Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka zhvilluar një takim në Njësinë Nr.7 në Tiranë.

Kryemadhi thotë se LSI është një familje, madje partitë e tjera duan t’ia kopjojnë sloganin ‘’Shqipëria Shtëpia Juaj’’.

Ajo thotë se në partinë e saj të gjithë e ndihmojnë njëri-tjetrin dhe i japin dorën.

 

FJALA E MONIKA KRYEMADHIT

Mirëmbrëma të gjithëve, faleminderit! Në fakt LSI është themeluar në Njësinë 7, këtu në këtë zonë, në fushën e aviacionit, dhe kur diskutuam me Klajdën, që thamë do të bëjmë një takim, menduam se nuk do të ishim më shumë se 100-150 veta, për shkak edhe të pandemisë, por edhe për t’i pasur takimet pak më të kufizuara. Por mesa duket energjia, pozitiviteti, angazhimi, jo vetëm i Klajdës, por i të gjithë strukturave të LSI-së, duke filluar nga Luçi, Ariana, Sarën që e kemi gocën tonë të Njësisë Numër 7, por që vëllai i saj që ka qenë themelues i Lëvizjes Rinore për Integrim. Sepse këtë të mirë ka LSI. Është si një familje. Në fakt gjithmonë na e kanë quajtur kur themi familje si fjalë të keqe. Por njeriu për familjen e tij sakrifikon çdo gjë. Njeriu për familjen e tij jep jetën, njeriu për familjen jeton, punon, ndryshon. Prandaj ne e kemi konsideruar gjithmonë LSI-në një familje. Një familje ku të gjithë i japim dorën njëri tjetrit, e ndihmojmë njëri tjetrin, krijojmë hapësira për njëri tjetrin dhe ndryshojmë realitetet e hidhura, që ndoshta dashje pa dashje ka krijuar politika në këto 30 vite tranzicion. Dhe slogani më i mirë është “Shqipëria Shtëpia Juaj, Shqipëria Shtëpia e Shqiptarëve.”

Sado mundohen dhe duan ta kopjojnë, por në fakt fjala shtëpi në shumë e lidhur se me LSI-në nuk është me asnjë parti tjetër. Sepse ne gjithmonë qëndrojmë të lidhur fort dhe e ndihmojmë njëri tjetrin. Dhe aq më shumë kur shikojmë sesi brezat në LSI në këto 17 vite rriten, fillojnë që fëmijë, bëhen prindër e kështu me radhë. E pra kjo është kënaqësia që unë ndjej sot në Njësinë 7. Ashtu siç kam votuar për herë të parë në nëntor të 2004 për votimin “Një anëtar një votë” për kryetar partie, sot ndjej të njëjtin emocion pas kaq vitesh. Jo sepse jeni ju këtu kaq shumë, por ndjej emocion tek historia, tek emocionet që ju i sillni këtij takimi, por mbi të gjitha ndjej emocion tek brezat e rinj, tek vajzat që para 17 vitesh ndoshta nuk kishin lindur dhe sot janë ata që e kanë mbushur këtë shesh këtu. Emocionet nganjëherë janë të bukura, por nganjëherë janë edhe që nuk të lënë të thuash atë që do të thuash.

E pra më thoni ju një punëtor shqiptar që punon në industrinë e fasonëve apo kudo tjetër që të ketë rrogën 600 mijë lekë. Nuk ka. Pra ky njeri që thotë që unë do të bëj këtë rrogë minimale për punëtorët nga Bangladeshi, le t’ua bëjë punëtorëve shqiptarë sepse e kanë 240 mijë lekë sot. Le të ndihmojë industrinë e fasonëve që t’u rrisin rrogën punëtorëve të tyre në fason. Le të ndihmojë fermerët shqiptarë që të kenë mundësinë për të paguar punëtorë por t’ju paguajë pesticidet, naftën. Le të ndihmojë mësuesit e shkollave shqiptare të cilët i ka kthyer në mercenarë politikë. Le të paguajë mjekët dhe infermierët që ka 1 vit që i gënjen për pagat e pandemisë dhe akoma nuk u ka dhënë pagën e muajit mars të vitit 2020 që të gjithë e mbani mend që tha do t’i paguajmë mjekët dhe infermierët me nga njëmijë euro. E pra të mbajë këto premtimet e vitit të fundit. Pastaj të mbajë premtimet për punëtorët nga Bangladeshi. Pastaj të na sjellë dhe hënën në tokë po të dojë. Por të mbajë premtimet që iu dha shqiptarëve, 300 mijë vendet e punës, uljen e çmimit të energjisë elektrike, uljen e taksave. Krijimin e hapësirave për të rinjtë dhe për të rejat. Krijimin e hapësirave që janë të pamundura sot jo vetëm për të rinjtë dhe të rejat por dhe për pensionistët. Të rrisë pensionet që ka premtuar që do të rrisë, por as një mijë lekë të vjetra nuk i ka rritur pensionet e pensionistëve. Ka rritur vetëm çmimet e ilaçeve për ta. E pra ka shumë gjëra që ne mund ti përmendim, jo vetëm dështimet dhe mashtrimet e tij por ne e kemi kohën shumë të limituar për tu marrë me mashtrimet e tij. Ne duhet të punojmë çdo ditë për të larguar Shqipërinë nga mashtrimet e Edi Ramës dhe ta çojmë të sigurt drejt Bashkimit Europian. Sepse duke shkuar drejt BE, Shqipëria ka shanse dhe mundësi për të qenë një vend dinjitoz si gjithë vendet e tjera. Për të krijuar vende të reja pune të mirëpaguara, për të krijuar shkolla moderne, me mësues elitarë dhe me mentalitet evropian, për të pasur spitale moderne dhe jo për të pasur stalla lopësh, me të cilët mendon të gënjejë shqiptarët për të pasur shëndetësi cilësorë dhe atë që meriton çdo qytetar. Dhe jo për të pasur shëndetësinë më të shtrenjtë. Që të bëjmë këto ndryshime ne na duhet që në 25 prill, t’i drejtohemi kutive të votimit. T’i drejtohemi fletës së votimit. Të votojmë atë parti që na përfaqëson. Të votojmë atë parti që mban fjalën. Të votojmë atë parti që kujdeset për të rinjtë dhe për të rejat. Të votojmë atë parti që i krijon hapësira fëmijëve tuaj për të qenë jo vetëm pjesë e politikës por për të qenë vendimmarrës, për të qenë politikë hartues dhe për të qenë ata që vendosin për veten e tyre.

Përveç LSI më thoni kush parti ka vite rresht që ndërton breza me politikanë të rinj, duke filluar nga Erisa Xhixho që ka qenë Kryetarja e parë e LRI dhe sot pas 17 vitesh ajo është Nënkryetare e LSI. Për të vazhduar te Endrit Braimllari që ishte Kryetari i dytë i LRI dhe sot është Sekretar i Përgjithshëm i LSI. Kejdi Mehmetaj që drejton sot qarkun e Fierit, Floida Kërpaci që sot drejton Njësinë e Kombinatit. Te Klajda që erdhi nga Britania e Madhe në 2011 pasi mbaroi studimet dhe iu bashkua LSI dhe sot ajo është këtu mes nesh nënë e dy fëmijëve dhe vazhdon të kontribuojë me besimin se Shqipëria do të bëhet një vend evropian. Tek shoku im i vjetër themelues i LSI Luci Qafoku e të të gjithë djemtë dhe vajzat e Njësisë 7 që sot janë bërë nëna edhe baballarë. E pra kjo është LSI. Është kjo strukturë që ka forcën, ka zhvillimin, ka dëshirën për ta ndërtuar këtë vend. Prandaj ju them votoni numrin 6, mos ndaloni asnjë ditë. Nga dita e sotme dhe 18 ditë na kanë ngelur, 18 ditë të cilat janë 18 ditë që janë edhe shumë ditë për të qenë nën thundrën e makthit të Rilindjes por janë dhe shumë pak për të punuar dhe për të trokitur në çdo derë, për të takuar çdo qytetarë dhe për ti bindur ata që të shkojnë në qendrat e votimit më 25 prill. Strukturat tona kanë për detyrë të verifikojmë ku janë, ku nuk janë dhe për të shmangur çdo lloj zhurme që kanë bërë që iu kanë ngatërruar emrat njerëzve nëpër lista, nëpër qendra të tjera. Prandaj ti verifikojmë emrat nëpër lista. Ti nxisim që të shkojnë të votojnë. Mos harroni merrni kartat e identitetit me vete, pasaportat dhe vota juaj do të jetë votë jo kundër Edi Ramës por do të jetë votë për fëmijët tuaj. Do të jetë votë për ndryshimin,do të jetë votë për të ardhmen, votë për atë që gjithë shqiptarët dhe fëmijët tanë meritojnë për një Shqipëri Europiane, për një jetë më të mirë dhe për atë që ka bekuar Zoti këtë vend të mrekullueshëm por që duhet ta kalonim dhe fazën e sfilitjes me Rilindjen e Edi Ramës. Zoti ju ruajt ju dhe familjet tuaja.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb