Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, i dërgon një mesazh kryeministrit Edi Rama, pas takimit me gratë greviste të Ballshit, duke i thënë se “unë e di sa të djegin të vërtetat që unë artikuloj pa frikë ndaj teje dhe oligarkëve që je lidhur aq ngushtë”.

Mes të tjerash, Kryemadhi i drejtohet Ramës me fjalët “Bëji nder familjes tënde dhe largoji duart nga gratë e Fierit, se ato nuk janë mish për top për inatet politike që po të shtohen tani teksa po të ngushtohet laku në shterim të ditëve të pushtetit”.

Kryetarja e LSI publikon një video, ku shfaqet një greviste duke thënë “Vjen znj. Monika e thotë ‘edhe unë e kam portofolin bosh'”, ndërsa shton se ajo grua nuk ishte në takimin e saj me grevistet. Sipas Kryemadhit, bashkia rilindase e ka çuar sot atë grua me urdhër për ta përdorur në sulm politik ndaj saj. Ndërsa një tjetër greviste konfirmon deklaratat e Kryemadhit se gruaja që artikuloi akuzat ndaj saj ishte e përdorur politikisht. “Jam një greviste e grevës së urisë në Kombinatin e Punimit të Naftës në Ballsh. Dëgjoj në media për zonjën Kryemadhi. Zonja që ka folur në lidhje me zonjën Kryemadhi nuk ka qenë në takim atë natë. Prandaj po e përgënjeshtrojmë dhe zonjës Kryemadhi i kërkojmë ndjesë”, deklaron ajo.

“Edi, unë e di sa të djegin të vërtetat që unë artikuloj pa frikë ndaj teje dhe oligarkëve që je lidhur aq ngushtë. E kuptoj se marazi të ka errur sytë. Këto ishin gratë greviste që unë takova në Ballsh dhe jo mamaja e nderuar e një punonjësi Bashkie rilindase që sot e kishe çuar me urdhër për ta përdorur në sulm politik ndaj meje. Bëji nder familjes tënde dhe largoji duart nga gratë e Fierit, se ato nuk janë mish për top për inatet politike që po të shtohen tani teksa po të ngushtohet laku në shterim të ditëve të pushtetit. Kurajo për gratë greviste të cilat i mbështes në betejën për të drejtat e tyre dhe forca e grave të Shqipërisë, për t’u bërë bashkë më 25 Prill që të ndërtojmë Shqipërinë që nuk i shfrytëzon dhe nëpërkëmb por i jep vendin e duhur grave e vajzave të vendit!”, shkruan Kryemadhi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb