Kryetarja e LSI-së ka zhvilluar një takim sot me qytetarët në Gjirokastër. Kryemadhi tha se një nga problemet më të mëdha është hemorragjia e institucioneve, por se uragani i ndryshimit po ndihet në të gjithë Shqipërinë.

Kryemadhi theksoi se më socialistë se kandidatët e LSI nuk mund të gjejnë dot socialistët e Gjirokastrës, duke iu bërë thirrje të votojnë numrin 6.

“Më shumë socialist se Vangjeli, Monika, Aldi, Berti nuk mund të gjejnë dot socialistët e gjithë qarkut të Gjirokastrës për të pasur shansin për të votuar më 25 prill LSI-në. Sot tek vinim tani rrugës më thotë Vangjeli që nesër naltmadhnia paska takimin në orën 4 pasdite dhe ka marrë gjithë administratën me firma për të qenë prezent. Ai nuk është as lartmadhni, as poshtëmadhni, ai është një në ikje që shkatërroi familjet shqiptare, shkatërroi ekonomitë shqiptare, shkatërroi të rinjtë shqiptarë që i largoi nga Shqipëria dhe aq më shumë po shkatërron çdo ditë e më shumë identitetin tonë. Një nga problemet më të mëdha është ajo që tha Vangjeli, hemorragjia e institucioneve të Gjirokastrës. Është shumë e vërtetë, sepse nuk është e paqëllimshme kjo hemorragji. Nuk është i rastësishëm largimi i Spitalit Rajonal të Gjirokastrës drejt Fierit sepse do t’i detyrojë gjirokastritët, tepelenasit, libohovitët, dropullitët të shkojnë dhe të kurohen në Greqi, kur ndërkohë duhet të kenë spitalin e tyre në mes të qytetit. Nuk është e paqëllimshme largimi i arkivave drejt Lushnjës sepse kërkon tjetërsimin e gurëve të sokakëve të Gjirokastrës, kërkon tjetërsimin e historisë shqiptare. Nuk është e paqëllimshme largimi i Drejtorisë Arsimore, nuk është i paqëllimshëm çdo largim institucional sepse Edi Rama dhe rilindja kërkon të zhdukë historinë tonë, kërkon të zhdukë memorien tonë, kërkon të tjetërsojë flamurin tonë, prandaj ajo që është dhe më e rëndësishme për të gjithë ne, kudo që jemi të mos ndalojmë në asnjë moment dhe asnjë sekondë, të trokasim derë më derë, të bisedojmë me të gjithë njerëzit tanë, me miqtë, familjarët, me qindra janë kthyer nga emigracioni që kanë ardhur për të votuar. Dje takova në Laprakë që kishin ardhur nga Gjermania, Franca.
Po kthehen sepse e dinë që ndryshimi ndodh vetëm me votë, ndodh duke votuar LSI-në. Nuk e prisja atë pritje madhështore nga djemtë e Memaliajt, të Përmetit, të Tepelenës dhe nuk e mendoja që vërtetë do të kishte kaq shumë të rinj në këto zona. Ajo që shikojmë përditë janë fshatrat e braktisur, shtëpitë e braktisura për shkak të mungesës së punës, për shkak të mungesës së zhvillimit ekonomik, për shkak të mungesës së zhvillimit të turizmit, për shkak të mungesës të zhvillimit të jetës së përditshme, për shkak të mungesës të dëshirës dhe vizionit për ta zhvilluar këtë vend”, deklaroi Kryemadhi.

Ajo tha se sot më shumë se kurrë beson tek ekipi fitues i LSI-së. “Besoj tek Elti i cili ka marrë përsipër për të vazhduar dhe për të qëndruar në krye të të gjitha sfidave në Përmet. Besoj tek Elkida, një vajzë e re e cila me sfida të forta për t’u përballur me Rilindjen, me padrejtësitë që i bëhen gruas dhe vajzës shqiptare, besoj tek Myrvetja, një nga bankieret më të mira, besoj tek Berti, një ish-ushtarak që me disiplinën e tij jam e bindur se do e nxjerrë forcë të parë LSI-në në Memaliaj. Besoj tek socialisti Aldi, i cili më shumë se kushdo tjetër e di që vota për LSI-në është vota socialiste e vërtetë. Socialistët e vërtetë e gjejnë veten e tyre tek LSI-ja, tek solidariteti që kemi me njeri-tjetrin. Besoj tek Vangjel Tavo sepse unë dhe Vangjeli jemi themelues të PS dhe të FRESSH. Kemi aspiruar dhe luftuar për vlerat e solidaritetit, për vlerat e demokracisë. Dikush më shpejt, dikush më vonë, por ja si erdhi dita që sot socialistët e ’90-ës u ngritën mbi atë vlerë që besonin tek social-demokracia dhe ecën në të njëjtën rrugë dhe sot jemi bashkë nën siglën e LSI-së. I pata thënë Vangjelit që gjithë ky entuziazëm në Gjirokastër është një mrekulli, sepse është shumë e vështirë ta kesh jo vetëm në vitin 2021, por edhe shumë vite më para. Sepse gjirokastritët, tepelenasit, Memaliaj, libohovitët dhe dropullitët emocionin dhe mbështetjen e kanë me këngën labe por kur mblidhen dhe brohorasin të gjithë bashkë për të sjellë ndryshimin atëherë ai është një uragan i paparë i cili nuk mund të ndalet më. Uragani i ndryshimit do të jetë në gjithë Shqipërinë dhe i pandalshëm. Ngjyra e kuqe e flamurit të LSI-së që është e njëjtë me ngjyrën e kuqe të flamurit kombëtar do të jetë ajo ngjyrë që do t’i japë fitoren jo vetëm LSI-së, jo vetëm opozitës, por rinisë që të kthehet në Shqipëri dhe ta bëjë Shqipërinë shtëpinë e saj. Ne angazhohemi për 5 prioritetet tona të cilat janë të vogla në dukje por shumë të prekshme. Angazhohemi për këto programe dhe pika që i kemi të shkruara sepse jemi jo vetëm partia e fjalës së mbajtur, por jemi dhe partia që e konsiderojmë njeri-tjetrin motra, vëllezër dhe si një familje. Dëgjoja rrugës se si kopjonte sloganin e LSI-së, se si donte të ndihej në shtëpi Edi Rama. Si mund të ndihet në shtëpi një njeri i cili nuk ndërtoi kurrë shtëpi, një njeri që dha me koncesion çdo pëllëmbë të Shqipërisë, një njeri që nuk respekton gruan, nënën shqiptare, një njeri që terrorizon mësuesit shqiptarë, si mund të ndihet një njeri që terrorizon mjekët dhe infermierët, që jep në këmbim të votës vaksinës, një njeri që nuk e ka dashur kurrë këtë vend, i ka përçmuar qytetarët e tij. Ne nuk do të ndëshkojmë Edi Ramën si njeri, ne do të ndëshkojmë Edi Ramën, fenomenin e kalbur të tranzicionit, ku me 25 prill ne do t’i japim fund tranzicionit me votën tonë për LSI-në, numrin 6. Zoti ju ruajtë ju, Zoti ruajtë familjet tuaja, Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët. Fitore më 25 prill duke votuar numrin 6”, deklaroi Kryemadhi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb