TIRANE

Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi duke folur për simpantizantët e Lëvizjes Socialiste të njësisë numër 5 në Tiranë tha se Rama dhe Veliaj kanë marrë peng Tiranën dhe vendin më keq se komunizmi që errësoi Shqipërinë për 45 vjet.

Kryemadhi theksoi se Rama u refuzua më datë 30 qershor dhe se kryeministri është në fundin e vet politik.

Fjala e Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi gjatë takimit me strukturat e Njësisë  5

Këto ditë janë shumë të rëndësishme për të gjithë ne, jo për Monikën si ish deputete apo si kryetare e LSI, as për Petritin, as për Flobin e as për Floidën por këto janë ditë shumë të rëndësishme për të gjithë shqiptarët sepse janë vazhdimësia e aksionit të refuzimit që gjithë shqiptarët i bënë Edi Ramës dhe klikës së tij. Ne jemi shumë të kthjellët dhe shumë të qartë në aksionin tonë politik.

30 Qershori është fundi politik i Edi Ramës për të gjithë ata ndërkombëtarë që nuk kishin sy për ta parë, që nuk kishin veshë për ta dëgjuar dhe nuk kishin gojë për të folur.

Është fundi i Edi Ramës për të gjithë ata skeptikë të cilët mendonin që Edi Rama ishte shumica por 30 Qershori tregoi që Edi Rama është minorancë e minorancës.

Me politikat e veta Edi Rama e çoi partinë socialiste në minorancë dhe ju e dini shumë mirë dhe e keni parë që njësia 5 ka qenë një nga zonat më suportuese dhe mbështetëse të partisë socialiste dhe e patë se ç’ndodhi me 30 Qershor në njësinë 5, as 11% nuk morën pjesë në votime në njësinë 5 ku historikisht partia socialiste ka marrë mbi 40% të votave pra partia socialiste duke u drejtuar nga Edi Rama ka humbur zemrën dhe furnizimin me gjak të partisë socialiste me vota që është njësia 5.

Detyra jonë është që mos të ndalojmë por të takohemi çdo ditë, jo vetëm me socialistët e zhgënjyer, jo vetëm me demokratët, jo vetëm me LSI-stët, jo vetëm me republikanët, jo vetëm pra me militantët partiak por duhet të takohem pra me të gjithë ata qytetarë të cilët refuzojnë këtë qeverisje që iu rrit taksat shqiptarëve, që iu shkurton vendet e punës, që i mbyt me pasiguri, që rrit çmimin e bukës, që ul standardin e jetesës, që po izolon më shumë shqiptarët.

Ne nuk besojmë që jemi më të mirët edhe pse duam që ta themi që duam të bëjmë më të mirën por di t iu a them që ne si Lëvizja Socialiste për Integrim përballë rrogës së disa ish deputetëve, përballë rrogës kryetarëve të bashkive, përballë flamujve politik për ne si LSI është shumë më e rëndësishme mirëqenia e shqiptarëve, është shumë më i rëndësishëm punësimi i shqiptarëve, është shumë më e rëndësishme shëndetësia për shqiptarët, është shumë më e rëndësishme siguria për shqiptarët por mbi të gjitha sot pas 30 viteve po vihet në rrezik demokracia dhe lëvizja e lirë e shqiptarëve. Për ne kjo është kryesore.

Ne e dimë shumë mirë që Shqipëria në izolim do të jetë e pamundur për të zhvilluar ekonominë e tregut, konkurrencën dhe do të jetë e pamundur që fëmijëve të shqiptarëve ti japim shanset dhe mundësitë për të qenë dhe për të konkurruar të barabartë në Europë, si të gjithë europianët e tjerë. Ne mund të bënim një marrëveshje me stabilokracinë që po kërkojnë të vendosin disa struktura ndërkombëtare të verbra dhe burokrate. Ne mund të bënim sikur bënim opozitë në Parlament, ne mund të vazhdonim të bënim lojën e fasadës në Parlament, por ne e dinim shumë mirë që urrejtja dhe revolta e shqiptarëve do të binte mbi ne si opozitë, ku në çdo moment Edi Rama hiqte vëmendjen nga varfëria e shqiptarëve, duke u marrë me batutat. E filloi me kazanin dhe me tepsinë, dhe e mbylli me filxhanin.

Fati i shqiptarëve nuk është as në dorë të Edi Ramës, as në filxhanin e Edi Ramës dhe as në dorën e dikujt tjetër. Fati i shqiptarëve është në dorë të shqiptarëve. Ne jemi sot këtu, sepse kemi bërë shumë gabime në këto 30 vite tranzicion, të gjithë bashkë. Të gjithë partitë politike. Të gjithë politikanët. Prandaj ne kemi marrë përsipër ta shkrumbojmë, ta shkatërrojmë, ta shembim përfundimisht kështjellën e kalbur të tranzicionit dhe për të ngritur njëherë e përgjithmonë me themele të forta kështjellën e institucioneve, kështjellën e vendosjes së ligjit mbi padrejtësitë dhe atë që është më e rëndësishme, pushtetin e qytetarëve mbi çdo politikë.

Sot ka ardhur koha që të zgjohemi të gjithë. Ne kemi nevojë për institucione, ne kemi nevojë për sistem, ne kemi nevojë për njerëz që ti shërbejnë sistemit dhe jo për njerëz që i shërbejnë individit.

Sot gjithë ditën kam komunikuar me miq dhe me shokë, me kryetarë partish nëpër rrethe, për ti ftuar ditën e hënë në protestën që është përpara Kryeministrisë në orën 8 të darkës. Mendoja që njerëzit do të ishin të qetësuar, të relaksuar, sepse mendoja që të gjithë thonin që 30 qershori ishte beteja e parë që fituam kundër klikës së Edi Ramës. Isha pak në mëdyshje kur e fillova ditën, por të gjitha telefonatat që merrja në mëngjes dhe që diskutonim, kishin një intuziasëm të jashtëzakonshëm për të vazhduar me qëndresën tonë.

Qëndresa jonë nuk është revolucionare, por është një qëndresë demokratike, shpirtërore, sepse në fund të fundit të gjithë ne nuk kemi përballë as armikun e klasës, as pushtuesin, por kemi përballë një armik virtual që ka zaptuar të gjithë shtetin shqiptar, por që është një individ i vetëm që është kthyer në shërbim të krimit të organizuar. Them armik virtual, sepse sot Edi Rama kërkon të vendosi shqiptarët përballë shqiptarëve. Nuk përballet vetë, por nxjerr policinë, nxjerr drejtorët, nxjerr shefat e sektoreve, nxjerr administratën për të kërcënuar me bukën e gojës nëse ata nuk shkojnë të votojnë. Nxjerr policinë për të hedhur gaz mbi shqiptarët dhe nuk harxhon qoftë edhe një qindarkë të vetme për të rritur ndihmën ekonomike, për të rritur mundësinë e arsimit dhe shkollimit të të rinjve shqiptarë dhe për ti dhënë shanse dhe mundësi të gjithë shqiptarëve për të qenë të barabartë.

Them armik virtual,sepse ata që merren me kompjuterë e dinë se çdo të thotë virusi virtual dhe armiku virtual. Është ai virus virtual që hyn në kompjuterin e secilit nga ne që ka dhe shkatërron çdo program. Edhe armiku ynë virtual Edi Rama së bashku me të gjithë sistemi ne tij, me çipat e tij të krimit të organizuar kanë shkatërruar çdo sistem të Shqipërisë duke filluar nga shëndetësia  të cilën e ka dhënë me koncesion dhe e grabit në mënyrën më të tmerrshme. Duke vazhduar nga arsimi që deformojnë dhe transformojnë jo vetëm historinë Shqiptare por shkatërrojnë sistemin arsimor dhe po shkatërrojnë çdo ditë e më shumë të ardhmen e fëmijëve të shqiptarëve. Duke vazhduar me sistemin e drejtësisë të cilin e ka kapur tashmë dhe e ka kthyer në shërbim të bandave dhe të krimit të organizuar. Vazhdojmë të jemi pa gjykatë të lartë dhe po ua bëj një shpjegim, asnjëri nuk e ka artikuluar mungesën e gjykatës së lartë. Po ua them sot dhe do të vazhdoj tua them, pse e ka shkatërruar Edi Rama gjykatën e lartë? Sepse iu ka premtuar kriminelëve të cilët janë në burg për ti liruar sepse duan që të skadojnë afatet e paraburgimit në mënyrë të tillë, meqenëse nuk ka gjykatë të lartë dhe nëse I mbajnë në burg kriminelët më shumë se sa janë afatet, ata dalin automatikisht nga burgu. Prandaj e ka shkatërruar gjykatën e lartë, sepse I duhen kriminelët në shërbim, për të vjedhur vota, për të intimiduar shqiptarët, për të mbrojtur parcelat e hashashit, për të pastruar paratë e drogës, për të kërcënuar gjyqtarë e prokurorë. I duhet Edi Ramës shkatërrimi I gjykatës kushtetuese dhe ka prej dy vitesh që e ka strategji sepse shkatërrimi I gjykatës kushtetuese do të sillte që Edi Rama të bënte si ti donte qejfi me Parlamentin, me qeverinë, me gjykatat, me pronat e shqiptarëve, me detin e shqiptarëve, me kufijtë e shqiptarëve e kështu me radhë. Kjo është situate në të cilën gjendemi ne, prandaj edhe ne, ditën e hënë nuk dalim për opozitën, do të dalim për të gjithë shqiptarët  dhe hallet e shqiptarëve, secili sipas mënyrës së tij. Dikush sepse kërkon një vend pune, dikush sepse kërkon taksa më të ulëta, dikush sepse I ka falimentuar biznesi për shkak të taksidarëve të Edi Ramës, dikush sepse I ka ikur fëmija në emigracion me dokumente falso dhe nuk kthehet dot qoftë edhe për të parë prindërit e tij, dikush sepse nuk shikon dot nipërit dhe mbesat që I ka në emigracion sepse nuk ka mundësi që me pensionin të paguajë as biletën e tragetit e jo më të paguajë biletën e avionit e kështu të gjithë me radhë. Pra të gjithë duhet të mos ndalojmë, në asnjë moment dhe asnjë sekond, të njoftojmë të gjithë miqtë tanë, shokët, vëllezërit, familjarët, miqtë, kudo që I kemi në të gjithë Shqipërinë, që ditën e hënë, në orën 20:00 me datë 8 korrik të jemi të gjithë në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’. Edhe pse këto ditë të nxehta vere, ne nuk do të sfidojmë vetëm motin, ne mbi të gjitha do të sfidojmë arrogancën, papjekurinë, injorancën politike të Edi Ramës sepse në asnjë vend të botës nuk ka ndodhur kjo që po ndodh sot. Edhe në vendet më të prapambetura, kultura politike e një politikani, që mund të ketë minimumin e edukatës do të kishte bërë sikur do të ishte tërhequr. Por, nga ana tjetër sjellja arrogante e Edi Ramës tregon se sa thellë dhe se sa shumë është I kapur ai njeri nga strukturat e krimit të organizuar, nga qarqet antishqiptare dhe e them këtë dhe do ta përsëris gjithmonë, qarqet antishqiptare, sepse ta dini ju që institucionet ndërkombëtare, një nga njerëzit që I kërcënon më shumë është Vucic, i cili nëpërmjet mbrojtjes së Edi Ramës kërkon të kërcënojë Evropën dhe shumë vende të tjera sikur do të destabilizohet Ballkani pse do të na largohet Edi Rama  në Shqipëri? Mos do luftojnë socialistët që e braktisën në 30 qershor? Mos do luftojnë kriminelët? Banditët e Edi Ramës luftojnë vetëm nëse situata diskutohet me periudhën e muajit qershor. Sepse asnjëherë Edi Rama nuk ka pranuar t’i bëjë zgjedhjet as në pranverë dhe as në vjeshtë. Sepse 30 qershori është fushata e shirjes dhe e korrjes së hashashit. Dhe nëpërmjet parcelave të hashashit ai jep dhe merr me kriminelët, sepse vetëm në këtë mënyrë menaxhon bandat e krimit të organizuar, duke i kërcënuar se nëse ju nuk punoni për të mbushur kutitë e votimit, unë ju djeg parcelat e hashashit. Dhe pas zgjedhjeve, kriminelët e kërcënojnë Edi Ramën, nëse ti nuk na jep ne koncesionet ne do të nxjerrim videot dhe përgjimet që të kemi bërë ty kur kemi bërë allishverishet dhe pazaret për parcelat e hashashit.

Nëse ky shtet dhe ky popull do të vazhdojë të jetë peng i përgjimeve të krimit të organizuar, do të vazhdojë të jetë peng i njerëzve të cilët kërkojnë të pasurohen mbi varfërinë e shqiptarëve, atëherë ne nuk na mbetet më gjë tjetër përveç se të përballemi me ta. Sot do të përballemi me vepra demokratike, do të përballemi me rezistencë demokratike, do të përballemi me reagim demokratik. Por më pas do të jetë shumë e vështirë për Edi Ramën, sepse një popull i revoltuar dhe më pas një popull i inatosur është i pa përballueshëm për ta ndalur. Nuk ka superfuqi në botë që e ndal, por përkundrazi do të jetë aq i rrezikshëm saqë do të marrë përpara këdo që bëhet palë me një kriminel që shkatërron të ardhmen e fëmijëve të shqiptarëve.

Unë ju falënderoj shumë, ju jam shumë mirënjohëse për të gjithë angazhimin tuaj dhe për të gjithë informacionin që ju keni ndjekur hap pas hapi se sa ka qenë pjesëmarrja në qendrat e votimit. Nuk ka rëndësi për mua absolutisht, është e faktuar apo nuk ëhstë e faktuar. Nuk ka rëndësi fare për mua e ka parë apo se ka parë OSBE-ja apo vëzhguesit e ambasadave në Shqipëri. Për mua ajo që është më e rëndësishmja, është që qytetarët e njësisë 5 i thanë “JO” Lali Erit, që u rropat e u copëtua duke nxjerrë para për të paguar këdo dhe që i thanë “JO” Edi Ramës.

Kjo dyshe e cila ka marrë peng qytetin e Tiranës është shumë më e rrezikshme se 45 vitet e komunizmit. Është më e rrezikshme se çdo pushtim tjetër. Sepse një plum i pushtuesit na kthente në heronj, por një plumb virtual i kësaj dysheje kriminale do të na shkatërrojë dhe do të na bëjë inekzistent në vend. Prandaj beteja jonë nuk ëhstë më për flamujt politik, beteja jonë është për të ardhmen e Shqipërisë, për vazhdimësinë e Shqipërisë dhe për të thënë atë që kemi thënë gjithmonë, ky popull i shqiponjave do të vazhdojë të jetojë krenar, me integritet dhe me dinjitet, në mes të këtij Ballkani të trazuar, që gjithmonë ka qenë kundër nesh. Ne kemi mbijetuar, jemi popull i vogël, jemi popull i varfër, jemi popull i vuajtur. Kemi dhe ne gabimet tona, por di të them që shpirtin dhe zemrën e këtij populli as nuk e shet dhe as nuk e blen dot.

Zoti ju ruajttë ju, ruajttë familjet tuaja. Zoti i ruajttë shqiptarët kudo që janë. Me thënë të drejtën do doja t’iu lexoja diçka. Ju e dini të gjithë, unë jam besimtare. Kjo është ajo që mesa duket e vret shumë zotin Rama në të gjithë këtë betejë, sepse dreqi ka frikë nga Zoti. Nuk ka frikë njeriu nga Zoti, nuk ka frikë shërbëtori i Zotit, apo edhe ateisti, se fundja Zoti i pranon edhe mëkatarët. Por vetëm dreqi ka frikë nga Zoti. Dhe në fakt prifti im më dërgoi një mesazh para disa orësh. Dhe ishte shumë interesant. Saimir Xhuglini edhe do kënaqet. Dhe për të gjithë komunistët, sepse kanë qenë 10 urdhrat e Zotit, që i kanë edhe në Kuran edhe në Bibël. Por kanë qenë edhe 10 cilësitë e komunistit. Jo më kot edhe Enver Hoxha që ishte ateist që shkatërroi Kisha e Xhami, i ktheu 10 urdhrat e Zotit në 10 cilësi komunisti. Dhe në fakt Zoti thotë

“Unë jam hyi juaj

tjetër hy mos të kesh e mos

të adhurosh përveç meje”

Ama ne këto duhet ti shikojmë si politikanë.

“Populli është Zoti yt

Asnjë interes mos e ve përpara tij

Mos e merr emrin e Zotit nëpër gojë

Për politikanin mos fol gënjeshtra në emër të popullit

Për të mbuluar hilet e tua

Shenjtëroje ditën e dielë

në ditën e festës së urdhëruar

për politikanin çdo festë e popullit tënd

të jetë e shenjtë dhe e nderuar dhe prej teje

Si politikan

Nderoje prindin tënd nëse do të jetosh

shumë përmbi tokë.

Për politikanin, nderoji figurat e kombit

nëse dëshiron të ndërtosh një të ardhme

me rrënjë të forta nga e shkuara e ndritur

Urdhëresa, mos vra

Mos vrit për interesat e tua për një politikan

Mos bëj imoralitet

Mos ji i pamoralshëm me veset e tua si politikan

Mos vidh, mos e vidh popullin tënd,

as për pasurinë dhe as për lirinë

Mos bëj dëshmi të rreme thotë Zoti

Mos shpif vetëm për hatër të karriges tënde

Sepse dëshmitari i çdo gjëje është populli

që ti sheh dhe Zoti që ti nuk e sheh

Mos lakmo njeriun e huaj për të keq

Për politikanin është, mos ji ziliqar për tjetrin,

duke mos e lënë të ecë përpara, nëse tjetri

është më i mirë se ty dhe populli e do më shumë se ty.

Mos lakmo asgjë të tjetrit

Për politikanin është,

Mos ji ziliqar për të mirat materiale që ka tjetri sepse

Zoti i jep secilit atë që meriton dhe që i duhet.

Kur ma dërgoi e lexova dhe nuk përmbahesha dot. Se mos mendoni që jam Kryetare dhe jam diçka më shumë se ju. Jo jam njësoj si ju, kam po të njëjtat probleme si ju, po të njëjtat halle, me fëmijët, në shtëpi, në katandi, dikush mezi e mbyll 15 ditëshin, diku 25 ditëshin, diku dhe fundit e muaj. Kemi vetëm një shpëtim, të kthejmë politikën dhe të kthejmë shoqërinë shqiptare brenda kornizës së parimeve, virtyteve dhe vlerave. Të kthejmë besimin në familje. Sepse vetëm duke pasur një familje të fortë, do kemi një shoqëri të fortë dhe duke pasur një shoqëri të fortë, do të kemi dhe një shtet të fortë dhe një komb të fortë. Vetëm në këtë mënyrë ne mund ti bëjmë ballë këtij represioni, këtij imoraliteti politik, ekonomik dhe kriminal që ka pllakosur Shqipërinë. Vetëm solidariteti unë do të na bëjë që siç thamë ato 10 urdhrat e Moisiut dhe Kuranit apo dhe 10 cilësitë e komunistit do të jenë 10 cilësitë  e politikanit por dhe le të jenë 10 cilësitë e çdo qytetari për të krijuar një moral të ri në shoqërinë shqiptare dhe për ti thënë fund këtij tranzicioni kriminal që po mban peng Shqipërinë prej 30 vjetëve.

Zoti ju ruajt

Zoti e bekoftë Shqipërinë.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb