Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka sulmuar sërish kryeministrin Edi Rama në lidhje me aferën e inceneratorëve.

Përmes një mesazhi në rrjetin social ‘Facebook’ Kryemadhi thekson se Rama është i zhytur në këtë aferë. Kryemadhi tha se sipas kontratës së firmosur nga dora e tij, inceneratori i Elbasanit përveç incenerimit të plehrave do të prodhojë dhe energji elektrike.

Mes të tjerash Kryemadhi tha se “Kjo është përgjegjësia personale që ka Edi Rama dhe nga paniku del nëpër studio televizive për t’i bërë presion drejtësisë që të çojë bashkëpunëtorët e tij në burg.”.

REAGIMI I KRYEMADHIT
I zhytur deri në fyt me aferën e inceneratorëve Edi Rama nuk ka lënë studio televizive për të mbrojtur korrupsionin e shekullit të qeverisë së tij.
I kapur në panik nga firma që ka vënë për inceneratorin e Elbasanit, Edi Rama përpiqet të gënjejë të gjithë qytetarët duke i bërë të besojnë se ai është pronë e shtetit shqiptar.
Sipas kontratës së firmosur nga dora e tij, inceneratori i Elbasanit përveç incenerimit të plehrave do të prodhojë dhe energji elektrike. Sipas Edi Ramës(video), kjo pronë dhe ky përfitim do të jetë i shtetit.
Por sot Edi Rama ka harruar çfarë ka firmosur, pasi në kundërshtim me ligjin ai i ka dhënë një tjetër koncesion mbi koncesionin kompanisë, duke i dhënë të drejtën të shesë energjinë e prodhuar nga inceneratori.
Të gjitha bashkitë e qarkut të Elbasanit kanë detyrimin të depozitojnë mbetjet në këtë incenerator. Menaxhimi i është lënë detyrë Bashkisë së Elbasanit, nga djegia e plehrave do të prodhohet energji elektrike që do të shitet nga kompania e lidhur me Edi Ramën. Pra, e thënë thjeshtë bashkia e Elbasanit do të punojë për kompaninë koncesionare duke mos marrë vetë asnjë përfitim. Kjo është përgjegjësia personale që ka Edi Rama dhe nga paniku del nëpër studio televizive për t’i bërë presion drejtësisë që të çojë bashkëpunëtorët e tij në burg.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb