Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi dha një tjetër mesazh nga protesta e sotme e opozitës. Duke iu referuar situatës dhe zgjidhjeve, Kryemadhi tha se më e rëndësishme për të gjithë është e ardhmja e fëmijëve të shqiptarëve.

Ajo deklaroi se kryeministri Rama nuk do lejohet të destabilizojë Shqipërinë.

“Unë mendoj që ne sot duhet të mendojmë se çfarë është më e mirë për qytetarët, është karrigia e Edi Ramës? Është karrigia e kryetarëve të partive të opozitës? Është karrigia e deputetëve apo është jeta e qytetarëve? Është puna për shqiptarët, është familja për shqiptarët është e ardhmja e fëmijëve shqiptarë, janë taksat e ulëta apo çfarë? Mendoj që më e rëndësishme për të gjithë ne është e ardhmja e fëmijëve të shqiptarëve. Ne duam të jetojmë në Shqipëri dhe duam ta bëjmë Shqipërinë një vend të Bashkimit Evropian”, tha Kryemadhi.

E pyetur nëse po përçoni një mesazh me mbishkrimin në bluzën e saj, Kryemadhi tha: “Unë jam në Shqipëri, do të jetoj dhe do të luftoj për Shqipërinë, sepse dua që fëmijët e mi të jetojnë në Shqipëri. Ashtu siç dua unë që t’i përkëdhel fëmijët në mëngjes dhe në darkë, ashtu janë të gjithë shqiptarët. Ndoshta unë e kam mundësinë për t’i parë fëmijët, por janë me qindra mijëra shqiptarë që nuk e kanë këtë mundësi. Do të dëshiroja siç iu është dhënë mundësia, ose sikurse Zoti është treguar bujar me mua, të tregohet me politikën shqiptare”.
Ajo tha se duhet të gjithë të lëshojnë nga vetja.
“Të lëshojnë të gjithë diçka nga vetja, të lëshojmë të gjithë çfarë kemi për t’u dhënë shqiptarëve shansin për të gjithë. Edhe për ju gazetarët që të jeni më dinjitozë, me integritet e të pavarur, për median që të jetë e lirë në punën e vetë. Për mjekët dhe doktorët që të kenë mundësi t’u shërbejnë qytetarëve, për mësuesit që të mësojnë fëmijët e shqiptarëve, për të gjithë ata që duan një jetë të mirë për fëmijët e tyre. Shqiptarët janë të rëndë në vendin e tyre. Por unë mendoj që ky është mesazhi më i mirë. Ne jemi këtu, do të qëndrojmë këtu. Të mos harrojmë që Shqipëria ka qenë një nga vendet që ka krijuar gjithmonë stabilitetin në rajon, por edhe destabilitetin. Ne nuk do të lejojmë as Edi Ramën e as bandën e tij që të destabilizojë Shqipërinë”, deklaroi Kryemadhi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: