Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi iu bashkua edhe natën e sotme artistëve të cilët janë në mbrojtje të Teatrit Kombëtar që prej tre ditësh.

Kryemadhi mbajti dhe një fjalim ku tha se të gjithë artistët dhe politikanët do të qëndrojnë gjithë natën, pavarësisht se absurditeti është jashtë çdo norme për të ndodhur në orët e natës.

Fjala e plotë e Monika Kryemadhit:

Pati një lloj intensiteti, por që mua nuk mu duk ashtu. Mu duk situata shumë e qetë. Normal që policët e shkretë, të cilët si mjekët që po vuajnë më shumë se kushdo tjetër këtë pandemi çmendurie të izolimit, janë ata që po vuajnë më shumë se kushdo dhe janë me rroga shumë të ulëta. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të jenë shumë të kujdesshëm me policët, të mos provokohen, sepse në fund të fundit dhe ata janë njëlloj si ne. Në fund të fundit ata janë, po themi vala e parë e përballjes me këtë situatë çmendurie. Këtu normalisht do të qëndrojmë dhe e kemi thënë që gjithmonë do të ketë një figurë publike, deputet, ish deputet, politikanë, artistë, të cilët do të qëndrojnë gjithë natën, pavarësisht se absurditeti është jashtë çdo norme për të ndodhur në orët e natës. Por tani këtu kanë ndodhur gjëra shumë absurde, kështu që edhe këtë gjë e presim. Por sigurisht ne e kemi bërë shumë të qartë, nuk ka nevojë për të pasur shumë njerëz, nuk ka nevojë për të pasur forcë, nuk ka nevojë për të pasur agresitivitet. Është shumë e thjeshtë: nëse do të vijnë fadromat, Monika Kryemadhi, Lulzim Basha dhe gjithë të tjerët do të jemi përballë fadromave dhe le të hipin mbi trupat tanë. Ua kam thënë dhe ua them gjithmonë, nuk ka nevojë as për 10 mijë veta, as për 2 mijë, as për 1 mijë, as për 100 veta. Vetëm ne këtu, kaq. Po të duan le të kalojnë. Prandaj u bëj thirrje të gjithë qytetarëve, turni i natës vazhdon përsëri. Shoqëria civile, përfaqësues të partive politike, të lëvizjeve politike, janë këtu, do të qëndrojnë këtu gjithë natën siç qëndruam ne dje, PD një ditë më përpara e kështu me radhë. Ne do të jemi këtu dhe sigurisht pastaj që beteja jonë këtu nuk është betejë politike, është betejë për trashëgiminë, është betejë për kulturën, është betejë për të ardhmen e fëmijëve tanë, sepse në fund të fundit kjo godinë sado e vjetër të jetë, është si puna e verës sa më e vjetër të jetë aq më e mirë është. Nganjëherë këto verërat e reja janë shumë shumë të tharta dhe të krijojnë aciditet shumë në stomak edhe ulcerë. Kështu që ta shikojmë trashëgiminë tonë kulturore si një gjë shumë të mirë. Unë nuk besoj që italianët apo kryeministri Italian do shembë Koloseumin që të ndërtojë një Koloseum të ri. Apo do të marrë po themi një listë firmash arkitektësh që thonë të prishim Koloseumin që të ndërtojë Kryeministri Italian një Koloseum të ri. Po të duan le të ndërtojnë një Teatër të ri, aty e kanë piramindën, kanë hapësira të tjera publike sa të duan që ta ndërtojnë. Ky Teatër le të vazhdojë të qëndrojë, le të jetë histori, le të jetë ajo që duhet, le të jetë një mundësi për të treguar që lutjet e besimtarëve në Shqipëri kudo që janë Zoti ua ka pranuar që të bëjë Edi Ramën që të tërhiqet nga gjithë kjo çmenduri e madhe. Edhe mendoj që nuk ka absolutisht asnjë arsye për tu acaruar dhe për tu agravuar.
KLSH ka patur një reagim, i ka kërkuar Bashkisë Tiranë që të mos bëjë asnjë ndërhyrje për aq kohë sa Gjykata Kushtetuese nuk është shprehur sepse në të kundërt do ketë edhe penalitete…
Më vjen mirë që ky institucion është shprehur. Kam shumë respekt dhe e vlerësoj. Por po them akoma kjo drejtësia shqiptare nuk qenka zgjuar nga gjumi për të marrë këtë çështjen e këtij vendimit të Këshillit Bashkiak që u falsifikua, që Këshlli Bashkiak nuk është mbledhur dhe këta kanë thënë është marrë vendimi.
Këtë drejtësi nuk po e kuptoj si nuk po lëviz, si nuk po reagon. Prandaj po them që ka absurditete pa fund dhe është gjë shumë e mirë që institucionet shtetërore dhe ato që qëndrojnë në këmbë kanë filluar që të lëvizin.

 

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb