Kryeministri i dorëhequr, por ende në detyrë i Britanisë së Madhe, Boris Johnson po vazhdon pushimet e tij mesdhetare ne brigjet e Greqisë, pasi së bashku me familjen mbërritën në Athinë fundjavën e kaluar dhe pritet të kthehen në Londër këtë javë.

Kryeministri duket i pashqetësuar nga fakti se Britania është gjymtuar nga grevat e transportit publik apo debatet e dy kandidatëve që do e pasojnë në krye të Downing Street për inflacionin në rritje dhe lëvrimin e paketave të ndihmës ekonomike.

BoJo së bashku me bashkëshorten Carrie dhe fëmijët Wilfred e Romy, iu bashkuan së fundmi miqve për një darkë përmbyllëse të pushimeve nën perëndimin idilik të diellit.

Ata u shfaqën pak para orës 21:30 të së enjtes mbrëma në restorantin Agalma Seaside në Bouros Beach, pranë Karystos dhe në fund të darkës Boris u tregua tepër Bujar.

Ndryshe nga ç’ka bërë në Britani gjatë drejtimit të vendit, ku është etiketuar si “kurnac” dhe është kritikuar për taksat e larta e paketat shumë të ulëta të ndihmës ekonomike, Johnson në Greqi i la një bakshish prej 50 eurosh kamerierit.

Ndërkohë, siç shkruajnë mediat britanike familja e tij dhe miqtë shijuan një darkë me peshk dhe kallamar. Johnson gjeti gjithashtu kohë për të pozuar me dy anëtarë ukrainas të stafit, të cilët punonin në restorantin ku ai hëngri dhe i siguroi që Britania do t’i mbështeste ata deri në fund në luftën kundër pushtuesve rusë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

“Ai hyri në kuzhinë ku foli me dy punonjës ukrainas që kam, Zak dhe Katya, dhe u tha atyre se ishte e rëndësishme që Britania dhe pjesa tjetër e Evropës të mbështesnin Ukrainën në luftën kundër Rusisë. Ata ishin këtu për rreth dy orë e gjysmë. Ata provuan shumë pjata tipike greke dhe shijuan kallamarë të freskët dhe peshk të kapur nga peshkatarët vendas. Shumë njerëz ishin në restorant dhe të gjithë e njohën dhe ai ishte i lumtur teksa i fliste dhe fotografohej me ta. Nuk mund ta besoja sa miqësor ishte”, zbuloi pronari i lokalit.

Familja Johnson ka qëndruar në një vilë pranë restorantit dhe janë parë gjatë gjithë javës në plazhe dhe restorante të ndryshme përgjatë bregdetit, i cili është vetëm disa orë me makinë nga vendi ku babai i kryeministrit Stanley zotëron një shtëpi, në Horto.

“E dija se Boris dhe familja e tij po qëndronin në zonë pasi ka qenë tema e bisedave të fshatit gjatë gjithë javës dhe të enjten morëm një telefonatë duke thënë se ai po vinte për darkë. Të jem i sinqertë, nuk isha shumë i sigurt se çfarë të prisja, por ai u duk si një njeri shumë i sjellshëm dhe ishte vërtetë i tillë. Ai foli me të gjithë stafin dhe madje la një bakshish prej 50 eurosh me të cilin të gjithë ishin shumë të kënaqur”, tha pronari i restorantit “Agalma”, Alexandros Fragos.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: