SHKODËR

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi është takuar pasditen e sotme me strukturat e kësaj force në Shkodër. Ajo tha nga ky takim se socialistët e gjejnë veten pranë LSI-së dhe se Rilindja e shkatërroi emrin e PS-së.

Kryemadhi ka treguar gjatë fjalës së saj edhe emrat e kandidatëve për deputetë në krye të listës së LSI-së në këtë qark. Bëhet fjalë për Edmond Ndoun dhe Agron Çelën.

“Unë sot e kam filluar ditën që në qytetin e Lezhës, ku pimë kafen e mëngjesit me shokët tanë, me Viktor Tushën, me Petrit Gjonin, me Agustin Markun ish-kryetarin e PS-së së Lezhës, me ish kryetarin e PS-së së Zejmenit, apo edhe shumë të tjerë, që janë miqtë tanë. Kanë qenë miqtë e mi të vjetër në Partinë Socialiste dhe tani janë miqtë e rinj në LSI, por përsëri ngelen miq të vjetër. Sot jemi të gjithë bashkë.
Të gjithë socialistët e gjejnë veten pranë LSI-së, sepse Rilindja shkatërroi emrin e Partisë Socialiste duke degraduar në arrogancë. Dhe pastaj teatri më i madh është kur dëgjojmë dje ‘Deputetin që duam’, ku dëgjojmë sesi Kryeministri pasi largoi mbi 150 mijë të rinj dhe të reja nga Shqipëria sepse nuk i ofroi punë, nuk i ofroi garancinë e diplomave, ku familjet e tyre u detyruan për të paguar për t’i shkolluar dhe ata nuk kishin asnjë mundësi punësimi, ngritën plaçkat në krah dhe kanë ikur jashtë Shqipërisë”, tha Kryemadhi.

Ajo akuzoi më tej kryeministrin Edi Rama se jo vetëm nuk punësoi, por mbylli me qindra mijëra biznese në Shqipëri, shkatërroi ekonominë shqiptare dhe e ktheu atë në duart e 2-3 oligarkëve, të cilët nuk janë as oligarkë me punë, janë oligarkë të emëruar.
“Sepse janë pasuruar me buxhetin e shtetit, me veprimtarinë ku thjesht një firmë e Edi Ramës u ka dhënë atyre 46% të buxhetit të shtetit, me të cilin tallen dhe bëjnë hajgare me paratë e shqiptarëve. Kur ndërkohë shkojmë dhe shikojmë në anën tjetër që kur flitet për t’u rimbursuar dëmet duhet të jesh i formalizuar. Ashtu sikurse unë e thashë në Obot, sipas logjikës së Edi Ramës i bie të formalizojmë lopën, delen, qengjin dhe të vetmin njeri që kemi të pa formalizuar sot është Edi Rama, i cili grabit dhe i varfëron shqiptarët çdo ditë e më shumë”, tha ajo.

Sipas kryetares së LSI-së, qëllimi i kësaj force nuk është për të bërë propagandë, por të tregojmë çfarë ofron.
“Unë në fakt, edhe Goni, edhe Mondi, të cilët do të drejtojnë edhe listën e deputetëve të Shkodrës, pasi bëmë takimet në Obot, kemi pasur takime me faktorë, me socialistë që do t’i afrohen LSI-së në vazhdim. Ky nuk është qëllimi ynë, për të bërë propagandë sesi njerëzit i afrohen LSI-së, qëllimi ynë është që të jemi shumë të qartë dhe të kthjellët në atë që ofron sot LSI-ja. Sigurisht që kemi marrë përsipër përgjegjësitë tona. Përgjegjësitë tona janë për të pranuar jo vetëm ato gabime që kemi bërë, por edhe për të reflektuar mbi punën tonë që kemi bërë në këto 4 vite të opozitës dhe për të vazhduar në një etapë të re në LSI, që është partia e të rinjve dhe të rejave. E them këtë sepse nëse një prindi nuk i garantohet e ardhmja dhe mundësia e djalit apo e vajzës, nëse një prindi i largohet fëmija nga shtëpia e tij, atëherë ai nuk ka asnjë motiv për të qenë pjesë e vendimmarrjes në politikën shqiptare. Ama nëse ne i krijojmë mundësinë djemve dhe vajzave tona, që jo vetëm të jenë pjesë e vendimmarrjes, por të jenë ata vetë politikë bërësit, sigurisht që ne do të shikojmë një Shqipëri komplet tjetër”, deklaroi Kryemadhi.

Sipas saj, do të shikojmë një Shqipëri që është ëndërruar në mendjen e të rinjve dhe të rejave.
“Jo se nuk e bëjmë ne që jemi të vjetër, sepse po e fus veten time te të vjetrit, por ne nëpërmjet gabimeve tona duhet t’i tregojmë të rinjve dhe të rejave tona që të ecim në rrugën e duhur, në mënyrë të tillë që Shqipëria të jetë sa më e konsoliduar, sa më solide, sa më e fortë drejt integrimit europian. Shqiptarët do thonë na ka lodhur kaq shumë Edi Rama me integrimin europian sa që e nisi betejën e tij kundër shqiptarëve për hir të integrimit europian dhe jo vetëm që nuk i integroi shqiptarët, por përkundrazi i varfëroi ata i largoi nga Shqipëria, e zbrazi Shqipërinë dhe krijoi një situatë që vazhdoi dhe e futi nga kriza në krizë”, tha ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb