Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, zhvilloi këtë të diel një bashkëbisedim me të rinjtë profesionistë në zonën e Kombinatit, me të cilët foli për problematikat e kësaj shtrese të shoqërisë.

Mes të tjerash, Kryemadhi u ndal te programi i LSI për rininë, duke thënë se ka politika të qarta, të prekshme dhe të realizueshme, duke filluar nga 5 për qind rimbursim të shpenzimeve familjare.

“Një tjetër investim i yni është taksa 1 për qind që ne kemi vënë për të ardhmen. Duket si e vogël por krijon një efekt, një impakt goxha të madh për buxhetin për arsimin. A duhen taksuar më shumë të pasurit më shumë për taksën e arsimit? Ndoshta po. Por le ta fillojmë njëherë sepse nuk taksohen. Ta fillojmë njëherë të vendosim një taksë 1 për qind, që nuk është vetëm për të pasurit, por kushdo do ta paguante taksën e arsimit, në momentin që do të shikonte që kjo do të ketë një impakt të drejtpërdrejtë në arsim.

Por nga ana tjetër, mungesa e një vizioni nga ana e qeverisë, ose ndërtimi i një strategjie për të folur në bazë të batutave, ose duke u marrë me të tjerët, nuk është se ne na krijon hapësira për të rritur punësimin, për të rritur cilësinë e arsimit, për të krijuar hapësira më shumë për vende të reja pune të mirëpaguara, përkundrazi i demoralizon njerëzit. Ne si LSI jemi shumë të qartë në politikat tona. Ne kemi 5 prioritete, shumë të thjeshta, të cilat janë të prekshme dhe të realizueshme menjëherë, duke filluar nga 5 për qind rimbursim të shpenzimeve familjare.

Më pas për të vazhduar te projekti ‘Mëso dhe Fito’ i të rinjve që është një nga projektet shumë më të mira, për shkak sepse të rinjtë që janë në shkollat profesionale kanë mundësi që edhe të rriten profesionalisht, por njëkohësisht edhe të paguhen dhe të kenë mundësi të ndihmojnë familjen e tyre, ose edhe veten e tyre ekonomikisht. Ndërkohë është edhe programi ‘Nga bebja në bebe’ që është për ju të rinjtë. Ne jemi të sigurt në momentin që fillojmë dhe mendojmë për të ardhmen.

Unë isha dje në Fier, Vlorë, Lushnje dhe ishte një djalë, që ishte disi më i zhdërvjellët se ç ‘duhet dhe më tha që i pëlqente ky programi ynë nga ‘bebja në bebe’, sepse më tha që edhe sikur të më ndodhë gjë mua, të paktën fëmija im, do të ketë mundësi që të shkollohet apo të ketë diçka për veten. Ky ishte djali i një polici të vrarë. Ndërsa sot, tha ai, edhe babai im është vrarë në krye të detyrës, por për mua nuk mendon njeri.

Shumë prej nesh kemi qenë në dilema kur kemi filluar të ndërtojmë familjet tona, sepse kemi menduar se ç’do të ndodhë me fëmijët tanë. Dhe në momentin që ne e eliminojmë një dileme të tillë për të ardhmen e fëmijëve tanë, sigurisht që motivimi i brezit të ri do të jetë shumë më i madh për tu rritur profesionalisht dhe ekonomikisht. Një shoqëri që nuk mendon për të ardhmen e vet, normal që do të jetë e destinuar për të ‘vdekur’, ose për tu shuar, prandaj edhe ne si LSI fokusohemi shumë tek rinia. Ne jemi një parti që e mbajmë fjalën, na pëlqen të punojmë me të rinjtë. Mua personalisht më pëlqen të punoj me të rinjtë për shkak të energjisë, pozitivitetit që kanë, por edhe ëndrrave. Vetëm kështu ne mund të ecim përpara për të bërë realitet ato prioritete që janë të mundshme”, tha Kryemadhi.

Më tej, kryetarja e LSI theksoi se “sot Shqipëria a shumë probleme, probleme pa fund që vijnë duke u shtuar, dhe kjo edhe për shkak të keq manaxhimit ose edhe të një shpërdorimi të besimit që ne, në shumicën e rasteve, i japim partive politike ose qeverive”.

Ne ditën e djeshme kemi qenë në qytetin e Vlorës dhe ajo që më bëri përshtypje ishte që, te takimi që zhvilluam me gratë dhe vajzat, kishim shumë nëna të reja, të cilat ose sa kishin lindur, ose i kishin fëmijët nga 2-3 vjeç, të cilat ishin me shkolla të larta: avokate, ekonomiste, inxhiniere, që nuk ishin marrë ndonjëherë me parti politike dhe tashmë e shikonin të domosdoshme përfshirjen. Ndërkohë edhe takimi që patëm me të rinjtë në mëngjes ishte edhe ai i jashtëzakonshëm, pjesa më e madhe e të cilëve ishin të shkolluar. Mes tyre takova një mjek, Xhinon, ishte diplomuar në Poloni për Mikrobiologji dhe ishte pa punë, kundër ndërkohë ne kemi mungesa të jashtëzakonshme, sidomos për mjekë mikrobiologë.

Megjithatë, sot Shqipëria ka shumë probleme, probleme pa fund që vijnë duke u shtuar, dhe kjo edhe për shkak të keq manaxhimit ose edhe të një shpërdorimi të besimit që ne, në shumicën e rasteve, i japim partive politike ose qeverive. Një nga pikat tona kryesore që ne mendojmë se është shumë e rëndësishme është arsimi. Arsimi për ne është nuk quhet kurrë në poliitkat tona shpenzim, por quhet investim. Një shtet, një shoqëri, që nuk investon në arsim, sigurisht që nuk mund të ketë të ardhme. Dhe për ne arsimi, dhe për këtë dua të përgëzoj Floidën, pasi ajo me gjithë ekipin, me Kejdin, me Norën, me profesor Mondin, kanë bërë një program të jashtëzakonshëm përsa i përket arsimit.

Arsimi shqiptar ka ardhur duke u rrënuar në vitet e tranzicionit, e tashmë po merr dërrmën përfundimtare, sepse nuk e kanë parë kurrë si një element që e rrit, e zhvillon shoqërinë dhe e fut konkurrencën për punën, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë. E kanë parë si një xhep që mendohet vetëm për rrogat e mësuesve thjesht sa për të ngrënë bukë, dhe asnjëri nuk mendon për kërkimin shkencor, për laboratorët, për rritjen e cilësisë së mësimit, për rritjen e kurrikulave, për krijimin e kurrikulave konkurrente. Ajo që na ka bërë përshtypje është fakti që etja e shoqërisë shqiptare për arsimin është e jashtëzakonshme, sidomos e brezit të ri”, shtoi ajo.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb