“Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka bërë asnjë negociatë me Sali Berishën”. Kështu u shpreh në një intervistë për Neës24, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi. Ajo tha se negociatat janë bërë nga Endrit Braimllari dhe Petrit Vasili me Belind Këlliçin dhe Flamur Nokën si dhe Oerd Bylykbashin.

“Nuk ka asnjë negociatë me Sali Berishën. Mos dëgjoni Lulzim Bashën që gënjen nga mëngjesi deri në darkë. Dashuritë e Lulzim Bashës me Gaz Bardhin për njëri tjetrin nuk janë dashuri për qytetarët shqiptarë. Nuk ka asnjë negociatë me Sali Berishën. Negociatat janë bërë midis Endrit Braimllarit, Petrit Vasilit, Belind Këllicit, Flamur Nokës. Flamur Nokës për anën organizative. Belind Këlliçit për anën politike që ta marrin dhe ta drejtojnë ata. Me Oerd Bylykbashin është konsultuar për regjistrimin sepse ka të bëjë me kodin zgjedhor”, tha Kryemadhi.

Ajo deklaroi më tej se LSI-ja është një strukturë modeste sot në parlament, por nuk është modeste në elektorat.

“Nuk e intimidon dot LSI-në as Gaz Bardhi, as deklaratat e PD-së nga facebook-u dhe as ndonjë tjetër që paguhet me para që nuk dihet nga e kanë origjinën. LSI-ja është e qartë për misionin e saj. Normal që i duhet kohë, të rikuperojë sepse ka ngrënë thika pas shpine. Duhet të kuptojmë që LSI-ja nuk është Monika Kryemadhi, është përtej, është e të rinjve dhe të reja. Më gjeni një parti që ka prodhuar aq të rinj e të reja sa LSI-ja që sot janë profesionistë dhe kanë arritur diçka”, tha Kryemadhi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb