Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka prezantuar programin politik të LSI për zgjedhjet e 25 prillit. Sipas saj, prioritetet e panegociueshme të LSI janë punësimi dhe ekonomia.

Gjithashtu ajo ka zbuluar në mënyrë surprizuese se LSI ka rënë dakord me politikat e PD që të vendoset taksa e sheshtë 9%.

Ajo nuk ka kursyer akuzat ndaj qeverisë aktuale, duke thënë se në 4 vitet e fundit shqiptarët jetojnë më keq se më parë, dhe tani është koha për ndryshim me paga më të larta.

 

FJALA E MONIKA KRYEMADHIT

Doja ta filloja fjalën time me një faleminderim për të gjithë grupin e programit, të cilët për më shumë se 9 muaj kanë punuar nën drejtimin e z. Haxhinasto dhe kanë hartuar një program cilësor, real dhe me efekt të shpejtë dhe të drejtpërdrejtë në ekonominë e shqiptarëve.
Sot të gjitha familjet shqiptare po mundohen për të mbijetuar, po përpiqen për të gjetur punë apo për të ulur koston e lartë të jetesës. Ne tashmë e dimë që shumica shqiptarëve janë më keq se 4 vite më parë, paguajnë më shumë taksa se 4 vite më parë, çmimet janë shumë më të larta se 4 vite më parë.
Pra, shqiptarët përballen sot me një qeverisje jo vetëm që ka dëmtuar shtetin dhe ekonominë e tyre deri në palcë. Arroganca dhe paligjshmëria kanë dëmtuar rëndë institucionet vendimmarrëse dhe të pavarura, edhe duke injoruar dhe shkelur Kushtetutën dhe shkatërruar institucionet e pavarura, të cilat janë të domosdoshme për funksionimin e shtetit.
Kjo sjellje e Rilindjes ka dëmtuar rëndë besimin dhe shpresën e shqiptarëve dhe kështu dëmtoi edhe besimin tek demokracia e cila ishte frymëzuesja e rinisë shqiptare në vitet 90’ për përmbysjen e diktaturës dhe për të krijuar një sistem të ri.
Në këto 4 vite shqiptarët jetojnë më keq se ç’kanë jetuar 4 vite më parë pjesa dërmuese e rinisë shqiptare po humbet shpresën nëse nuk e ka humbur tashmë. Prandaj sot me shumë se kurrë lind nevoja e ndryshimit, i cili vjen me votë por edhe me ndërgjegjësim dhe duke sjellë besim tek njerëzit.
Njerëzit kanë nevojë për besimin që ngjall shpresën dhe kjo shpresë e dërmuar nga keqqeverisja mund të kthehet vetëm duke folur me njerëzit me një program dhe plan të qartë dhe real që ne si Lëvizje Socialiste për Integrim e kemi tashmë prezent për ta prezantuar dhe ofruar të gjithë qytetarëve.
Kemi një program i cili ka në thelb të tij punësimin, një punësim të mirëpaguar, rimëkëmbjen e ekonominë dhe arsimin e brezit të ri, ku rinia jonë duhet të jetë konkurruese jo vetëm në tregun e punës por edhe në fushën e teknologjisë dhe inovacionit me vendet fqinje dhe pse jo rajonin tonë dhe pse jo edhe më gjerë në të gjithë botën.
Është Koha për ndryshim dhe shqiptarët kanë nevojë për një ndryshim të shpejtë dhe të menjëhershëm.

5 prioritetet për 5 muajt e parë të qeverisjes nga progami i LSI

1- Programi i rimbursimit 5% të vlerës së çdo blerje, me përjashtim të shpenzimeve që kryhen në entet publike. Çdo qytetar do t’i kthehet mbrapsh 5% për çdo shpenzim që do të bëjë.

2- Mbështetje për familjet e reja dhe rritje të lindshmërisë. Programi nga “Bebja në bebe” duke krijuar fondin për çdo fëmijë të lindur që do ti kthehet në momentin që riprodhon vetveten. 1000 USD fond fillestar deri në maturim rreth 25.000 USD.

Në momentin që një bebe lind, në emër të tij hapet një fond investimi prej 1000 USD, i cili vendoset në një fond investimesh dhe i kthehet bebes në momentin që ai riprodhon vetveten. Kur ai bëhet prind. Duke patur parasysh se mosha mesatare që ai riprodhohet është llogaritur rreth 25 vjec. Mund të jete edhe me shume prej interesave të fondit të investimit.

3- 1% Taksa e të Ardhmes për arsimin për 200 kompanitë më të mëdhatë.

4- Të masivizojë programin “Mëso dhe Fito”, duke rritur numrin e shkollave profesionale dhe gjithashtu duke përmirësuar kurrikulën profesionale të tyre, me parimin e gërshëtimit të arsimit profesional me marrjen e dijeve teorike duke mundësuar që gjatë vitit shkollor nxënësit edhe të mësojën, por edhe të zhvillojnë praktika pune të paguara në të njëjtën kohë.

5- TVSH 0% për prodhimet bujqësore dhe blegtorale Made in Albania; Pajisja me Kartën e Fermerit me zbatimin e së cilës bëhet zbritja automatike e pagesës së TVSH-së për imputet bujqësore, (plehra kimik, fidanë, fara, naftë), për rimbursimet dhe subvencionet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb