar vende pune, për të eksportuar. S’kemi pse të importojmë fishekzjarrë nga Kina, kur ne mund të prodhojmë vetë këtu.

Vendosja në punë e Kombinatit do të krijojë edhe mundësinë e zgjerimit të rrugës, hapjes së infrastrukturës, krijimit të shumë gjërave të tjera që e zhvillojmë më shumë zonën.

Nëse ne nuk mendojmë të krijojmë një sistem që u del për Zot edhe pensionistit, edhe të punësuarit, mjekut, mësuesit, studentit por edhe atij fëmijës në kopsht, atëherë është e kotë. Ne nuk luftojmë për të çuar disa deputetë në Parlament, ne luftojmë për të ndryshuar këtë sistem, të mbyllim tranzicionin, që mësuesi të ketë një pagë të mirë paguar dhe dinjitoze, që shkollat tona të kenë laboratorë. Të mos bëhet ora e kimisë, orë fizkulture. Të mos mungojnë mjekët, infermierët, mësuesit, sepse po merren për politikë dhe po futen nëpër punë. Të mos mungojnë inxhinierët, e deri tek polici, që duhet të jetë imazhi ynë kryesor.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb