Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka prezantuar kandidatin e LSI në Librazhd, Sokol Skurra.

Kryemadhi thotë se Librazhdi si shumë qytete të Shqipërisë po vuan nga shpopullimi, dhe për këtë arsye ata që jetojnë në këtë qytet duhet të kenë paga më të larta se ata në Tiranë në mënyrë që të ripopullohet.

Ajo gjithashtu ka folur edhe për padrejtësitë që u janë bërë qytetarëve, duke theksuar se reagimi për ndaj tyre do të vijë nëpërmjet votës në 25 prillit.

 

FJALA NGA MONIKA KRYEMADHI

Ne e dimë shumë mirë si ka qenë Shqipëria më përpara. Ne e dimë shumë mirë sesi Librazhdi kishte studentët më të mirë, me rezultatet më të mira në mësime. Kudo që ishin, ishin ekonomistët, mjekët më të mirë. Ishin kudo i gjeje, ata që kishin cilësi jo vetëm në mësimdhënie dhe rezultatet e tyre, por edhe përgjegjësinë për realizimin në punët që bënin. E pra sot, jo vetëm Librazhdi, por edhe Përrenjasi, Gramshi, Belshi, Cërriku, janë qytete të cilat po shkojnë drejt falimentimit, drejt mbylljes së tyre për shkak se po i ikin të rinjtë dhe të rejat.

Detyra jonë kryesore është që nëse një student, një ekonomist, një agronom, kushdo që jeton dhe punon në Librazhd duhet ta ketë pagën më të madhe së të jetojë dhe punojë në Tiranë. Sepse vetëm kështu mund të ripopullojmë qytetet tona. Mund të ri shfrytëzojmë pasuritë tona natyrore të cilat na i ka dhënë Zoti. Na ka bekuar Zoti me një klimë të jashtëzakonshme, një pozicion gjeografik, me çdo gjë, me ujë, me lumenj, me liqene e dete. Dhe ne sot faktikisht marrim përgjegjësitë tona më të mëdha politike, sepse duhet të rikthejmë atë që na takon. Na takon që të jetojmë të lumtur, të lirë në vendin tonë. Të kemi mundësitë dhe shanset që të bëjmë politikë dhe të jemi të barabartë. Dhe të mos i kthehemi më asaj që për idetë, për mendimet, për argumentimet tona, ne të bëhemi kasapë të bindjeve të secilit prej nesh.

Ajo që kam vlerësuar më shumë tek ty Koli, se në të dy njihemi bashkë që në Forumin Rinor Eurosocialist Shqiptar dhe ndoshta kjo na ka bërë edhe për ta njohur më shumë njëri tjetrin, për të qenë të konsoliduar në marrëdhënien tonë politike. Por dua të them diçka, çdo provokim që Rilindja bën ndaj teje, çdo presion që Rilindja bën jo vetëm ndaj teje, por ndaj kujtdo tjetër, më shumë e shton urrejtjen ndaj atyre, më shumë shton urrejtjen e djemve dhe vajzave të Librazhdit ndaj tyre. Sepse nuk ka turp më të madh sesa vëllai vëllait t’i bëjë prapaskena të tilla. Nuk ka turp më të madh sesa Taulant Balla të ngrihet kundër Sokol Skurës, që sot është deputet atje prej votave të Sokol Skurës, prej votave të djemve dhe vajzave të Librazhdit, grave, nënave të Librazhdit. Sepse ajo që është më e rëndësishme, ajo që ne duam dhe kemi moralin e marrëdhënies njerëzore me njëri tjetrin, politika është politikë, por njerëzillëku është njerëzillëk. Asnjëri nga ne nuk e merr karrigen me vete, ama emri që lëmë për fëmijët e për prindërit tanë, është shumë i madh.

Unë jam shumë e nderuar dhe e respektuar që jam sot këtu, por më shumë që jam me ty Koli, me Ermalin, me Ligjërien, me gjithë çunat e gjithë zonës së Librazhdit, por jam e nderuar që kam dhe Mitatin, që është një luftëtar i hershëm i LSI-së. Dua të them që jo vetëm vota për Sokolin është votë për LSI-në, por duke votuar Sokolin ne duhet të tregojë që partitë politike duhet të përfaqësohen me njerëz që përfaqësojnë komunitetin, me njerëz që ju përfaqësojnë ju, me njerëz që përfaqësojnë problematikat tuaja dhe i zgjidhin ato.

Angazhimet tona nuk janë më thjesht angazhime politike e programore, të cilat i kanë të gjitha partitë politike. Por angazhimet tona janë angazhime të cilat ne do t’i çojmë drejtpërsëdrejti për t’i realizuar, qoftë për të zhvilluar ekonomike, arsimin dhe shëndetësinë, apo edhe për të vazhduar atë që është akoma më e rëndësishme, lidhjen e njerëzve me zonën, të blegtorisë, të industrisë, të bujqësisë apo edhe të zhvillimeve të tjera.

Librazhdi është shumë afër me pikën kufitare, por shumë afër edhe me Tiranën dhe Portin e Durrësit. Mbaj mend që ka pas qenë fabrika e duhanit shumë kohë më para, ku eksportohej duhan dhe ishte një nga eksportet më të mëdha që bëhej. Bëheshin Malborot në kohën e Partisë së Punës, të cilat ishin një treg i jashtëzakonshëm. A vazhdon sot kjo gjë? Me ritme më të ulëta. Por përveç kësaj, ne kemi qenë para disa kohësh, në Kutërman dhe që është zonë me qershia. Një nga problemet më të mëdha ishte rruga, që nuk transportonin dot qershitë për shkak të infrastrukturës, sepse kur vinin qershitë në Librazhd ishin bërë amita, në vend që të shkonin të eksportoheshin. Por të mos harrojmë që ato qershi që ishin bërë atje ishin fuqi punëtorë, ishin energji, ishin kosto e atyre banorëve dhe më e pakta që duhet t’u bëjë shteti është që t’u garantojë rrugën, e jo më pastaj të gjithë subvencionin tjetër që vjen për bujqësinë. E kështu me radhë, për të mos vazhduar pastaj me blegtorinë, me të gjitha nënproduktet e saj që janë një mundësi shumë e madhe. Sot një bidon ujë gjysëm litri kushton më shtrenjtë se një bidon 1 litër e gjysëm qumësht, gjë që është mund, është djersë, eshtë angazhim i një familjeje për gjënë e gjallë që ata kanë në shtëpi.

Pra problemet janë pafund, unë e di që është një detyrë e madhe. Këtu na ka dhënë një avantazh edhe kodi i ri zgjedhor, që për hir të së vërtetës kur e nis Edi Rama, e nisi për t’i prishur punë LSI-së, por në fakt i ka krijuar një avantazh shumë të madh, jo vetëm për të promovuar djemtë dhe vajzat e reja, por edhe shumë njerëz të rinj. Sepse sot më shumë se kurrë politika shqiptare ka nevojë për njerëz të rinj. E di Koli që sulmet ndaj teje janë të jashtëzakonshme, por fisnikëria jote ka qëndruar që sulmet e të tjerëve ti i ke marrë gjithmonë mbi veten tënde. Por mos u shqetëso, se ne sa të përulur jemi në momente të caktuara, aq edhe kryengritës jemi, aq edhe reagues jemi. Dhe jam e bindur që qyteti i Librazhdit reagimin për çdo padrejtësi që të është bërë ty dhe familjes tënde do ta japi nëpërmjet votës më 25 prill, duke votuar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb