TIRANE

Nga Konventa e Lëvizjes Socialiste për Integrim, kryetarja Monika Kryemadhi bëri thirrje për protesta. Kryemadhi u shpreh se shqiptarët duhet të ngrihen në protesta, kundër krimit të organizuar që ka pushtuar vendin.

“Detyrimi im kombëtar është që jo vetëm të mbrojmë ata studentë, por ne Fier të bashkohemi dhe të mbrojmë naftëtarët. Në Bulqizë të ngrihemi, të bashkohemi dhe të mbrojmë minatorët. Në Durrës, Lezhë e Vlorë të ngrihemi dhe të mbrojmë peshkatarët. Në Sarandë e kudo të ngrihemi e të mbrojmë të gjitha bizneset, të cilat gjobiten dhe falimentohen për shkak të konkurrencës së pandershme edhe pse ata punojnë vetëm dy muaj në vit, qeveria jonë i masakron me taksa.

Ne duhet të ngrihemi për biznesin e vogël dhe për biznesin e mesëm. Ne duhet të ngrihemi për mësuesit e terrorizuar, të cilët kërcënohen çdo ditë. Ne duhet të ngrihemi për mjekët dhe infermierët që punojnë në kushte të vështira dhe mizerabël. Ne duhet të ngrihemi për pensionistët, të cilët marrin lëmoshën e mbijetesës nga qeveria e rilindjes dhe e krimit.

Ne duhet të ngrihemi, për të gjithë ata të rinj dhe të reja të cilët janë larguar nga Shqipëria por me zemër dhe me shpirt janë këtu. Ne duhet të ngrihemi për ata policë, ku 80% e tyre kërkojnë të largohen nga Shqipëria. Duhet të ngrihemi për ata djem dhe vajza të cilët kanë dëshirë për arsim cilësorë dhe të përballueshëm për të gjithë. Ne duhet të ngrihemi për banorët e Unazës së Re të cilët u bënë simbol i protestës kundër një projekti grabitqar dhe imoral. Ne duhet të ngrihemi për studentët dhe studentet. Ne duhet të ngrihemi për të gjitha ata shqiptar që ndihen sot të varfër, të pamundur, për ata shqiptar që nuk kanë zë të flasin ne duhet të jemi zëri i tyre. Për ata shqiptar që nuk kanë sy të shikojnë. Ne duhet të jemi sytë  e tyre. Për ata shqiptar, të cilëve iu kanë burgosur zemrat, ne duhet të jemi çliruesit e zemrave te tyre. Ne duhet të ngrihemi për ato gra dhe vajza shqiptare të cilat luftojnë me forcë për integritetin e tyre dhe për të ardhmen e tyre. Ne duhet të ngrihemi për ato nëna të cilat janë kryefamiljare dhe shesin gjakun e tyre për të ushqyer fëmijët e uritur. Ne duhet të jemi ato vajza shqiptare të cilat rrëmbehen nga krimi i organizuar dhe janë kthyer në lodra për pedofilët dhe kriminelët në Europë. Ne duhet të luftojmë për vajzat tona që të jenë me integritet, dinjitet dhe besim. Ne duhet të luftojmë për familjet tona, ne duhet të luftojmë  për djemtë tanë të cilët duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre, por e vetmja mundësi është rruga e largimit. Ne duhet të luftojmë për ato nëna të cilat kanë veshur shaminë e zezë në kokë për fëmijët e tyre që i ka vrarë krimi i organizuar dhe trafiku i drogës

Ne duhet të luftojmë për ato burra dhe djem, trupat e të cilëve nuk gjenden sot akoma për shkak të krimit që ka zaptuar Shqipërinë. Ne duhet të luftojmë për jetën e fëmijëve tanë, të cilët duan të jenë krenarë në vendin  e tyre. Ne duhet të luftojmë për fëmijët që do të lindin në Shqipëri”, tha Kryemadhi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb