Për kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi sondazhet e organizuara nuk janë reale, por janë gjoba që vendosin sondazhuesit. Në një intervistë dhënë për gazetarin Rezar Xhaxhiu në “FaxNews”, Kryemadhi ka treguar se mbështetësit e LSI-së janë të palexuesshëm dhe qëndrestar.

“Shikoni çfarë fature kanë sondazhet. Gjithmonë sondazhet e kanë nxjerrë LSI në shifra alarmante, në 2013 as 3 mandate nuk i dhanë LSI-së dhe LSI-ja mori 19 mandate. Votuesi i LSI-së është i palexueshëm, e para. E dyta, votuesi i LSI-së është votues i qëndrueshëm dhe është guerrilas për hir të së vërtetës. Dhe tjetra, unë kam qenë ndër të parat që kam bërë sondazhe në Shqipëri, kur nuk e bënte asnjeri sondazhin në politikë, nuk e dinin që ekzistonte sondazhi politik. Sondazhet e 10 ditëve të fundit nuk janë sondazhe votash, janë sondazhe gjobash, gjoba ndaj partive politike apo individëve të caktuar, mjafton të shikoni faturat financiare që paguhen pas këtyre kompanive, do të kuptoni se cili është qëllimi i këtyre sondazheve. Unë mendoj që ne duhet të bëjmë sondazh për sondazhet dhe kjo është kryesore. Por mendoj që të gjithë qytetarët po t’i pyesësh a janë më të varfër, a paguajnë më shumë para, a paguajnë më shumë taksa, a janë papunë, a kanë falimentuar bizneset, ky është sondazhi më i mirë për ne”, deklaroi Kryemadhi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb