TIRANË

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi deklaroi sot se kryeministri Edi Rama po punon për të shtyrë zgjedhjet.

Kryemadhi tha se këtë gjë e kishte kuptuar pasi kishte parë listën e kandidatëve për kryetarë bashkie të publikuar sot nga socialistët.

Sot Edi Rama ka shpallur listën e kandidatëve për kryetarë bashkie. Mendimi Juaj?
Kur kam parë listën e kandidatëve që ka propozuar sot Partia Socialiste aty kam kuptuar që zgjedhjet lokale Edi Rama po punon për t’i shtyrë. Kjo është mëse e kuptueshme. Ka ata deputetë, të cilët kërkon ti largojë nga Kuvendi, sepse nuk ndihet i sigurt me deputetët e tij socialistë dhe nga ana tjetër po të shikosh janë thjesht kandidatë kalimtarë.

Pra besoni se do të ketë një shtyrje të zgjedhjeve?
Zgjedhje nuk do të ketë. Kjo është shumë e qartë. Dhe unë jam e bindur. Po të shikoni në Shqipërinë më të rrudhur, është prapë protesta. Vijmë me 16 shkurtin, vijmë me protesta e tjera, të cilat kanë ardhur duke u shtuar. Sot janë dyfishi i protestës së kaluar. Kjo më jep shpresë, kjo më entuziazmon për të kuptuar që njerëzit janë sensibilizuar, njerëzit nuk janë dakord me arrogancën e qeverisë së Edi Ramës, dhe njerëzit mbi të gjitha kanë kuptuar që reagimi është domosdoshmëri për të ndryshuar realitetin.

Një pyetje lidhur edhe me qëndrimin e ndërkombëtarëve. Dy vite më parë, ndoshta në situatë të ngjashme politike kemi pasur një angazhim të ndërkombëtarëve si të BE-së por edhe SHBA-ve, ndërsa këtë herë shohim se ata ia kanë lënë në dorë zgjidhjen politikës në Shqipëri, si e shikoni këtë qëndrim?
Sepse kemi qenë ne ata që kemi kërkuar që këtë gjë do ta zgjidhim vetë ne. Tashmë shqiptarët nuk mund të mbajnë më sëmundjen brenda trupit të tyre dhe të lyejnë me makijazh të sëmurin që po lëngon. Sot kërkohet një ndërhyrje e thellë e menjëhershme, e dimë që do të jetë e vështirë, e dimë që do të jetë e lodhshme, e dimë që do të jetë drobitëse por ajo që është më e rëndësishme është që ne duhet ti japim njëherë e përgjithmonë dërrmën kësaj sëmundjeje të rrezikshme që ka emrin e tranzicionit që bashkëngjitet bashkë me krimin e organizuar. Edhe një gjë tjetër për ndërkombëtarët që flasin për çështjen e precedentit, po e them nga kjo protestë kaq e madhe, që është një nga protestat më të mëdha që është bërë ndonjëherë në rajon edhe pse jemi populli më i vogël, edhe pse jemi populli më i varfër, edhe pse jemi populli më i papërkrahur nga ndërkombëtarët.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb