Pas Kombinatit, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, u ndal në zonën e Astirit, ku zhvilloi bashkëbisedim me votues për herë të parë.

Mes të tjerash, Kryemadhi u shpreh se “Fuqia e LSI nuk ka qenë asnjëherë te pushteti. Fuqia e LSI ka qenë gjithmonë te të rinjtë dhe të rejat dhe ky është investimi ynë kryesor”.

Pjesë nga fjala e Kryemadhit:

Boshllëqet që janë krijuar gjatë gjithë kësaj kohe në sistemin arsimor, në gjimnaze apo edhe në shkollat 9-vjeçare, krijojnë mungesa të theksuara në mësimdhënie. Dëmtimi i themelit të arsimit 9-vjeçar dhe të shkollës së mesme, sjell një dëmtim për shumë breza që do të ketë ndikimin e vet në të ardhmen.
Por unë jam e bindur që edhe ‘taksa për të ardhmen’ që ne kemi menduar që të vendosim 1 për qind për kompanitë e mëdha, është një investim shumë i mirë, sepse ne taksojmë për arsimin për të lyer shkollat me gëlqere dhe për tenderë për Erion Veliajn. Taksojmë pensionistët dhe ndërkohë oligarkët i lëmë që të ecin lirshëm pa paguar asnjë taksë.

Kjo taksë do ti shërbejë edhe kompanive të mëdha, sepse duke i çuar drejtpërdrejt në investim do të krijojë mundësi për rritje profesionale të të rinjve dhe që të aftë. Të mos mungojnë laboratorët dhe ti bëjnë praktikat e punës.

Ne nuk do të shpikim rrotën, sepse e kanë shpikur të tjerë. Ne do të vëmë mekanizmin në punë që të lëvizë rrota, për të ecur përpara. Ne nuk mund të rrimë në vend, dhe prandaj njerëzit janë të etur për të dëgjuar, e sidomos kur dëgjojnë të rinjtë dhe të rejat.

Fuqia e LSI nuk ka qenë asnjëherë te pushteti. Fuqia e LSI ka qenë gjithmonë te të rinjtë dhe të rejat dhe ky është investimi ynë kryesor. Nëse ne nuk investohemi tek ju, nëse ne nuk përgatisim njerëz të rinj, të cilët duan të qëndrojnë në Shqipëri, të ndërtojnë të ardhmen e tyre, të ndërtojnë ëndrrat e tyre këtu, sigurisht që do të jetë e pamundur për tu rritur dhe zhvilluar si vend.

Dua ta falënderoj Floidën për punën e madhe që ka bërë me votuesit për herë të parë, për punën e madhe që është bërë me të rinjtë dhe të rejat, sidomos në Tiranë, por që ne duam ta shpërndajmë edhe jashtë saj.

U jam shumë mirënjohëse po ashtu Endritit, Kejdit, Silva Cakës, të gjithëve, të cilët e kanë nisur si gjimnazistë këtë gjë dhe ja ku janë sot, janë drejtues të partisë. Dhe përse jo, nesër mund të jeni ju ata që do ta drejtoni LSI-në, sepse LSI është parti e njerëzve, dhe partia që e mban fjalën e dhënë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb