*Rama: Do të vij edhe për ndeshjen e parë dhe jam absolutisht i bindur që do jetë një eksperiencë fantastike
Nga Bergamo në Itali Kombëtarja nisi zyrtarisht rrugëtim drejt “Euro 2016”. Sytë e çdo shqiptari janë të gjithë të fokusuar tek ekipi ynë përfaqësues. Sot më shumë se kurrë të gjithë janë krenar për ketë ekip që beri një ëndërr të madhe realitet por askush nuk dëshiron të zgjohet nga kjo ëndërr.

Duke nisur nga lojtarët, trajneri De Biasi, presidenti Duka por edhe kryeministri Rama, të gjithë shpresojnë që kjo ëndërr të zgjasë edhe më shumë në Francë. Pas një vizite surprizë dje në mbrëmje, në orët e para të mëngjesit, kryeministri Rama ka qenë sërish pranë ekipit Kombëtare duke i uruar rrugë të mbarë dhe mbi të gjitha një Kampionat të mbarë në një kohë kur në Francë luajmë pa presion pasi tashmë e ekipi ka arritur objektivin maksimal, pjesëmarrjen për herë të parë në një Kampionat Evropian.

“Ju përfaqësoni gjithë kombin: Shqipërinë, Kosovën, të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarë dhe të gjithë shqiptarët në emigracion. Ju përfaqësoni ëndrrën e shqiptarëve për sukses, për të qenë të barabartë në dinjitet dhe kapacitet si të gjithë të tjerët, u shpreh ndër të tjera kryeministri Rama.

Gjithashtu edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, përshëndeti stafin dhe lojtarët duke theksuar ndër të tjera që Shqipëria është e realizuar në objektivat e arritura, gjithsesi do të mundohemi që në Francë të qëndrojmë sa më gjatë të jetë e mundur.

Fjala e plotë e kryeministrit Rama para kombëtares

“Erdha për t’ju përshëndetur, për t’ju uruar rrugë të mbarë dhe Kampionat të mbarë. Mbi të gjitha, besoj se kemi avantazhin si skuadër që objektivin maksimal e kemi arritur. Kështu që, – jam i bindur që Gianni di ta thotë 100 herë më mirë se unë – presionin le ta mbajnë të tjerët, sepse pa diskutim, për ne, pjesëmarrja në Kampionatin Europian është në vetvete si fitore e Kampionatit. Ndërkohë, duke qënë një skuadër që hyn për herë të parë, një skuadër që nuk shihet si protagoniste dhe që nuk e ka presionin, siç e kanë kundërshtarët, kemi mundësinë që ta bëjmë mirë.

E rëndësishme, besoj, për të gjithë shqiptarët që do ju ndjekin, është që të jepni në fushë gjithçka keni. Ju e dini më mirë se unë dhe ata që nuk lozin futboll që, në fund, futbolli ka rezultatin që nuk i thotë gjithmonë të gjitha. Ajo që i thotë të gjitha është dhënia e shpirtit në fushë.

Pjesa më e rëndësishme jashtë kuadratit të fushës është që ju përfaqësoni jo Shqipërinë, thjeshtë, por përfaqësoni gjithë kombin, përfaqësoni Shqipërinë, Kosovën, gjithë trojet ku banojnë shqiptarë dhe të gjithë shqiptarët në emigracion. Ju faktikisht përfaqësoni ëndrrën e shqiptarëve, sot, për sukës, për të qenë të barabartë dhe në dinjitet dhe në kapacitet për të dhënë njësoj si të tjerët. Në fund të fundit, ju përfaqësoni një forcë që është integruar në Bashkimin Europian përpara se të integrohet edhe Shqipëria, edhe Kosova dhe përpara sesa ne ta shikojmë Shqipërinë të ulur në tryezën e familjes europiane.

Të gjitha këto të vërteta besoj se duhet t’ju shërbejnë që të hyni në fushë me emocione pozitive, të pakontraktuar nga ideja se mund të humbisni, por të motivuar nga ideja se fakti që jeni në fushë, fakti që flamujt dhe zemrat e shqiptareve janë rreth e rrotull jush në një kompeticion si ky, për secilin nga ju është absolutisht fakti që keni dhënë maksimumin.

Më parë po flisnim për dy ndeshjet miqësore. Unë jam tifoz i hershëm i Italisë dhe jam mësuar që kur miqësoret nuk dalin siç duhet, kampionati del si duhet. Shpresoj që të jetë edhe ndeshja miqësore me Ukrainën, rasti, por mbi të gjitha jam i bindur që ajo ndeshje tregoi që ne mund të luajmë si të barabartë me të gjithë dhe se ajo humbje mund të vlejë shumë më tepër sesa një fitore, për sa kohë është pjesë e përgatitjes. Këtë ma konfirmoi edhe Gianni.

Mua nuk më mbetet veçse t’ju uroj çdo të mirë. Unë jam vetëm me një ide fillestare, Berisha të mos pësojë gola. Të gjitha të tjerat rregullohen. Përveç miqësisë me Etritin kam edhe një arsye shumë të fortë, e kam pasur të domosdoshme ta dua një Berishë. Shyqyr që më dole ti dhe të dua me gjithë zemër, siç ju dua të gjithëve me gjithë zemër, sepse jeni çuna fantastikë. Jam i bindur që do bëni një kampionat fantastik për nga shpirti që do vini në fushë. Ndërsa rezultatet le të vijnë si të jenë, nuk ka asnjë problem.

Sot është dita më e bukur, njësoj si dita kur krijohet qeveria. Dita më e bukur sepse është maksimumi dhe nuk kanë filluar hallet e problemet. Më pas nisin hallet, problemet, dalin kundërshtarët. Diku do pësosh një gol, diku do të duhet të sforcohesh, por më e rëndësishmja është të jesh dhe ju jeni atje. Nuk ka më bukur! Gëzojeni maksimalisht këtë moment të karrierës!

Ky është moment fantastik për çdolloj sporti dhe çdolloj lojtari që vesh bluzën e Ekipit Kombëtar. Jam i bindur që është një moment që do ta kujtoni shumë gjatë, ndaj merrini maksimumin, gëzojeni në maksimum dhe merreni me qetësi të plotë. Sa më të qetë të jeni dhe sa më pak ta ndieni presionin, aq më shumë shanse ka që të bëjmë rezultat.

Në fund, duket si më e parëndësishme, por në fakt është shumë e rëndësishme. Përgëzova edhe presidentin e Federatës së Futbollit për kostumet. Janë super. Kështu që edhe nga ana estetike besoj që mund të konkurrojmë me të gjithë skuadrat, edhe me francezët që zakonisht vishen më mirë se tjerët, gjë që e kam vënë re në të gjitha kampionatet.

Çuna, shumë respekt, shumë mirënjohje! Sa më shumë pasion dhe me qetësinë më të madhe, se humbjen e kemi ne xhep, nuk kemi çfarë humbin, Ajo që duhet të fitojmë, është thjeshtë imazhi i një skuadre që nuk ta lëshon rezultatin, pa dhënë njëherë shpirtin. Po u realizua kjo, të gjitha të tjerat janë dytësore për një skuadër si ne që jemi për herë të parë në Kampionatin Europian. Do të vij edhe për ndeshjen e parë dhe jam absolutisht i bindur që do jetë një eksperiencë fantastike.

Edhe njëherë, shijojeni maksimalisht, gëzojeni maksimalisht, se ne shpresojmë të ndodhi sërish shumë shpejtë, por edhe mund të mos ndodhë shumë shpejt për herë të dytë. Kështu që merrni maksimumin se është kulmi i karrierës për një futbollist që të jetë me Kombëtaren dhe Kombëtarja të jetë në finalet e Kampionatit Europian.

Shumë faleminderit.

(er.shk/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: