SHBA– Në vijim të vizitës disa ditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka zhvilluar një takim me shoqatën më të vjetër të diasporës shqiptare në Amerikë “Vatra”.

Kryetarja e LSI u shpreh e emocionuar që ishte për herë të parë në vizitë te “Vatra”, një shoqatë me rëndësi të veçantë për rrugëtimin historik të Shqipërisë, themeluar e që ka pasur pranë saj disa nga mendjet më të spikatura të kombit si Fan Noli e Faik Konica.

Gjatë takimit, Kryemadhi vlerësoi shumë pozitive çdo përpjekje që shqiptarët bëjnë për të kompaktësuar gjithmonë e më shumë komunitetin dhe mbajtjen gjallë të vlerave kombëtare shqiptare në një vend të madh si Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kryetarja e LSI theksoi se “sa më i fortë, sa më i stabilizuar e sa më mirë të eci shteti mëmë, kjo është një mbështetje për emigracionin dhe diasporen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Ajo premtoi se kontaktet do të jenë të vazhdueshme dhe shprehu gatishmërinë për të diskutuar dhe me kualitetet intelektuale që “Vatra” ka, edhe për çështje që kanë të bëjnë me zhvillimin sa më të mirë të marrëdhënieve të Shqipërisë mëmë e Diasporës.

Kryetari i sapozgjedhur i “Vatrës”, Mishto shprehu kënaqësinë për vizitën e Monika Kryemadhit, dhe u shpreh se shoqata po tenton t’i japë një frymë të re punës së Vatrës për fortësimin e diasporës dhe mbajtjen gjallë e të fortë të vlerave kombëtare e të marrëdhënieve të vazhdueshme me Shqipërinë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb